
Virgjil Kule/
Kudo në botë, te grupet shoqërore me civilizim të vonuar, bindjet fikse dhe paragjykimet janë primare.
Gjithçka që shohin e dëgjojnë u kalon nëpër një filtër të ngjeshur paragjykues, i cili përbëhet nga disa bindje të instaluara kuturu, në një kohë tashmë të largët. Nuk arsyetojnë për asnjë zhvillim të ri, pavarësisht se realiteti ulërin bindshëm. Është e kotë t’u japësh fakte… pranojnë vetëm opinione, të cilat i përtypin vetëm po të jenë sipas bindjeve të tyre të kalcifikuara. Të bardhën e bëjnë të zezë me lehtësi akrobatike. Nuk kanë ndërgjegje që t’i vrasë sado pak.
Në kokat e tyre funksionon një mekanizëm i çuditshëm që filtron gjithçka objektive për të lënë vetëm esencën e subjektivitetit. Madje me objektiven, me realen, me dinamikën e jetës nuk merren fare. Nuk thonë se nuk u intereson, por nuk janë në gjendje ta përpunojnë atë çka shohin e dëgjojnë. Sepse janë mësuar që të mos u besojnë as syve dhe as veshëve të tyre, janë mësuar të presin që përpunimin ta bëjë dikush tjetër, që gjykimin ta paketojë “kompetenti” dhe ata ta konsumojnë sipas rastit. Dhe “kompetentët” sharlatanë janë gjithfarëlloj: politikanë dinakë, historianë halucinantë, fat-thënësa misteriozë, doktorë adhamudianë, nacionalistë agresivë, zbulues enigmash, gënjeshtarë profesionistë, etj., etj.
Këta japin ushqimin e gatshëm, shpesh edhe nëpërmjet medias. Besohen verbërisht nga individët pa shtyllë kurrizore, që nuk i mobilizojnë kurrë shqisat personale për të abstraguar në mendim. I përdorin ato përgjithësisht vetëm për mbijetesë fizike: të nuhasin aroma, të shijojnë ushqime, të dallojnë zhurmat, të prekin gjëra materiale dhe të shikojnë se mos pengohen kur ecin rrugës. Madje shpesh i përdorin duke përjashtuar njëra-tjetrën. Kur dëgjojnë nuk nuhasin, kur flasin nuk dëgjojnë… Shqisat e tyre nuk bashkëveprojnë harmonikisht me njëra-tjetrën për të prodhuar mendim. Për pasojë, ato nuk çojnë dot mesazhe në sektorin e mendjes ku përpunohet arsyetimi. Porta atje është mbyllur me kohë.
Rrallëherë, nga porta e pasme, si vjedhurazi, marrin ndonjë furnizim nga jashtë, paketë të gatshme, por edhe këtë me kusht që të jetë sipas standardit të vjetër, të kohës kur është instaluar mekanizmi i tyre i të menduarit me ingranazhe bindjesh fikse. Mendja e tyre lubrifikohet vetëm me vaj sloganesh dhe vazhdon të xhirojë, në boshllëk të plotë!