Nga Astrit Lulushi/
Hakmarrja vjen në mënyra të ndryshme, si ndëshkim, dënim, dëmtim i hapur ose i heshtur, i fshehur, dëshirë e hidhur për të lënduar një tjetër për një të keqe të bërë, ose nga smira a zilia për atë që tjetri ka bërë e bën, por ai nuk është në gjendje ta bëjë nga paaftësia ose nga frika. Hakmarrja edhe trashëgohet, fshihet thellë deri në gjen. Shumë nga komunistët e djeshëm a bijtë e tyre intelektualë, sot në poste drejtuese, e kanë bërë hakmarrjen armë kundër armiqve të prindërve të tyre. Për ‘ta lufta e klasave gjenetikisht vazhdon. Dhe këtë e kryejnë në heshtje, fshehurazi, por me sukses. Hakmarrja e tyre ndaj çdo gjëje që u rikujton humbjen e privilegjeve të dikurëshme, në çdo kohë, në çdo vend, nën çfarëdo pretendimi, gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë zgjidhja e fundit për të rimarrë pushtetin a sunduar. Ata drejtojnë e qeverisin autokratisht sepse duan të hakmerren, dhe duke i trajtuar njerëzit si plaçkë, e përmbushin qëllimin, këtë herë, gjoja se mbrojnë “padronin” e ri, a kapitalizmin.