Nga EUGJEN MERLIKA/
Debati i ditëve të fundit tek Bota Shqiptare, në sajë të prirjes së dukshme të studjuesit Ardian Vehbiu për të trazuar ujrat e ndenjura të mendimit shumëplanësh shqiptar, sjell para opinionit këndvështrime interesante e të hapura për t’u tfilluar jo vetëm në rrahje mendimesh por dhe në kujtesën historike e ndërgjegjen e shqiptarëve.
Në përgjigjen “Arsyeja historike”, studjuesi në fjalë shtron disa pyetje të karakterit historik e mundohet t’u japë shpjegime mjaft dukurive që kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve të qindvjetës së shkuar jo vetëm në fushat politike e shoqërore. I nisur në kuadrin e mendimrrahjes mjaft të shtrirë në shtypin e shkruar e jo vetëm në të, në lidhje me gjuhën standarte dhe problemet e saj të së shkuarës, së sotmes e së ardhmes, objekti i diskutimit zhvendoset në një plan tjetër dhe rrok një sferë të gjërë të jetës politike, kulturore, shoqërore e institucionale të Kombit shqiptar në shekullin që lamë pas, me ngjarjet e tij të dëndura e të një peshe të pazakontë.
Z. Vehbiu, në qendër të idesë që shtjellon në shkrimin e tij, vë ndryshimet ndërmjet Gegërisë e Toskërisë në një vështrim shumëplanësh që i lejon atij të arrijë në një përfundim, që le shteg për diskutime të thella e të hapura. Ai është i kënaqur, me të drejtë, që temat dhe konceptet që shtron krijojnë terren për diskutime. Këto, në kornizën e debatit të qytetëruar në formë e të argumentuar në kërkim të së vërtetës në përmbajtje, nuk mund veçse t’i sjellin dobi jetës intelektuale të shqiptarëve në atdhe e jashtë tij.
Një kundërvënie toskë-gegë në planin shoqëror e kulturor të jetës së shqiptarëve, si një mjet për të shpjeguar dukuri të përmasave të mëdha të rrjedhës së saj, nuk më duket aspak bindës e ndoshta as edhe shumë i përshtatëshëm për interesat e Shqipërisë. Por, pavarësisht nga kjo konsideratë, duke dalë jashtë skemave të njohura e të trashëguara të dogmave të “unitetit” të shqiptarëve dhe interesave kombëtare të tyre, nëse dukuria ka një themel në të vërtetën e mira është që të dalë në logun e bisedave.
Mendoj se ka ardhur koha që historia tek ne të fillojë udhën e gjetjes së tempullit të saj si shkencë, pa u kushtëzuar nga politika dhe interesat e saj, pa u paragjykuar nga konsiderata ideologjike të rrënjosura në kohë të ndryshme që përcaktonin vlerësime të parafabrikuara, të kthyera në dogma. Shkenca e historisë duhet të njohë vetëm një kriter, atë të së vërtetës objektive. Në këtë këndvështrim, çdo lloj rrahje mendimi që kryhet mbi dukuritë dhe ngjarjet e saj të mëdha e të vogla, është e pranueshme, madje e kërkuar. Duke u nisur nga këto kritere a ka qënë i pranishëm një hendek në Shqipëri mes Veriut e Jugut të saj e deri në ç’masë ndryshimi ka ndikuar në ngjarjet madhore dhe fatet e Kombit?
Z. Vehbiu në arsyetimin e tij arrin në një pohim origjinal, për mua të padëgjuar:
“…në kuadrin e këtij debati vetë regjimi i Hoxhës duhet konsideruar si produkt i zhvillimeve sociale në Shqipëri të nisura që me Naum Veqilharxhin, Lidhjen e Prizrenit dhe Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, në 1912…”. Para këtij pohimi ai shtron disa pyetje që janë të prirura të shkaktojnë diskutime edhe të forta n’opinionin publik shqiptar: “….Pse komunizmi dhe në përgjithësi antifashizmi i patën rrënjët kryesisht në Toskëri e ndër toskë, në një kohë që gegët gjatë Luftës së Dytë mbetën në pozicione më prudente, për të mos thënë pasive e pa folur për ato raste kur bashkëpunuan hapur me palët humbëse ( italianët dhe gjermanët)?Pse edhe gjatë kohës së mbretërisë ishte elementi tosk që tregoi gjallëri më të madhe në kulturë- po të shihet numri i faqeve të librave dhe të gazetave të botuara- dhe në ekonomi? Pse Rilindja Kombëtare, që politikisht dhe ushtarakisht dukej e rrënjosur mirë në Gegëri, përfundoi kulturorisht në duar të Toskëve?…”
Më duket se pyetjet meritojnë vëmëndje e vlejnë të shtjellohen gjërësisht. Sigurisht, siç thotë edhe autori, këto presin një debat në nivel akademik. Por, në pritje të tij, që po le shumë për të dëshëruar, mbasi ende nuk duket në horizont objektiviteti shkencor, mendoj se biseda mund të zhvillohet lirshëm edhe në nivele më të ulta.
Ndërtesa e arsyetimit të autorit mbështetet mbi një themel, që për të është i fortë e i qëndrueshëm, mbi “epërsinë” kulturore e sociale të një të tretës së shqiptarëve, banorë të Jugut të Vendit, të quajtur toskë, mbi dy të tretat që gjenden në veri të Shkumbinit e që njihen me emrin gegë. Themeli i tij është mjaft i diskutueshëm e, për pasojë, edhe kulla e arsyetimit që ngrihet mbi të është mjaft e luhatëshme.
Pa vënë në dyshim veçori të ndryshme, rrjedhojë e proçesit gjeohistorik të ecjes në shekuj, nuk më duket shumë e saktë ideja e “epërsisë” së madhe të Jugut ndaj Veriut. Nëse si njësi matëse merret zhvillimi i pakët i disa krahinave malësore të tilla gjënden në Veri po ashtu si në Jugë. Nëse njësi matëse është zhvillimi social e kulturor i qyteteve, gjatë gjithë rrjedhës së historisë deri në ditët e sotme, jam i bindur se, edhe në këtë drejtim, gjëndja është e barazpeshuar. Në do të gjykojmë për përfaqësuesit e elitës kulturore të Kombit, fatmirësisht ata kanë dalë nga të gjitha trevat shqiptare dhe një numurim i thjeshtë matematik nuk është tregues epërsie i një pale apo i një tjetre. Ndoshta, në nivel mase, Jugu i prirur më shumë për mërgimin e, për pasojë, i ballafaquar më shumë me botën e huaj, ka fituar më shpejt disa shprehi të qytetërimit; por që këtu të flitet për një epërsi që arrin të përcaktojë dukuri historike me përmasa të mëdha, më duket diçka e nxituar.
Fatmirësisht kundërvënia Jugë-Veri nuk ka patur kurrë përmasa dramatike në historinë shqiptare. Kanë ekzistuar rivalitetet e zakonëshme, në nivel prijësash por, në çastet vendimtare të jetës së Kombit, pesha e tyre nuk ka arritur të përcaktojë ngjarjet e vendimarrjet. Është e vërtetë se na ndjek prej shumë qindvjetësh mallkimi i paaftësisë për t’u organizuar në bashkësi të qëndrueshme me rregullat e Shtetit, por kjo i detyrohet natyrës sonë krenare deri në arrogancë e të prirur më shumë për të urdhëruar e sunduar se sa për t’u bindur e për të dëgjuar arsyet e të tjerëve.
Ngjarjet madhore të historisë sonë që nga Lidhja e Prizrenit deri në Shpalljen e Pavarësisë janë zhvilluar kryesisht në Veri, por janë farkëtuar në kudhrën e inteligjencës mbarëkombëtare e kanë patur ndihmesën e përfaqësuesve më në zë të saj. Madje dhe Qeveritë e Shtetit shqiptar të pavarur, duke filluar nga e para, e kryesuar nga Ismail Qemali, kanë patur si kriter themelor e të dorës së parë barazpeshën mes krahinave e besimeve të ndryshme. Ky ishte tregues urtije i asaj klase drejtuese, por edhe dëshmi e faktit se nuk kishte një krahinë apo një trevë që të kishte epërsinë mbi të tjerat e, për pasojë, të drejtën e udhëheqjes së padiskutueshme.
U ndryshuan stili e kriteret e drejtimit të Vendit kur në fuqi erdhën komunistët që, të paisur me armën famëkeqe të “luftës së klasave”, shkatërruan nga themelet kodin etiko-politik të deriatëhershëm, duke bërë dhunën të vetmin motor lëvizës të jetës së Vendit. Komunistët në Shqipëri nuk erdhën në pushtet si pasojë e një evolucioni të “ zhvillimeve sociale” të një qindvjetori që sillte si “domosdoshmëri” sprovën marksiste-leniniste në brigjet e Adriatikut. Komunizmin e solli lufta e dytë botërore, kompromiset e fituesve të saj mbi fatet e popujve, por edhe papërgjegjshmëria e miopia politike e pjesës më të madhe të politikanëve shqiptarë që, në rrethanat e krijuara, nuk patën aftësinë të shmangnin katastrofën e pritme.
Evolucioni i shqiptarëve në dy qindvjetat e fundit pati si bosht drejtues vetëm idenë kombëtare. U luftua nga njerëzit e ditur në Veri e në Jugë me të gjitha mundësitë për të formuar ndërgjegjen kombëtare, aq shumë të domosdoshme n’atë kohë ballafaqimesh të kombeve e aq shumë të drobitur nga katër shekuj pushtimi osman e mungese të shkrimit e shkollave shqipe. Mbas fitores së Pavarësisë të tjera probleme të krijimit e të forcimit të Shtetit e të ndërgjegjes qytetare, së bashku me zhvillimin ekonomik e kulturor të Vendit, ishin përparësitë e shoqërisë shqiptare. Me Mbretin Zog Shqipëria filloi ecjen e ngadaltë por të sigurtë drejt një shoqërie të qytetëruar dhe, në atë kohë nuk kishte një mbizotërim të toskëve ndaj gegëve e anasjelltas. Sikur të mos kishte qënë pushtimi italian e lufta e dytë botërore komunistët në Shqipëri nuk do të kishin qënë në gjëndje as të krijonin një parti që të merrte pjesë në lojën demokratike, jo më të fitonin qeverisien e Vendit.
Mendoj se pohimi i z. Vehbiu, i cituar më sipër, nuk më duket i bazuar. Po ashtu sikurse edhe pyetjet që ai shtron nisen nga premisa jo të sakta e përmbajnë në vetvete kundërshti të dukshme.
Nëse komunizmi, duke gjykuar nga përvoja e sendërtimit të tij gjysëm shekullor, ishte rreziku më i madh që i kanosej Shqipërisë në atë kohë, përkrahja e tij a duhet quajtur një tregues urtije, zhvillimi e largpamësie politike? Është e vërtetë se një pjesë e Toskërisë u tregua më e gatshme të përqafonte idetë e mbjella nga Miladini dhe Enver Hoxha, po ashtu sikurse popullsia e Veriut dhe Kosovës, për arsye që dihen, nuk i pranoi me dëshirë ato në pjesën e saj më të madhe. Nëse do të bëhej fjalë për “epërsi”, në kuptimin e plotë të fjalës, në këtë rast ajo është në anën e atyre që nuk i besuan sirenave të komunizmit, që ditën të dallojnë në atë kohë të turbullt cili ishte interesi i vërtetë i shqiptarëve, që ditën të ndajnë grurin e antifashizmit nga egjra komuniste, që iu kundërvunë me të gjitha mjetet “murtajës së kuqe”, edhe nëse dolën të mundur nga beteja e tyre.Të tillë pati në të gjithë Shqipërinë e z. Vehbiu është i pasaktë kur i atribuon luftën civile vetëm “arealit tosk”. Ndoshta ai nuk e din se rezistenca antikomuniste me armë, në malet e Shqipërisë së Veriut u zgjat edhe disa vite mbasi ishte instaluar në Tiranë “guberna” e Enver Hoxhës. Ai kundërshton veten kur pohon se “elitat katolike gege…nuk arritën dot të pikasin natyrën e vërtetë të dinamizmit tosk në ekonomi, në kulturë dhe në politikë, njëlloj sikurse nuk mundën të kuptonin shkallën e rrezikut komunist për një vend si Shqipëria” .
Ngushtimi i termit Gegë vetëm në Shkodër dhe në sferën katolike, megjithëse pjesa më përfaqësuese e elitave veriore, nuk e jep të plotë kuadrin, për të cilin flitet, përgjithësimi i dukurive në stil bardh e zi i heq objektivitetin gjykimit. Nga një anë pretendohet se “..gegët gjatë Luftës së Dytë mbetën në pozicione më prudente, për të mos thënë pasive e pa folur për ato raste kur bashkëpunuan hapur me palët humbëse (italianët dhe gjermanët)”, ndërsa nga ana tjetër pohohet se “nuk mundën të kuptonin shkallën e rrezikut komunist për një vend si Shqipëria.” Nëse një pjesë e klasës politike, kryesisht gege por edhe toske në përqindje më të vogël, nuk iu bashkua luftës me armë kundër pushtuesve por bëri me ta marrëveshje në dobi të Vendit, pati vetëm një arsye madhore. Ajo ishte përpjekja për të shmangur rrezikun që Shqipëria të bëhej pre e sllavo-komunizmit. Pikërisht sepse e kishin kuptuar se çfarë i kanosej shqiptarëve, nëse Vendi i tyre do të bëhej pjesë e Perandorisë së Kremlinit, në kushtet e pushtimit të huaj dhe të luftës që kishte përfshirë gjithë kontinentin, pushtim dhe luftë që nuk i deshi asnjë shqiptar, ata pranuan bashkëpunimin me dhimbje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Në atë strategji hynte ruajtja e Vendit nga shkatërrimi dhe sigurimi i tërësisë tokësore të shqiptarëve të vetadministruar, një projekt që kishte mbetur një ëndërr që nga 1913 e që ende sot vazhdon të quhet një “mëkat” i madh” e një “rrezik” nga Evropa demokratike.
Qëndrimi i “mefshtë”, për të cilin pa të drejtë akuzohen gegët, ishte antikomunizmi i tyre. Nëse komunizmi i solli Shqipërisë lirinë, mirëqënien dhe përparimin, ata që luftuan atë duhet të vihen edhe post mortem në bangën e t’akuzuarve nga historia, ashtu siç u vunë në gjyqet dhe institucionet e terrorit të Shtetit të Enver Hoxhës. Në të kundërt ata meritojnë piedistalin, edhe nëse historiografia evropiane ende sot nguron t’u njohë meritat. Historiografia shqiptare, në analizën e saj të ftohtë të së shkuarës së Vendit të saj, duhet të mbajë parasysh të veçantën që e karakterizonte, specifikën e kuadrit gjeografik e historik që kishte përcaktuar, në mijëvjeçarin e fundit, rrjedhën e ngjarjeve. Një analizë shabllone, e bazuar në kritere të përgjithëshme e në tabu të së shkuarës, tashmë të diskredituara plotësisht, nuk mund të japë ndihmesën e saj në zbulimin dhe interpretimin e të vërtetave historike, do të thotë të vazhdojmë të ecim nëpër mjegull, pa sqaruar idetë, pa nxjerrë mësimet e duhura nga e shkuara jonë e dhimbshme.