-Kryeministri Haradinaj priti në takim aktivisten për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd/ PRISHTINË, 23 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim aktivisten për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd (kryeqytetin e Serbisë), Natasha Kandiq.Kryeministri ka shprehur kënaqësinë për takimin, i cili po zhvillohet në vigjilje të Samitit të Londrës, ku pritet që vendet e Ballkanit Perëndimor ta nënshkruajnë Deklaratën e përbashkët për evidentimin, burimet kredibile dhe rrethanat e vrasjeve në luftërat e viteve ’90 në këto hapësira. Me këtë akt synohet që të mos lejohet mundësia e falsifikimit të historisë.
“Të veprosh në një ambient të pasigurt dhe të mos i ndash viktimat në ‘të tyret dhe tonat’, por të kërkosh drejtësi për ta dhe satisfaksion moral, është jo vetëm humanizëm i pashoq por edhe guxim qytetar e njerëzor”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.Kryeministri ka falënderuar Natasha Kandiqin për punën e madhe që ka bërë rreth evidencës së të vrarëve dhe të zhdukurve në konfliktin e Kosovës, dhe ka theksuar se të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, janë ende të dhënat më kredibile.Në fund të takimit, kryeministri Ramush Haradinaj për kontributin e madh, i ka dhuruar Natasha Kandiqit, “Hartën e Artë të Kosovës”./b.j/