Shqiptarët janë në komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.”
Kryeministri Berisha dha një pritje koktej me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, me përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Në pritje ishin të pranishëm drejtuesit e bashkësive fetare në vend: Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Fitor Muça, Zëvendskryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare nga Kosova dhe Mali i Zi.
Fjala e Kryeministrit Berisha në pritje.
“Është një rast i veçantë për mua të përulem me nderimin më të thellë para veprës së ndritur të këtyre burrave, të cilët me përkushtimin e tyre, me vetëmohimin e tyre, me besimin e tyre të pakufishëm tek Zoti dhe në shërbim të tij, kanë bërë që shqiptarët të festojnë sot, krenarë para Zotit, Krishtlindjet, një nga ngjarjet më të mëdha të njerëzimit të të gjitha kohërave, lindjen e burrit dhe Hyjit, i cili me mendimin, me trashëgiminë, por edhe me sakrificën e tij sublime në shërbim të Zotit dhe të njeriut, ndikoi aq fuqishëm në moralin njerëzor, në moralin e qytetërimit perëndimor.
Ndaj dhe urimin e parë e kam për ju, mirënjohjen më të thellë për veprën tuaj të ndritur, e kam për të gjithë besimtarët të krishterë shqiptarë dhe të gjithë besimtarët e Zotit në Shqipëri, besimtarët ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe të gjithë ata që i luten Zotit dhe i besojnë atij, iu uroj Krishtlindjet gëzuar! Uroj nga zemra që t’i festojmë ato gjithnjë e më mirë.
Këto krishtlindje i festojmë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, i kremtojmë gjithashtu pas një rilindje të vërtetet të besimeve fetare, të cilat u rrënuan nga një ideologji çnjerëzorë. I kremtojmë të lirë dhe unë jam i bindur se ka shumë arsye që të besojmë që Krishtlindjet e tjera do të na gjejnë më mirë, më të bashkuar, më të begatë, më të sigurt dhe më përpara në projektin tonë të madh të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, të ndërtimit të Shqipërisë Europiane.
Një përshëndetje të përzemërt dua t’u jap ambasadorëve, duke filluar së pari me Nuncin Apostolik, përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë dhe të Atit të Shenjtë në Shqipëri, këtij Aleati të përjetshëm të shqiptarëve, mbështetësit të vendosur të çështjeve të drejta të tyre. Ju uroj ju shkëlqesi ambasadorë, familjeve tuaja, kombeve tuaja, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Uroj prosperitet, paqe, stabilitet dhe të ardhme gjithnjë e më të ndritur për kombet tuaja të mëdha, mirëkuptim, paqe dhe harmoni për të gjithë.
Ky vit i lëshon vendin një viti tjetër të madh në historinë e njerëzimit, vitit të ediktit të Milanos, në të cilin dy perandorë, – rastësi apo jo, le ta gjykojnë historianët – dekretuan së bashku lirinë fetare. Edikti i Milanos është një nga aktet më të mëdha në historinë e njerëzimit, pas lindjes dhe ringjalljes së Krishtit. Ky akt i hapi rrugën paqes, mirëkuptimit, respektit reciprok, të njerëzve me besime të ndryshme dhe iu dha qytetarëve lirinë të përzgjedhin besimin që duan.
Shqiptarët në këtë horizont janë një komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Një komb, të cilit linja e Teodosit i ra në të gjithë gjatësinë e tij. Kisha u nda, por kombi mbeti unik. Më vonë sërish linja të tjera ranë mbi të, tani jo linja e Teodosit, por linjat e Huntingtonit, përsëri kombi mbetet unik. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.
Ndaj le të përpiqemi së bashku ta shndërrojmë 2013, në një vit harmonie, paqeje, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, me fqinjët, me vende të tjera.
Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Ju falënderoj me mirënjohje që erdhët sot, këtu, dhe më dhatë mundësinë të uroj secilin prej jush. Gëzuar!”
…