Vetë Greqia nuk njeh asnjë minoritet, megjithëse brenda saj jetojnë shqiptarë, sllavo-maqedonas, polakë, turq, vllehë, romë, egjiptas, bullgarë, hebrenj./Nga Arben LLALLA/
Përherë Greqia për t’iu bërë presion qeverive shqiptare prej 27 vitesh ka përdorur metoda primitive si operacioni “Fshesa” më 1993, ku brenda 15 ditësh u kthyen forcërisht rreth 90 mijë emigrantë shqiptarët, të cilët punonin për bukën e gojës.
Bllokimi i shqiptarëve për 18 orë në kufi me Greqinë u justifikua se ka problem sistemi elektronik TIMS. Konsulli shqiptar në Janinë, Pervin Gjukuria gënjeu tek deklaroi që ka rënë i gjithë sistemi TIMS në gjithë Greqinë. Përse në doganat Greqi-Maqedoni nuk ka rënë sistemi TIMS? Përse nuk ka rënë sistemi TIMS me doganat Bullgari-Greqi? Përse nuk ka rënë sitemi TIMS për ata që udhëtojnë me linjë ajrore Tiranë-Athinë? Në këto dogana vazhdoi lirshëm qarkullimi i qytetarëve nga dy anët e kufirit.
Loja e presionit politik e rënies së sistemit TIMS në Greqi me doganat me Shqipërinë është e njohur prej 20 vitesh. Ndërsa kyeministri i deklaratave boshe patriotike nga zëri i gurmazit, Edi Rama pasi u shpërblye me Kryqin e Artë të Kalorësit si Mbrojtës i Ortodoksisë Greke nga Patriarku i Jeruzalemit dhe për t’i treguar Greqisë se do jetë një kryeministër i dëgjueshëm, vasal i ri i Greqisë izoloi Çështjen Çame. Por, Greqia nuk hesht dhe nuk ndalet pa kërkuar favore të tjera për të realizuar projektin e vllehut Joanis Koletit; Megallo Idenë. Pra, ndërtimin e 5 varrezave gjigandë në Jugun e Shqipërisë nga Korçë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër-Bularatë me 8 mijë varre bosh, të cilët do shiten si dëshmorët që ranë për të çliruar motrën e vogël të Vorio Epirit, sepse kështu thotë edhe himni ushtarak i Greqisë. Greqia më 12-15 nëntor në Kretë do t’i kërkojnë kryeministrit Rama dhe ministrit Bushati njohjen e Himarës si zonë e pakicës greke, faljen e detit, ku në anën e Shqipërisë flenë 450 miliardë euro rezerva nafte dhe gazi. Prandaj, Edi Rama duhet të mendohet mirë para se ta hedhë nënshkrimin për këto marrëveshje, madje do të bënte mirë që të përdorte reciprocitet dhe jo gafën historike, kur njohu nëntë minoritete, ku merre me mend as Maqedonia e Kosova nuk kanë njohur më shumë se gjashtë pakica.
Vetë Greqia nuk njeh asnjë minoritet, megjithëse brenda saj jetojnë shqiptarë, sllavo-maqedonas, polakë, turq, vllehë, romë, egjiptas, bullgarë, hebrenj.
Kurse qeveritë shqiptare nuk kanë guxuar asnjëherë të vetme për të kërkuar njohjen e minoritetit shqiptar që jeton në Çamëri, Aleksandopoli, Kavallë (këto janë njohur zyrtarisht nga vitit 1923 si zona ku jeton minoriteti shqiptar) apo për të drejtat e minoritetit arvanitas për reciprocitet. Çfarë do na thotë Ditmir Bushati për vrapin që bëri sot në Derviçan për të paraqitur me aq propagandë zëvendësministren e jashtme grekofone, ndërsa prej tre vitesh sa ishte zëvendësministër me origjinë nga Çamëria nuk e prezantoi asnjëherë, por e fshehu se mos na mërzitej greku.
Hakmarrja e Greqisë për bllokimin 18 orë të kufirit nuk ka justifikim, ajo është një hakmarrje primitive mbi fëmijët, pleqtë dhe njerëzit që i lidhin shumë gjëra me Greqisë. Këto sjellje dallkaukësh nuk nxisin dashurinë mes popujve, por përkundrazi nxisin urrejtje, sepse kur një shtet i tërë merret me pengimin e lëvizjes lirshëm të fëmijëve dhe pleqve, rrëfen se kemi të bëjmë me probleme psikologjike të një shteti të tërë që pretendon se është babai i demokracisë.
Për rikujtesë, fatkeqësia e shqiptarëve është që Shqipëria udhëhiqet ende nga politikanë të dobët përballë politikës dinake të Greqisë dhe grekëve. Sot, populli shqiptar dhe ai grek ndodhen politikisht shumë larg njëri-tjetrit. Lufta e Kosovës tregoi se grekët janë besnikë, avokat të politikës raciste serbe, janë në anën e kundërshtarëve të kombit shqiptar. Teoria, sipas të cilës mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri janë urë lidhëse midis dy vendeve bie poshtë si e pa vërtetë. Mërgimtarët shqiptarë janë pengje, urë e minuar që shpërthen sa herë që Tirana nuk i bindet Athinës, kur kjo e fundit me “fshesat e veta periodike” kthen me forcë në heshtje ose me bujë mijëra njerëz të halleve, njerëz të bukës së gojës që nuk merren me politikë.
Sa herë që Shqipëria do të kërkojë të drejtat e mërgimtarëve në Greqi dhe ngritjen në Forumet dhe Asambletë botërore për zgjidhjen e drejtë të Çështjes Çame, atëherë Greqia me satelitët e saj minoritarë grekë do të kërkojnë Autonomi të “Vorio Epirit” dhe ndërhyrje ushtarake në Jug të Shqipërisë për “shpëtimin” e pakicës greke.