Brisejda LALA/
Vendosja e regjimit diktatorial në Shqipëri u shoqërua me dhunë dhe represion jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe familjarëve të tyre. Të shpreheshe kundër regjimit, të largoheshe nga vendi, të ishe i pasur ose relativisht i pasur kategorizoheshe automatikisht në kundërshtar të regjimit. Familjarët e emigrantëve politikë u arrestuan dhe u internuan në kampet më famëkeqe të ngritura nga komunizmi duke u privuar çdo lloj komunikimi me të afërmit e tyre. Çështja që ngrihet për diskutim lidhet me represionin ndaj familjarëve të kundërshtarëve politik dhe sa legjitim ishte persekutimi i tyre. Gjatë përpjekjeve për të anatemuar çdo gjë që lidhej me të kaluarën, regjimi injoroi të gjitha ligjet dhe marrëveshjet që kishin ekzistuar gjatë monarkisë. Kjo la një vakum ligjor i cili domosdoshmërisht duhej mbuluar me legjislacion të ri, gjë që regjimi komunist nuk e realizoi gjithmonë në kohë dhe me efikasitet.
Studimi “Historia e internimit në Shqipëri 1944-1990”, ka për qëllim të hedhë dritë në një pjesë të rëndësishme dhe të pastudiuar të historisë së vendit. Edhe pse kjo temë ka zgjuar interesin e historianëve, nuk janë bërë më parë studime specifike që lidhen me familjet e internuara gjatë diktaturës. Bazuar në dokumentet arkivore shqiptare por edhe historitë e transmetuara nga dëshmitarë të kohës, janë analizuar faktet historike mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative gjatë regjimit komunist.
Përveç bazës ligjore mbi internimin një rëndësi të veçantë në këtë studim është analiza e kushteve në të cilat kanë jetuar familjet e internuara gjatë periudhës së internimit. Në këtë kuadër vlen të përmendet që kushtet jetësore, mjekësore dhe higjenike linin shumë për të dëshiruar. Për të bërë një sintezë më të saktë të ndodhive nuk bazohemi vetëm në historitë gojore por edhe në dokumentet arkivore të kohës, të cilat hedhin dritë mbi disa aspekte të veçanta të procesit të internimit. Për të bërë një panoramë sa më të plotë të temës, krahas vështirësive të shumta mbi analizën e represiont komunist dhe sistemit të internimit është bërë edhe një përmbledhje mbi hipotezat e parashtruara duke i parë ngjarjet në kontekstin e kohës.
Ky studim synon të analizojë, argumentojë dhe konkludojё mbi disa hipoteza të rëndësishme të regjimit komunist në raport me të drejtat e të dënuarve me masën e internimit dhe persekutimin e tyre, duke i dhënë përgjigje pyetjeve: Sa e ligjshme ishte që këto persona të internoheshin në kampe të rrethuar me tela me gjemba apo vende internimi? Cilat ishin të drejtat dhe kushtet jetësore që gëzonin familjet e internuara në Shqipëri në raport me vendet e tjera dhe atyre që nuk e kishin këtë status? Çfarë statistikash mund të sjellim lidhur me represionin komunist ndaj të internuarve në periudhën 45- vjeçare të qeverisjes së tyre. Në këtë punim jam munduar që të paraqes në mënyrë të detajuar dhe të plotë, me aq sa lejojnë burimet që disponojmë mbi këtë temë, jetën e famileve të internuara në përditshmëri dhe vështirësitë e tyre gjatë komunizmit. Pasqyrohen në këtë studim një numër i madh dokumentash mbi ligjshmërinë e procesit të internimit, kushtet e jetesës në kampe dhe vende internimi, shkeljen e të drejtave të individit etj.
Vështirësitë kryesore që kam hasur gjatë hulumtimit dhe ngritjes së narrativës historike kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e dokumenteve arkivore për këtë temë. Dokumentacioni arkivor në dispozicion të studiuesve është i cunguar dhe burokracitë e shumta në aksesin e dokumentacionit e kanë bërë akoma më të vështirë këtë hulumtim.
Informacioni në dokumentacionin vendas, sidomos për kampet e internimit mungon ose nuk është lehtësisht i aksesueshëm ndaj më është dashur të referohem tek burime të arkivave të huaj ose në dëshmitë e ish të internuarve. Këto burime ndonëse të vyera krijojnë vështirësi analitike kryesisht përsa i përket relativitetit të historisë së rrëfyer. Burimet bibliografike gjithashtu nuk janë të shumta dhe mungojnë studimet e thelluara historike mbi këtë temë.
Grumbullimi i dokumenteve arkivore si edhe procesi i seleksionimit të materialeve burimore ka qenë i vështirë për shkak të mungesës së burimeve arkivore të deklasifikuara lidhur me këtë çështje. Arkivat nuk ofrojnë një material burimor të pasur, konkret mbi internimin dhe kampet me tela me gjemba. Megjithatë për të pasur një bazë të gjerë burimesh primare jam konsultuar me dokumentacionin e Arkivit Qendror të Shtetit. Arkivi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme vë në dispozicion materiale dokumentare kryesisht qëndrimit të organizatave ndërkombëtare lidhur me shkeljen e të drejtave të individit në vendin tonë, që përbëjnë një vlerë të shtuar në këtë studim. Raportet dokumentare te CIA-s dhe Departamentit Amerikan të Shtetit mbi gjendjen në Shqipëri kanë një rëndësi të veçantë në këtë studim.
Pjesën më të madhe të informacionit CIA e merrte nga emigrantët politikë, të cilët referonin shifra jo gjithmonë të sakta por furnizonin me një informacion shumë të rëndësishmë mbi kushtet e jetesës, mungesën e ushqimit dhe cënimin e të drejtave në vend. Ky infiormacion i detajuar përbën sot një burim të rëndësishëm në studimin historik të sistemit të kampeve të internimit të ngritura në Shqipëri. Gjithashtu kam shfrytëzuar një numër të madh dosjesh që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Brendshme si edhe te Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), kryesisht referuar shifrave dhe vendimeve të dhëna për internimin dhe dëbimin si masa administrative.
Për të analizuar më qartë sistemin e internimit dhe krijimin e kampeve të internimit në vend më kanë ardhur në ndihmë botimet dokumentare të botuara më parë. Një zë të rëndësishëm në këtë studim kanë dëshmitë e ish të internuarve, të cilët ndajnë me ne përvojat e tyre nëpërmjet intervistave. Përgjatë viteve ISKK i ka kthyer këto intervista në disa vëllime me botime memuaristike nën titullin “Zërat e Kujtesës”.
Metodologjia e përdorur në këtë punim është ajo klasike që ndërtohet dhe shtrohet mbi analizën e internimit fenomenit historik duke përgjithësuar dhe trajtuar çdo rast si unik por edhe si pjesë e një strukture të tërë shtetërore që funksiononte mbi bazën ideologjike të luftës së klasave.
Në punim nuk mungojnë vështrime krahasuese të fakteve, sjellë nga dëshmitarët me qëllim që të evidentohet më së miri e vërteta historike bazuar mbi materialet që disponojmë.
I gjithë punimi është ndërtuar në rend kronologjik, i ndarë në kapituj, ku secili prej tyre trajton çështje të caktuara. Përmbajtja e studimit fillon me listën e shkurtimeve, parathënien, hyrjen ku bëhet një historik i fenomenit historik dhe shpjegim i termit internim dhe dëbim. Studimi ndahet në tre kapituj ku secili prej tyre trajton çështje të caktuara. Kapitulli i parë, me titull: “Një histori e shkurtër e ligjit të internimit” trajton historikun e insticionit të internim- dëbimit në nivel krahasues me periudhat e mëparshme, duke specifikuar aspekte ligjore dhe problemeve që buronin nga aplikimi i ligjeve për këto masa administrative.
Kapitulli i dytë fokusohet në klasifikimin e kampeve të punës dhe të internimit duke bërë një kategorizim të tyre referuar edhe shembujve të marrë nga vendet e tjera. Në këtë kapitull një vend të veçantë zënë aspekte të jetesës në kampe me tela me gjemba si edhe në fshatra internimi, ku burimet arkivore hedhin dritë mbi problemet kryesore që hasnin në përditshmëri të internuarit.
Në kapitullin e tretë bëhen analiza statistikore referuar të dhënave që sjellin arkivat e kohës lidhur me këtë fenomen. Studimi mbyllet me konkluzionet dhe bibliografinë e shfrytëzuar për këtë punim. Shtojca e përfshirë në këtë studim synon të japë një pasqyrë më të qartë të kampeve të internimit të ngritura në vend.
Përpjekjet për të hedhur dritë mbi historinë e internimit dhe dëbimit në Shqipërinë komuniste janë për tu vlerësuar dhe mendoj që ky studim do të jetë i rëndësishëm në këtë kontekst. Përmes këtij studimi synoj të vë në pah mbi disa çështje që nuk janë trajtuar sa duhet në të kaluarën duke sjellë fakte të reja që pasurojnë tablonë mbi represionin komunist. Ky studim është produkt i bashkëpunimit që kam patur me punonjësit e ISKK, të cilët kam kënaqësinë t’i falenderoj. Një falenderim i veçantë i dedikohet ish-drejtoreshës së Studimeve pranë ISKK-së, Znj. Luljeta Lleshanaku, pa këmbënguljen dhe kontributin e së cilës ky studim nuk do të mund të vinte në këtë formë sot. Gjithashtu i detyrohem mirënjohjen të thellë të gjithë ish të internuarve të cilët ndajnë me stafin e ISKK përvojën e tyre duke dhënë një kontribut të madh për të ardhmen dhe brezat që vijnë.