
Me rastin e muajit të Ramazanit
Nga Frank Shkreli


Hafiz Sabri Koçi (1921–2004)
Atdhetar dhe fetar
Hafiz Sabri Koçi ishte një nga figurat më të rëndësishme të Islamit në Shqipëri gjatë shekullit XX dhe periudhës së tranzicionit pas komunizmit. Të ndjerin e kisha takuar në Tiranë në Mars të vitit 1991 në vizitën e parë të delegacionit të Deparatmentit Amerikan të Shtetit, në Shqipërinë ende të sunduar nga regjimi komunist. Me atë rast, përveç aktiviteteve të tjera, delegacioni pat organizuar një pritje modeste në hotel Dajti për nja 100 zrytarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, disa amerikanë dhe diplomatë të huaj të akredituar në kryeqytetin shqiptar të ftuar nga përfaqësia e parë diplomatike amerikane në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Në atë pritje delegacioni kishte vendosur të ftonte edhe përfaqësues të feve dhe tjerë të shoqërisë shqiptare, të posa liruar nga burgjet e komunizmit: Hafiz Sabri Koçin, kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe At Simon Jubanin, (1927–2014), Nga Frank Shkreli/ Apostulli i Lirisë Fetare Dom Simon Jubani: Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri dhe vizita e tij në Amerikë në maj të vitit 1991 | Gazeta Telegraf — prifti katolik që mbijetoi 26 vjet burg e internim — dhe i cili kishte celebruar meshën e parë në Shkodër me 4 nëntor të vitit 1990, pas 23 vitesh të ndalimit brutal të fesë nga regjimi komunist. Mesha publike e Dom Simon Jubanit u konsideruar në atë kohë si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj shpalljes së Shqipërisë si “shteti i parë ateist në botë”, dekada më parë. Në mungesë të një kleriku ortodoks, i ftuar ishte edhe një përfaqësues civil i Kishës Ortodokse Shqiptare.
Megjithse ai rast nuk ishte koha as mundësia të bisedoja pak më gjatë me këto dy figura të mëdha të fesë e Kombit Dom Jubani dhe Hafiz Sabri Koçin përveç përshëndetjeve të rastit – por i kujtoj si dy individë të vuajtur por të vendosur në parimet e tyre të fesë në Zotin dhe në dinjitetin dhe lirinë njerëzore – dhe si dy protagonistë fetarë, simbole të fillimit të një epoke të re. Kësaj radhe do përqendrohem pak – duke përkujtuar — në shënjë nderimi dhe respekti, njëkohsisht, dhe me rastin e këtij muaji të Ramazanit, Hafiz Sabri Koçin, ish-Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1991–2004). Pas rënies së regjimit komunist, ai udhëhoqi ringritjen institucionale dhe shpirtërore të besimit islam në vend. I burgosur politik (1966–1986) – kaloi rreth 20 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha për shkak të besimit dhe veprimtarisë fetare. Ai luajti rol kyç në rihapjen e xhamive, në organizimin e jetës fetare dhe rikthimin e edukimit islam pas ndalimit brutal të fesë në vitin 1967. Sipas atyre që e kanë njohur, Hafiz Sabri Koçi është dalluar për qëndrimet e tija të moderuara, për dialog ndërfetar dhe për ruajtjen e harmonisë tradicionale fetare ndër shqiptarët. Si i tillë, megjithse në amshim, ai vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, një prej simboleve të qëndresës fetare, i faljes dhe i bashkëjetesës ndërfetare, ndër shqiptarët. Ai ka kontribuar që, pas shembjes së komunizmit zyrtar antifetar, Islami shqiptar të riorganizohej mbi baza kombëtare dhe larg ndikimeve radikale. Si i tillë, figura e Hafiz Sabri Koçi zë një vend të veçantë në historinë moderne shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një klerik mysliman; ai ishte edhe simbol i qëndresës shpirtërore përballë një prej periudhave më të errëta të shtetit shqiptar.
Siç dihet, Shqipëria jonë e pësoi si asnjë shtet e komb tjetër në botë komunizmit anti-Zot, kur regjimi i Enver Hoxha kishte shpallur Shqipërinë shtet ateist në vitin 1967. Dhe si rrjedhim regjimi tij barbar mbylli çdo institucion fetar, shumë klerikë u burgosën, u internuan ose u detyruan të heshtin. Hafiz Sabri Koçi kaloi afro dy dekada në burgjet komuniste. Si shumë të tjerë si ai –sy pa trembur, as përball vuajtjeve e burgjeve, punës së detyruar dhe persekutimeve komuniste, ai me shokë klerikë të feve të tjera, nuk hoqën kurrë dorë nga besimi, por as nga dashuria për Kombin e vet, pa dallim.
Pas rënies së komunizmit zyrtar, ai mori drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në një kohë kur institucionet fetare ishin të shkatërruara, ndërsa shoqëria shqiptare ishte e çoroditur, shpirtërisht, por jo vetëm. Sabri Koçi me urtësi dhe maturi, udhëhoqi rihapjen e xhamive, edukimin e brezit të ri të imamëve dhe rikthimin e jetës fetare në normalitetin e traditës shqiptare. Por ndoshta merita më e madhe e tij ishte dhe mbetet se ai punoi për ta ruajtur Islamin shqiptar në traditën e tij të moderuar, kombëtare dhe harmonike me besimet e tjera dhe me shioqërinë në përgjithsi. Në një kohë kur Ballkani po përjetonte tensione të forta fetare, politike e etnike, ai zgjodhi rrugën e dialogut dhe të bashkëjetesës midis shqiptarëve të feve të ndryshme, ashtu sipas traditës. Pas vitit 1990, kur shumë ndikime të jashtme — jo të natyrshme për bashkjetësën fetare të shqiptarëve — kërkonin të mbushnin vakumin shpirtëror të lënë nga diktatura komuniste, Hafiz Sabri Koçi zgjodhi rrugën e traditës shqiptare: duke predikuar një Islam kombëtar, të moderuar, të lidhur ngusht dhe historikisht, me kulturën dhe me bashkëjetesën shqiptare. Ai e kuptonte se feja pa atdhe bëhet instrument, ndërsa feja me përgjegjësi kombëtare, bëhet mburojë ndaj infleuncve të huaja. Duke lënë kështu një trashëgimi fetare, morale dhe kombëtare, por jo vetëm. Duke na kujtuar të gjithëve, se ndryshe nga propaganda komuniste anti-fetare e Enver Hoxhës dikur, feja kur lidhet me atdhedashurinë dhe me përgjegjësinë morale, bëhet faktor stabiliteti dhe jo përçarjeje, midis shqiptarëve. Hafiz Sabri Koçi, sipas atyre që e njihnin mirë, nuk e përdori kurrë fenë për përfitime personale, as politiko-fetare. Përkundrazi, ai e mbrojti pavarësinë e institucionit fetar nga instrumentalizimi. Prandaj, sot, si i tillë, në këtë muaj të Ramazanit, 2026, kur Shqipëria përballet me sfida identitare, emigracion masiv, korrupcion dhe polarizim politik, modeli i tij i maturisë dhe i përkushtimit ndaj harmonisë ndërfetare dhe vlerave kombëtare –mbetet shembullor dhe aktual. Prandaj, Hafiz Sabri Koçi ishte më shumë se vetëm udhëheqës fetar. Ai ishte një ndër ata klerikët e vuajtur — nepër burgje e kampe përqendrimi, të vrarë e të persekutuar — të feve shqiptare nën diktaturën komuniste enveriste, katolikë, bektashinjë msyslimanë e ortodoksë — simbole ndërgjegjeje morale të një shoqërie që po kërkonte dhe gjithnjë kërkon të ringrihet moralisht, mbi plagët e diktaturës antifetare hoxhiste – madje edhe 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit.
Vet Hafiz Sabri Koçi vuajti afër njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha – jo për pushtet, jo për para, por sepse refuzoi të hiqte dorë nga besimi dhe dinjiteti i tij. Ndërsa shumë ish-persekutorë të regjimit komunistë që dënuan klerikët me vrasje e burg, u ricikluan në të ashtuquajturën, “demokracinë” e sotëme. Çfarë hipokrizie kombëtare! Persekutorët komunistë edhe sot vazhdojnë në detyra të larta të “drejtësisë” së re. Shumë oportunistë të tillë – të mbështetur nga politika e tranzicionit, mjaft prej tyre edhe ata me rrënjë të thella politike dhe akademike në ish-regjimin e Enver Hoxhës, sot janë vet- shpallur “pro-evropianë” e “pro-amerikanë”. Brenda natës u kthyen nga persekutorë komunistë në prokurorë të drejtësisë së re. Shumë prej këtyre “moralistëve” të rremë predikojnë tolerancë, “drejtësi e demokraci” nga komoditeti i studiove televizive oe nga sallat e gjykatave. Por, Hafiz Sabri Koçi – si shumë klerikë të tjerë shqiptarë, katolikë, myslimanë, ortodoks bektashinjë — në burg dhe jasht burgut – mbeti ai që ishte: një njeri që pagoi me liri personale për të drejtën për të besuar në Zotin.
Quaje ironi, në daç hipokrizi,ose të dyja. Fakti i realitetit politik shqiptar është i hidhur: përfaqsuesit politikë të pozitës dhe opozitës të këtij shteti shqiptar që kemi sot në “demokraci”, e që dikur e burgosi për besimin e tij Hafiz Sabri Koçit dhe shumë bashkvëllezër të tij fetarë, sot krenohet nepër botë duke marrë kredinë për harmoninë ndërfetare ndër shqiptarët. Harmoninë që mbijetoi falë njerëzve si ai, jo kësaj klasës politike aktuale, as falë ideologjisë shtetërore antifetare komuniste gjysëm shekullore në të cilën shumë prej këtyre politikanëve ende mbeten të brumosur në të. Vërtetë, meritë e kujt është bashkjetesa fetare në Shqipëri?!
Sabri Koçi me shokë kërkon drejtësi historike! E kam thënë shpesh gjatë dekadave të fundit se Shqipëria “post-komuniste”, u ka borxh këtyre përfaqsuesve të përsekutuar të Kombit – të gjallë e të vrarë nga regjimi komunist — një rivlerësim serioz historik të rolit të tyre në mbijetesën shpirtërore të Kombit gjatë komunizmit dhe në ringritjen morale të kësaj mbijetese fetare sot ndër shqiptarët. Por politika shqiptare në “demokraci”, e ka treguar se nuk ka guximin as vullnetin që të flasë, seriozisht, për krimet e së kaluarës komuniste në përgjithësi, ndërkohë që refuzon një përballje të thellë me persekutimin fetar nën regjimin komunist në atë vend dhe me krimet e komunizmit në përgjithsi. Ende mungon një ndjesë e plotë morale dhe institucionale për atë që ka ndodhur. Një “harresë” e mirë organizuar nga politika dhe nga academia.
Nëse Shqipëria, si shtet dhe si komb — dëshiron të ndërtojë një të ardhëme me dinjitet, duhet të përballet ndershmërisht, me të kaluarën e saj të hidhur – dhe të pranojë se ndërgjegjja morale e atij tranzicioni nuk erdhi nga politika, por nga shqiptarë, kundërshtarë të komunizmit, si Hafiz Sabri Koçi. Dhe nëse sot ka stabilitet dhe bashkjetesë fetare në Shqipëri, kjo është meritë e tij dhe shumë të tjerëve si ai. Për këtë meritë, ata nuk kërkojnë lavdërime boshe, por do donin një klasë politike dhe një shoqëri që e kupton se liria as demokracia nuk janë dhuratë – por janë një trashëgimi e paguar me sakrifica –e që historia duhet ta njoh, për ndryshe, ajo shoqëri rrezikon të humbasë busullën morale, por jo vetëm.
Frank Shkreli

Takimi me Papa Gjon Palin e II-të, Shqipëri, 1993
Foto e rrallë — Nenë Tereza në vitin 1990, ishte takuar me Myftiun e Madh të Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçi, njoftone gazeta zvicerane (Canton27.ch)

