NGA IDAJET JAHAJ/
Naim Frashëri – ky gjigant i mendimit shqiptar, gjigant i ndjenjës dhe poezisë, këtë muaj[1] mbush 100 vjet nga vdekja e tij. Kombi e ka vajtur atë si rrallë kush, i ka dhënë titullin “kombëtar”, pas atij të Skënderbeut (heroi kombëtar). Ai bëri në poezinë e filozofinë atdhetare atë që bëri Skënderbeu me shpatë.
Ku nuk shtrihen e shkëlqejnë fushqetat shumëngjyrëshe të mendimeve të tij? Në të gjitha aspektet botëkuptimore që kërkonte shoqëria shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të nëtëmbëdhjetë, shekull në të cilin çështja kombëtare mori hov e flakë.
Kishte dalë para tij edhe shatërvani kombëtar i ndritshëm deradian, që skuqi qiellin shqiptar, por dielli-Naim do ta lbyrte atë, do ta ngrohte e do t’i jepte rreze këtij trualli. Një diell i fortë që u dha gjak të gjitha luleve të shpirtit të këtij kombi.
Vargjet e tij, sa delnin, merrnin me vrap të gjitha trevat dhe skajet e atdheut, tokën arbërore, thitheshin me etje nga populli i shumëvuajtur. Populli i shqipeve thithi me krenari këngën e ëmbël të Naimit, ajo u bë pjesë e qenies së tij, e të gjithë brezave. Lumi poetik naimian u bë abetarja e madhe kombëtare, abetare me shkronja zjarri. Ishte lumë i madh që fati po ia jepte Shqipërisë me bollëk: mijëra vargje për krenarinë etnike, për heronjtë, pellazgjinë, gjuhën, shkollën, mësimet, urtësinë, humanizmin, filozofinë, zotin, natyrën, pamjet e mrekullishme të jetës e gjithësisë, që dehin njeriun dhe vijojnë jetën e tij të përtërirë mbi tokë. Abstragimi i tij futet thellë në kozmos:
Botërat janë paanë,
Fund e krye nukë kanë;
Dielli është një yll i zjarrtë,
Që ndrin porsi top i zjarrtë,
Teje kanë lindur yjet endacakë,
Dora jote i ka ndezur porsi flakë.
Bija jote është endacakja Tokë,
Afërdita e Mërkuri me kaq shokë.
Që kur teje këto dritëza u ndanë,
Si pa mend enden qiellit të paanë…
…Se sa trupa ka të ndritur, madhështorë,
Por i shkurtër është syri ynë i gjorë…
Astronomia e tij poetike “zbret” në Tokë:
Dheu është një yll i qiellit,
Që lëvrin në hapësirë
Vjen rreth e rrotull diellit
Në të ngrysur, më të gdhirë…
Vëzhgimi i poetit ecën me shkencën bashkëkohore.
Ai zbret tek njeriu e njerëzimi, dhe këtu, në këtë planet, si një mrekulli të natyrës, si një pikëz të ndritshme në univers, zoti ka zbritur një komb-shumë të vjetër – Shqipërinë:
Bota që kur është zënë
Shqipëria gjallë ka qënë…
Atdheu për ‘të është fokusi, filozofia dhe qëllimi. Atij ai i evidenton çdo njohuri, çdo poezi. Ai përbën refrenin, sentencën, esencën, përvijimin dhe kuptimin e qenies:
Shqipëri, të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë!
Vargjet e tij ndriçojnë të gjithë shekujt, me aktualitetet të pashuar. Këtij atdheu ai i fal gjithçka: njohjen, iluminizmin, humanizmin, bukurinë, jetën, shkollën e diturinë, meritën e ekzistencës dhe madhështinë e heronjve. Në qoftë se atdheu do ndriçojë, atëherë do të shijohet më mirë edhe bukuria e botës dhe e jetës së banorëve të tij. Në këtë atdhe “jemi një fis e një farë”/; Për Shqipërinë / ditët e mira / paskëtaj vijnë / shkoi errësira.
Sërish aktualiteti, sikur Naimi të jetonte sot:
Do të ngrihetë kjo rezë,
Që na i rri mbi kokë e zezë!
…Mos e lini Shqipërinë
Duke marrë arratinë!
Midis njerëzve duhet të mbretërojë paqja, kultura, sjellja njerëzore:
Është vetëm njerëzia / Që i duhet njerëzisë/ … prandaj:
Bashkoni dhe ju q’u dua
Zënë e zemërën me mua,
Ish shumë trim shqiptari
Dhe i bukur si fill ari…
Vetë poeti ishte “një shkëndijë prej qielli / dhe një drudhëzë prej dielli”. Këtë dritë ai e shpërndante me çdo mjet e mënyrë poetike, me të gjitha degëzimet e lumit të tij të madh filozofik. Naimi ynë është ndër krenaritë filozofike të kombit, ndër më të mëdhenjtë.
Veshja poetike që u bënte këtyre mendimeve, i bënin ato të llamburinin me një dritë të madhe e të ëmbël, që nuk shlyhen nga kujtesa. Iluministi shkëlqen kur thotë: “Dhe dritë e diturisë – përpara do na shpjerë” / apo:
Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu, o dritë,
Se arriti kohë e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë!…
“Nga vlera e diturisë – tek froni i perëndisë” – filozofon ai.
Optimizmi i tij i përsëritur tejkalon edhe këtë shekull:
Kam shumë shpresë / te perëndia/
Që të mos jeshë / kështu Shqipëria/
Po të ndriçohet / të lulëzohet…
Kamera e tij filozofike rrok qiejt. Natyra për ‘të është një lumë i madh, me shfaqje e pamje të ndryshme e të panumërta. “Të lexojmë librin e madh të natyrës” – kjo ishte motua e tij. Meditimet të mrekullojnë:
“Sa e dua gjithë jetën,
Se atje gjej të vërtetën;
Yjtë, hënën, hapësirën,
Të mugtit, natën, ditën,
Mëngjesin, diellin, dritën,
Mbrëmjen, dh’ atë errësirën…
………………
Oshëtimën, pyjet, drurët,
Shkëmbenjtë, gërxhet e gurët,
Lulet, barërat që mbijnë,
E shpezët që fluturojë,
Edhe këngëra këndojnë,
E nëpër dega lëvrijnë…
Më tej tek “Mejtimi”:
Rri, mejtohem shumë herë,
Tek perëndon ylli i zjarrtë,
Edhe hapetë një derë,
Soje rrjedh një dritë e artë…
Oh, sa të bukura janë,
Fushatë që gjelbërojnë,
Qiejt, që s’kanë anë,
Dhe lulet që lulëzojnë…
Peneli i tij poetiko-filozofik prek çdo anë e lule të jetës së kombit si yllësi ndriçojnë lajtmotivet:
O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
Fushat e gjëra me lule që u kam ndërmend ditë e natë.
Malet e fushat e tokës arbërore, ku punojnë si yjtë – shqiptarët, ai i qëndis me vargje e mëkon ndërgjegjen e brezave:
A e shihni gjithësinë? Yjtë diellin, hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën e Kumtërit, shënjën?
Si janë përveshurë gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-jatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
…dhe burrat trima me besë dhe shpirtmirë e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë…
Dua të dal majë malit të shoh gjithë Arbërinë
Vëllezërit shqiptarë si venë në punë e vinë…
Zjarri i atdhedashurisë naimiane është i pakrahasueshëm. “Bagëti e Bujqësia” e tij është një homeriadë shqiptare. Naimi – poet, mësues i kombit, mendimtar, ëndërrues, edukator, iluminist, humanist. Atdheut ai i nënshtron edhe perëndinë:
Nata atje është tjatër natë, edhe dita tjetër ditë,
Në pyjet e gjelbëruar atje rrijnë perënditë.
Për çdo sferë të krijimtarisë së Naimit mund të bësh studime, libra, filozofime e meditime. Frymëzimi që ai ka ngjallur në zemrat e shqiptarëve në çdo kohë, ka qenë epokal. Ai le gjurmë të madhe e të ndritshme edhe në një fushë tjetër filozofike – atë të fesë. Ndjek e predikon rrymën më të përparuar të islamizmit – bektashizmin. E quan atë fé të shqiptarëve, dhe i mëshon aq shumë, saqë u bë apostull shpirtëror të tij. E identifikon perëndinë me njeriun e njerëzimin:
Zot’ i madh e i vërtetë
Kur desh të dil në shesh vetë,
Krreu në jetë njerëzinë…
Për t’u treguar i tërë,
Vetë ay njeri ësht’ bërë…
Fetë janë të ndryshme, por zot ka vetëm një. Dhe ai është brenda njeriut, gjithësisë. Panteizmi i famshëm naimian bëri për vete zemrat e shqiptarëve, sepse në ‘të frynte era e pastër e thirrjes për Komb, bashkim, ndriçim e përparim, në emër të perëndisë. “Kush do të njohë perëndinë / le të shohë mirë njerinë / – thotë poeti filozof.
Në të gjitha aspektet që shkruan, i madhi Naim ndriçon njeriun e njerëzimin, stili i tij merr flakë sidomos kur i skuq si vetëtimë ajo – hyjnorja – Shqipëria:
Zemrën’ e varfër time aty ndër ju e kam mbuluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’ i ftoht’ e i kulluar;
Jam larg jush i dëshpëruar edhe s’e duroj dot mallë,
Po s’e di si dua unë, do t’ju shoh një herë vallë?!…
Vepra e Naimit kapërxen shekujt duke ndriçuar si një disk i madh diellor… si një pllakë e madhe plot flakë e melodi atdhetarie.
Vetë AI- identitet i Shqipërisë në botë.
[1] Tetor 2000, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së poetit të madh