
Lutfi Brami/
Ndryshe nga botimet e mëparëshme, ku autori ka pasqyruar pjesë nga jeta e tij dhe njerëzve të tij, të shokëve e miqëve ; Këtë radhë ,shkrimtari Vlashi Fili, ngjarjen e ka dëgjuar nga personazhi kryesor. Romani “Histori e vajzës rebele” është një rrëfim tronditës dhe emocional, që përshkon jetën dramatike të një gruaje të re, e cila, ndonëse e lindur në varfëri dhe vuajtje, shfaqet si një figurë e fuqishme, rebele dhe e pashoqe në qëndresën e saj ndaj padrejtësisë. Romani e vendos lexuesin në Shqipërinë e viteve 1930–1940 e më vonë, një periudhë e errët dhe plot trysni, ku rendi patriarkal, dhuna ndaj grave dhe mungesa e drejtësisë ishin plagë të thella të shoqërisë.
Romani ndërtohet mbi një strukturë lineare, por me kthime retrospektive,që pasurojnë zhvillimin emocional të ngjarjes. Fillimi nis me historinë e një vajze të varfër, Nebo dhe përmes kapitujve të shumtë shpaloset një rrugëtim i gjatë jetësor, i mbushur me trauma, dhimbje, por edhe momente shprese. Autori përdor një rrëfim, që i jep lexuesit mundësinë të futet thellë në ndjesitë e personazheve, sidomos të Nebos. Rrëfimi është emocional, por jo melodramatik, dhe arrin të ruajë një ekuilibër mes realitetit brutal dhe ndjeshmërisë njerëzore. Vlen të theksohet mënyra se si autori ngre tensionin psikologjik përmes kontrastit mes anës së jashtme dhe brendësisë së personazheve. Nga njëra anë, kemi një grua të shtypur dhe të traumatizuar nga shoqëria; nga ana tjetër, kemi një shpirt luftarak që nuk dorëzohet as para burgut, as para vdekjes.Nuk po ndalem në përmbajtjen e librit por në analizë të shkurtër të personazheve kryesor.
Personazhet kryesor të romanit
Nebua
Nebua, protagonistja e romanit “ Vajza rebele “, është një figurë e skalitur me finesë psikologjike dhe emocionale nga autori Ajo lind në një familje të varfër, por është e mençur, jetësore dhe me një shpirt rebel. Ishte një vajzë çapkëne, shumë e hedhur,kryeneçe, zevzeke, luante kryesisht me djemtë e fshatit,të cilët shpesh i druheshin. Kur ndonjë bënte hile në lojë gati sa t`i qëllonte , siç ndodhi në një rast.Nuk e duronte padrejtësinë. Ashtu siç shprehej e ëma se ajo ishte nisur për vajzë dhe kishte dalë djalë.Shpesh i fliste ti je pulë dhe nuk bëhesh dot kaposh,Shpesh herë i thoshin se ishte si mace e egër e të vërsulet – thosh Mesuri një fqinj.Martesa e saj me një “djalë të pasur” shënon fillimin e një kalvari torturash ,që kulmon me vrasjen e burrit , një krim i kryer si akt vetëmbrojtjeje ndaj dhunës çnjerëzore që ai ushtronte mbi të.I kishte vrarë dy gratë e mëparëshme.
Figura e Nebos është zemra e romanit. Ajo përfaqëson një grua që e tejkalon kohën dhe kufijtë kulturorë. Nebua nuk është thjeshtë një viktimë ; ajo është simbol i rezistencës dhe i vetëdijes femërore, që përballet me një botë të dhunshme, patriarkale dhe mizore.Ajo kalon nga një vajzë naive, në një grua e martuar me një vrasës serial, në një nënë e dënuar me vdekje, në një e mbijetuar ,që e kërkon djalin e saj për dekada. Ky transformim i thellë është ndërtuar me shumë kujdes dhe përmban një thellësi psikologjike të rrallë në letërsinë shqiptare moderne.
Nebua është një simbol i gruas që nuk dorëzohet përballë mizorisë, një zë i heshtur i mijëra grave, që janë shtypur e injoruar ndër shekuj, por që mbajnë në vetvete forcën për të jetuar, për të luftuar, për të dashur. Kur lexova këtë libër më erdhi ndër mend libri i shkrimtarit Haki Stërmilli “ Sikur të isha djalë “ , që bën fjalë për periudhën e vitit 1936 ,ku personazhi kryesor ,Dija i thotë të dashurit të vet, Shpendit se : Sikur të isha djalë do t`i tregoja botës mashkullore, se dora që përperkund djepin është ajo që rrotullon boshtin e shoqërisë njerëzore “
Pajtimi
Figura e Pajtimit, djalit të lindur në burg, bart një simbolikë të fortë: njeriu që lind në errësirë dhe kërkon dritën. Ai rritet i shkëputur nga e ëma, por tërheqja ndaj rrënjëve është kaq e fortë, sa e bën të ndërmarrë një udhëtim kërkimi shpirtëror. Emri i tij, Pajtim, është një simbol letrar i veçantë: pajtimi mes brezave, mes të kaluarës së dhimbshme dhe të ardhmes me shpresë.
Linja rrëfimore dhe temat kryesore në roman
Autori e ka strukturuar romanin në 93 nën ndarje apo tituj.
Disa nga temat kryesore janë :Dhunimi i gruas dhe drejtësia e munguar. Historia e Nebos hedh dritë mbi dhunën sistematike, që gratë përjetonin, ku drejtësia shpesh ishte në anën e agresorit.
Një nga pjesët më prekëse të romanit është ndarja e detyruar e Nebos nga djali i saj i porsalindur, Pajtim, që simbolizon dhimbjen e përhershme të një nëne, e cila e kërkon birin për dekada të tëra.
Falja mbretërore dhe mundësia e dytë. Pas një kërkese për falje, Nebua i shpëton dënimit me vdekje. Ky akt sjell në skenë shpresën dhe rifillimin, megjithëse plagët nuk mbyllen lehtë.
Mërgimi dhe bashkimi familjar.Pas shumë vitesh, pas rënies së komunizmit, Nebua përfundon në SHBA ku, në një kthesë të vonuar të fatit, i biri e kërkon dhe e gjen. Momenti i ribashkimit është kulmi emocional i romanit, një shkrirje e dhimbjes dhe dashurisë, që s’ka njohur kufij kohe a hapësire.
Gjuha, stili dhe simbolika
Vlashi Fili përdor një stil të thjeshtë, por të fuqishëm dhe emocional. Gjuha është e përshkuar nga një ndjeshmëri e hollë për realitetin e ashpër dhe për botën e brendshme të personazheve. Përdorimi i dialogëve të ngrohtë dhe spontan, sidomos në skenën e fundit mes nënës dhe birit, e bën romanin të prekë zemrën e çdo lexuesi.
Figurat letrare : Krahasimet , epitetet, personifikimet , Pasthirrmat, nofkat, përshkrimet etj. e bëjnë librin më emocional . Të tilla janë : capkëne , fyçkë,, kokë mushkë,, kryeneçe, zevzeke,grifshë me dy koka,trimëreshë , heroine, qullac,fytyrë si fund tigani,nuk ka ngelur laraskë pa bisht,faqja e kodrës si shullëh,… si të kishe vënë saçin,Nuk e mora vesh këtë kërriçin tim, shprehjet : “Po të keqen Nebua”,”Jo të keqen Nebua”,”Ashtu është xhan i Nebos”. “Ke të drejtë shpirti i Nebos” etj“.
Romani është i mbushur me simbolikë të shumëfishtë, që i jep veprës një përmasë më universale:
Kasollja e fëmijërisë është simbol i varfërisë, por edhe i pastërtisë shpirtërore.Shtëpia e burrit të pasur – duket si shpëtim, por shndërrohet në burg. Është simbol i fasadës që fsheh dhunën dhe shtypjen.
Burgu i Gjirokastrës është simbol i izolimit të gruas dhe vuajtjes së saj në një shoqëri që nuk e dëgjon.Lindja e fëmijës në burg është simbol i shpresës që lind edhe në vendin më të errët.
Zëri i nënës në fund të romanit është simbol i identitetit dhe i rikthimit te origjina.Në kujtesë nga romani“Histori e vajzës rebele” mbetet citati në faqen e fundit të romani: “ Qajnë burrat, që dëgjiojnë zërin e nënës, mbas një jete të tërë të humbur”
Vlerat historiko-shoqërore e letrare dhe vendi, që zë në letërsinë shqiptare
Romani është thellësisht i ngulitur në realitetin historik të Shqipërisë së para dhe gjatë diktaturës komuniste, por nuk kufizohet vetëm në të. Ai trajton temat e përjetshme të:
Dhunës sistematike ndaj gruas,shtypjes klasore dhe martesave të imponuara, padrejtësisë ligjore dhe mungesës së zërit të gruas në sistemin gjyqësor, mërgimit dhe çrrënjosjes identitare, kërkimit të përkatësisë në një botë të shpërbërë.
Në këtë mënyrë, romani ndërthur historinë personale të një gruaje me historinë kolektive të një populli, që për dekada ka jetuar nën shtypje e censurë. “Histori e vajzës rebele” hyn në grupin e atyre romaneve që rikthejnë vëmendjen te figura e gruas shqiptare, jo si objekt pasiv i ngjarjeve, por si subjekt aktiv i rezistencës dhe mbijetesës.Në një periudhë kur letërsia shqiptare po përpiqet të çlirohet nga dogmat ideologjike dhe të rifitojë ndjeshmërinë njerëzore, romani i z. Vlashi Fili ,sjell një narrativë ndryshe, të guximshme dhe të nevojshme.
Pse duhet studiuar romani “Histori e vajzës rebele”?
Romani “Histori e vajzës rebele” i Vlashi Filit nuk është thjesht një histori personale e një gruaje të shtypur — është një pasqyrë e thellë e realitetit shoqëror shqiptar, ku dhuna, varfëria, padrejtësia dhe mungesa e zërit të gruas kanë qenë plagë të pashëruara për dekada.
“Histori e vajzës rebele” është më shumë se një rrëfim tronditës – është një dëshmi njerëzore dhe shoqërore. Ky roman duhet studiuar sepse na kujton se pas çdo gruaje të heshtur ka një histori të pathënë, një vuajtje të padukshme dhe një forcë të jashtëzakonshme. Nëpërmjet figurës së Nebos, autori na fton të reflektojmë mbi të kaluarën, të kuptojmë të tashmen dhe të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë për çdo zë të shtypur.
Romani mbart një mesazh të fuqishëm: asnjë grua nuk duhet të mbetet e heshtur përballë dhunës. Edhe në një shoqëri konservatore dhe të padrejtë, zëri i gruas mund të bëhet burim ndryshimi. Për më tepër, historia e Nebos është universale,një histori që flet për nënat që humbin fëmijët, për fëmijët që kërkojnë rrënjët, për vuajtjen, durimin dhe dashurinë që triumfon.
Me një rrëfim të sinqertë, personazhe të paharrueshëm dhe një dramë njerëzore që prek thellë, “Histori e vajzës rebele” është një vepër që meriton të lexohet jo vetëm për vlerën letrare, por edhe për ndikimin që mund të ketë në ndërgjegjësimin shoqëror.
Romani është një homazh për të gjitha gratë, që kanë vuajtur në heshtje, por që brenda tyre kanë mbajtur një fuqi të pashoqe për të dashur, për të falur dhe për të jetuar.
“Histori e vajzës rebele” nuk është vetëm një rrëfim letrar, por një dëshmi sociale dhe emocionale. Me këtë roman, Vlashi Fili i jep zë një brezi grash të heshtura që kanë përballuar dhunën, izolimin dhe padrejtësinë me guxim dhe dashuri të pashtershme.
Ky roman është një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim, një rrëfim që mbetet gjatë në mendje e zemër.Ai duhet studiuar sepse:
Ngre zërin për të heshturit, në veçanti për gratë shqiptare, që kanë jetuar në hije, por kanë mbijetuar me dinjitet dhe forcë. Ai ofron një perspektivë të rrallë letrare dhe shoqërore mbi gjendjen e gruas në kontekstin historik të Shqipërisë para dhe gjatë regjimit komunist.
Përçon vlera njerëzore universale si: dashuria e nënës, qëndresa, shpresa dhe kërkimi i identitetit.
Nxit reflektim mbi trashëgiminë emocionale dhe kulturore dhe mbi mënyrën se si trauma kalon nga brezi në brez.Është një tekst i pasur për analizë letrare, me simbolika të forta, ndërtim të thelluar të personazheve dhe teknikë rrëfimi që përzien tragjedinë personale me realitetin kolektiv.
Në një kohë kur letërsia ka nevojë të rikthejë ndërgjegjësimin shoqëror, “Histori e vajzës rebele” është më shumë se një roman, është një thirrje për kujtesë, drejtësi dhe përballje me të shkuarën.
Po e shoqëroj këtë shkrim me një poezi timen të frymëzuar nga ky roman :
“Zëri i heshtur”
(Frymëzuar nga romani “Histori e vajzës rebele”të shkrimtarit Vlashi Fili)
Në kasollen ku shiu flet me çatinë,
lindi një vajzë me sy si zjarri.
E varfër si fjala ,që s’thuhet dot,
Me shpirt që s`ka frikë nga burgu e litari
E shitën për bukë në një shtëpi të huaj,
ku e pasura fshihte një burrë që vret.
Ajo s’kishte zë, por kishte duar,
dhe kur dhuna erdhi,ajo krijoi tërmet,
Në burg, nën gurë, lindi jetë e re,
një fëmijë mes dhimbjes, i quajtur Pajtim.
Në të errëtën, ajo prapë ëndërronte,
një ditë ta shihte, ta thërriste: “bir im!”
Vitet shkuan si hije pa emër,
ajo kërkoi … ai nuk e dinte.
Por zemra e nënës nuk harron kurrë,
as kur mbi të mot e harresë të binte
Dhe kur në fund, zëri i saj u dëgjua,
biri i tha: “Po qajnë burrat, nënë…”
Sepse ka zemra që digjen ngadalë,
nga mungesa e një përqafimi të padhënë.