Zija Vukaj/
Rreth gjysmës së shekullit XII, në zemrën e epokës feudale- atë të kalorësve e të ndeshjeve kalorësiake, të kështjellave e të Kryqëzatave, të aventurave të mbretit Artur dhe romaneve të parë të Tryezës së rrumbullakët- një emblemë e re shfaqet në rajone të ndryshme të Evropës perëndimore, një emblemë e destinuar të shndërrojë thellë të gjitha praktikat simbolike të shoqërisë mesjetare: stema. Në fakt nga stema dhe kodi që përbën gramatikën e saj- moton- u ngritën zakone figurative, sisteme vlerash dhe ndjeshmëri që shkuan goxha përtej fushës së heraldikës. Nga fillimi i shekullit XII dhe për më shumë se një gjysmë mijëvjeçari të gjithë kodikët pamorë që lidhen me identitetin, me farefisninë, me imazhet apo simbolet duken të ndikuara pak a shumë drejtpërdrejt nga stema. Veç kësaj, ky ndikim është akoma i pranishëm edhe sot: flamuj kombëtarë, emblema ushtarake, uniforma sportive, logo firmash, tabela rrugore dhe sinjale të llojeve të ndryshme janë trashëgimi- direkte apo indirekte- të sistemit heraldik mesjetar. Për sa i përket stemave, ato ekzistojnë akoma: megjithë konkurrencën e shumë formulave të tjera të shfaqura në kohë, kanë kapërcyer shekujt dhe janë përhapur në pesë kontinente.. Veç kësaj, nuk duken të destinuara të zhduken në një të ardhme as të afërt as të largët, madje krejt e kundërta..
Larg të qenit anekdotike apo rrethanore, shfaqja e stemave mbi fushat e betejës dhe në ndeshjet e epokës feudale është një fakt shoqëror me rëndësi të veçantë. Gjithsesi, me gjithë këtë rëndësi, heraldika mbetet një shkencë relativisht e panjohur, qoftë për publikun e madh, qoftë për historianët e profesionit. Arsyet janë të ndryshme, por kryesorja mund të jetë të përcaktuarit në ngatërresën që shpesh është bërë mes përkatësisë së fisnikërisë dhe përshtatjes së një steme. Në fakt, shumë profanë kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë që stemat janë shenja fisnikërie dhe vetëm kush është fisnik mund t’i mbajë. Por kjo është një ide e gabuar. Nga asnjë vend në Evropën qendrore dhe në asnjë moment të histories së saj përdorimi i stemave nuk ka qenë i kufizuar në një klasë të veçantë apo kategori shoqërore. Çdo individ, çdo familje, çdo grup a komunitet ka qenë përherë i lirë, kudo, të përdorë një stemë sipas zgjedhjes së vet dhe ta përdorë sipas dëshirës së vet, me kushtin e vetëm që të mos uzurpojë atë të të tjerëve.
Një tjetër gabim i përhapur gjerësisht sheh tek heraldika një shkencë ekzoterike, që përdor një gjuhë të kodifikuar e misterioze, praktikisht të pamundur për ta kuptuar dhe që mbart kuptime të fshehta. Akoma edhe një herë, asgjë nuk mund të jetë më e largët nga e vërteta. Heraldika nuk është fare një shkencë hermetike; përkundrazi, është një sistem shenjash vendosmërisht i hapur ndaj shoqërisë. Funksioni i saj kryesor është ai i të shprehurit të identitetit të individëve e të familjeve dhe ta bëjë me qartësi. Nuk ka asgjë ekzoterike në formimin e një sistemi apo të gjuhës e motos. Kjo e fundit përbën një gjuhë dokumentare paraqitëse, në gjendje të thotë shumë me pak; përdor një fjalor të vetin dhe një sintaksë të vetën, por që në origjinë, në shekujt XII e XIII, nuk dalloheshin aspak nga gjuha letrare. Veç kësaj, sot, pavarësisht nga vendi i përbashkët, mjaftojnë pak orë për të mësuar termat dhe figurat kryesore të motove dhe për të përshkruar me korrektësi pjesën më të madhe të stemave mesjetare apo moderne.
Në këto fusha- pse mos ta themi?- heraldika ka qenë viktimë e librave të këqinj, që pretendonin të zbulonin “misteret e stemës”, tamam siç ngulmonin të zbulonin misteret e artit romak, të katedraleve, të urdhrave kalorësiakë, të Graal-it, të Katarëve, të Templarëve. Kjo letërsi e hidhur, që është shfaqur në epokën romantike, vazhdon të bëjë dëme, duke arritur nganjëherë një sukses të madh në publik në kurriz të veprave serioze. Autorët e saj kërkojnë në stemat mesjetare shenja të përkatësisë së shoqërive hipotetike sekrete, kalorësiake, templare apo masonike dhe spekullojnë në mënyrë absurde, në mos delirante, mbi simbolizmin e figurave e të ngjyrave. Natyrisht, asnjëri prej tyre nuk i reziston një analize dokumentare, por dëmi është bërë. Është thënë e përsëritur që heraldika mesjetare nuk e njeh ekzoterizmin, kuptimet e fshehta apo lidhjet me të ashtuquajturat forca të errëta apo shoqëri secrete. Kur figurat dhe ngjyrat që përbëjnë stemën kanë një përmasë simbolike, bëhet fjalë për një simbologji të zakonshme, të përditshme dhe të qartë sa për atë që e përdor aq për publikun të cilit i drejtohet.