
Dr. Naim Musliu/
Monografia “Historia e Jezuitëve në Shqipëri (1841 – 1946)”, e autores Dr. Ines Murzaku, është një studim me rëndësi në historiaografinë shqiptare, në të cilën, pasqyrohet një veprimtari e ngjeshur të komunitetit katolik në Shqipëri dhe sidomos të Jezuitëve që dhanë kontribut përveç në besim edhe në ngritjen e kulturës dhe arsimit në Shqipëri. Këtë monografi autorja e ka paraparë të paraqes në këtë renditje si: përmbajtja, lista e shkurtimeve, emrat gjeografik, disa mendime rreth librit, parathënia, dy fjalë për përthimin në shqip, hyrja, dhe nëntë kapituj, kurse në kapitujt pesë dhe gjashtë, autoria i ka kushtuar vemendje ndërhyrjes së pushtetit komunist në shuarjen e veprimtarisë, jo vetëm fetare por edhe asaj shoqërore e arsimore të shoqatave që udhëhiqeshin nga Kisha dhe shoqatat katolike, duke bërë përpjekje që Shqipërinë ta kthenin në një shtet ateist.
Autorja për veprimet e rënda që ndërmerrte pushteti komunist shqiptar ndaj Kishës Katolike dhe besimtarëve të saj, në këtë rast Jezuitëve, ndër të tjerash theksonte se gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët i premtuan popullit se do ta respektonin lirinë e besimit, klerin, familjen dhe kombin. Por, me të marrë pushtetin pas luftës, nëntor 1944, komunistet ndryshuan çasje ndaj premtimeve të tyre dhe filluan zbatimin e planit të tyre, për krijimin e një Shqipërie ateiste, duke eliminuar veprimtarinë e çdo feje në Shqipëri, në këtë rast edhe asaj katolike, që u bë shqetësuese për popullin shqiptar. Kështu, pushteti diktatorial komunist i udhëhequr nga Enver Hoxha, që në vitin 1944, ndërmori masa për mbylljen e shtypshkronjës Jezuite, Françeskane dhe atë Skënderbeu, duke i kërcnuar se do ti mbyllin gjitha shoqatat katolike. Pra faza e parë e fushatës antifetare e pushtetit komunist u zhvillua gjatë viteve 1945-1948. Kështu, veprimtaria e institucioneve Jezuite në veçanti dhe Kishës Katolike në përgjithësi, u vua në rrezikë të madh nga pushteti komunist.
Pas kësaj, filloi edhe fushata e arrestimeve të shqiptarëve katolik dhe jo vetëm, por edhe konfiskimin e pasurive të tyre. Kështu, pushteti komunist mbylli kopshtin e Motrave Stigmatike në Korçë, poashtu, në Gjirokatër ua mbylli shkollat dhe kopshtet, kurse në Vlorë e Fier u dënua çdo veprimtari fetare në shkollë dhe kisha. Në Berat u mbyll shkolla dhe u dëbuan nga aty misionarët katolikë dhe gjithashtu në Tiranë u pezullua i gjithë veprimtaria e misionarëve katolik.
Për dallim nga pjesët tjera të Shqipërisë, dhuna dhe terrori komunist ishte më i theksuar në Shkodër. Kështu, në Shkodër pushteti komunist përdori edhe armët për të mbyllur dhe shkatërruar institucionet e konfecionit katolik. Ky sulm i armatosur u zhvillua në Seminarin Papnor Shqiptar dhe në Shtëpinë e Jezuitëve në Shkodër. Gjishashtu, pushteti komunist shkatërroi bibliotekën dhe muzeun e Jezuitëve, u shkatërruan objeketet arkeologjike të Kolegjit Saverian etj.
Kolegji Saverian, i cili u bë një nga tempulljt kryesor të edukimit në Shqipëri, duke iu përshtatur nevojave të kombit shqiptar. Ku ngga ky tempull i dijes në Shqipëri dolën shumë figura të shquara, politike, kulturore e fetare si Filip Shiroka, Mati Logoreci, Lugj Gurakuqi, Faik Konica, Gasper Gurakuqi, Lazër Shantoja etj. nuk i shpëtoi mbyllës nga pushteti komunist.
Vetëm, Seminari Jezuit ishte bastisur 17 herë dhe vetëm në herën e fundit, morën pjesë 700 partizanë të armatosur duke bastisur për 6 orë. Kurse, shypi ditor që kontrollohej nga sistemi komunist, Jezuitët dhe veprimtarin e tyre, i quante si e keqja e Shqipërisë.
Pusteti komunist i shpallte si të pa dëshiruar përfaqësuesit kishtar katolikë. Kështu, delegati apastolik Giovanni Battista Nigris, u detyrua të largohet në Itali. Kurse, më 21 qershor 1945, Giacomo Gardini së bashku me studentin Gjergj Vata, u arrestuan me arsyetimin se penguan revolucionin dhe nuk lejuan hyrjen e komunistëve në radhët e organizatave katolike. Në mesin e të arrestuarve nga pushteti kominist ishin edhe Anton Harapin, Ndre Zadeja dhe Lazër Shantoja, të cilin këtë të fundit e pushkatuan më 19 shkurt 1945.
Në anën tjetër autorja përshkruan edhe fabrikimet e akuzave që bëntë pushteti komunist në gjyqe, vetëm që t’i dënonin. Kështu, ajo përshkruante se si u akuzuan Giovanni Fausti dhe Daniel Dajani, se themeluan organizatën “Bashkimi kombëtar” për organizimin e një kryengritjeje kundër pushtetit komunist dhe për spiunim për ango-amerikanët për të sulmuar Shqipërinë nga ajri.
Pas ekzekutimit të shumë prijësve fetar katolik e udhëhës të shoqatave katolike, qeveria vendosi t’i mbyllte të gjitha shoqatat e Jezuitëve në Tiranë, Shkodër etj. Gjithashtu, pushteti shpërndau përfundimisht Shoqërinë Jezuite dhe largoi Jezuit nga Kuvendi dhe Famullia duke iu konfiskuar gjithçka duke përfshirë edhe gjerat personale. Komunistët përmes Durrësit i larguan nga Shqipëria tërë personelin fetar katolik që nuk ishin shqiptar me pretekstin se ndihmuan pushtuesin Italian gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Marrë në tërësi, monografia “Historia e Jezuitëve në Shqipëri 1841-1946” e autores Dr. Ines Murzaku, do të jetë një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare në ndriçimin të mëtejshëm të kontributit të madh të Jezuitëve që kanë dhënë ndër shekuj në forcimin e besimit dhe ngritjen e kulturës dhe arsimit në Shqipëri.