Prof. ass. Dr. Haxhi Ademi
Departamenti i Historisë Bashkëkohore
Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë/
Më 28 nëntor 1912, shqiptarët shpallën pavarësinë e katër vilajeteve shqiptare. Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu Shqipërinë si shtet të pavarur nga Perandoria Osmane, por me kufij të cunguar. Kosova, viset shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, dhe krahina e Çamërisë në Greqi mbetën jashtë Shqipërisë dhe u pushtuan nga serbët, malazezët dhe grekët. Si rezultat, rreth 55% e tokave etnike dhe historike shqiptare iu dhanë shteteve të tjera ballkanike. Po ashtu, rreth 60% e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar. Këto zhvillime krijuan një situatë të vështirë për shqiptarët, të cilët u ndanë në disa shtete të ndryshme, ndërkohë që Shqipëria e re kishte përballë sfidën e konsolidimit dhe zhvillimit brenda kufijve të saj të cunguar.
Territoret shqiptare kishin një pozitë tejet favorizuese, siç shprehej shkrimtari i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri: “Zoti u kishte dhënë shqiptarëve fushën pjellore (Kosovën dhe Fushën e Pollogut) që të ushqeheshin me bollëk, detin e gjerë që mund t’i lidhte me botën, nga ku mund t’ju vinin miq dhe pasuri, dhe bjeshkët e malet ku mund të rrisnin bagëtinë”. Mirëpo, fatkeqësisht, këto favorizime natyrore nuk mundën t’i gëzonin. Fushat pjellore që shtriheshin në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, iu dhanë fqinjëve sllavë. Deti më tepër i shërbeu ushtrive pushtuese greke dhe italiane për të depërtuar në Shqipëri. Jo rrallë, deti u shërbeu shqiptarëve për të braktisur shtëpitë e tyre dhe për të ikur në vende të tjera, qoftë për shkak të pushtuesve apo për shkak të kushteve të rënda si rezultat i sundimeve të huaja në territoret shqiptare. Ndërsa, bjeshkët dhe malet më shpesh shërbyen për strehimin dhe vetëmbrojtjen e popullsisë, sesa për rritjen e bagëtisë.
Vendimet e Fuqive të Mëdha Evropiane në dy forumet politike – Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër – ishin vetëm vendime që cenonin ardhmërinë e popullit shqiptar. Këto vendime shkatërruan tërësinë e hapësirës territoriale, shpirtërore dhe kulturore të popullit shqiptar. Për pasojë, filloi një proces i pandalshëm i dobësimit, varfërimit dhe zhvendosjeve të popullsisë shqiptare, proces që fatkeqësisht vazhdon edhe sot.
Nëse nga vendimet e Kongresit të Berlinit u krijua çështja shqiptare, nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër u krijua çështja e Kosovës si një nën-çështje e asaj shqiptare. Kjo sepse, që nga viti 1913, Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare u përjashtuan nga kufijtë e shtetit të sapokrijuar shqiptar, si pasojë e vendimeve të padrejta dhe jo parimore të fuqive evropiane në Londër.
Që nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1913 e deri në çlirimin e Kosovës nga forcat serbe më 1999, në territorin e Kosovës hynë ushtri të ndryshme, disa të vetëshpallura si “aleat” të shqiptarëve dhe disa si pushtues klasikë. Megjithatë, të gjitha këto forca ishin pushtues, vetëm se dallonte qasja e tyre ndaj shqiptarëve. Austro-hungarezët gjatë Luftës së Parë Botërore dhe italianët e gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore përkrahën disa kërkesa të shqiptarëve, si lejimi i përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përdorimi i simboleve kombëtare dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944) u realizua edhe “Shqipëria Etnike”, pasi Kosova dhe një pjesë e territoreve shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi iu bashkuan shtetit shqiptar. Ndërsa, kampi tjetër i ushtrive pushtuese përbëhej nga serbët, malazezët dhe bullgarët të cilët ishin shumë më tëashpër ndaj popullit shqiptar, duke u mohuar çdo të drejtëelementare, njerëzore e kombëtare.
Gjatë periudhës së pushtimeve të njëpasnjëshme për nëntë dekada, shqiptarët e Kosovës bënë përpjekje të vazhdueshme për t’u bashkuar me shtetin shqiptar. Personalitete si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Azem Bejta, Shotë Galica, Shaqi Smaka, Sefer Neziri-Kleçka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Shaban Polluzha, Ymer Berisha, Marie Shllaku, Rifat Berisha, Metush Krasniqi, Ahmet Delia, Tahir e Nebih Meha, (lista është shumë e gjatë) janë disa nga mijëra të tjerë që u flijuan për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por nuk ia arritën qëllimit të tyre. Megjithatë, veprat e tyre ishin një udhërrëfyes për brezat e rinj, për brezin e Adem Jasharit.
Një kontribut të veçantë në rrugën drejt lirisë dhe çlirimit të popullit shqiptar kanë dhënë të burgosurit politikë. Si simbol i tyre ishte Adem Demaçi, i cili u bë simbol i rezistencës së popullit shqiptar. Me vite të tëra të kaluara në burgjet jugosllave për shkak të bindjeve dhe veprimtarive të tij politike, Demaçi u shndërrua në një figurë të palëkundur të qëndresës dhe luftës për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.
Krahas përpjekjeve dhe formave të ndryshme të revoltës së tyre, shqiptarët e Kosovës, me në krye Ibrahim Rugovën, provuan modelin e gandizmit, duke bërë përpjekje që përmes frymës paqësore dhe liberale të arrinin atë që nuk dukej se mund të arrihej. Deri në një farë mase, kjo edhe u arrit, ngase pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989 dhe mbylljes së të gjitha institucioneve publike të Kosovës, u krijuan ato paralele. Vlen të përmendim këtu shtëpitë-shkolla, që funksionuan në vitet ’90, e që historia nuk ka shënuar raste të tilla, ku qytetarët hapnin dyert e shtëpive të tyre për nxënësit dhe mësuesit e dëbuar nga objektet shkollore.
Kjo periudhë e rëndësishme e historisë shqiptare tregon për një rezistencë të pashoqe dhe një dëshirë të pakompromis për liri dhe bashkim kombëtar. Ndërkohë që figura si Adem Jashari u bënë simbol i rezistencës së armatosur, përkushtimi i tij dhe kontributi tëluftëtarve të UÇK-së, solli në fund çlirimin e Kosovës dhe krijimin e kushteve për një të ardhme të lirë dhe të pavarur.
Kur dhuna serbe po rritej në vazhdimësi, shqiptarët nacionalistë shpërthyen në revoltë, e cila më pas kaloi në një luftë të armatosur në pjesën e dytë të dekadës së fundit të shekullit XX. Kjo luftë u zhvillua ndërmjet forcave ushtarake dhe policore të Serbisë dhe popullit shqiptar të Kosovës, të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Lufta përfundoi me vrasjen e rreth 15 mijë njerëzve (12,500 shqiptarë) dhe me çlirimin e Kosovës nga forcat e armatosura serbe. Largimi i tyre nga Kosova shënoi fundin gati një shekullor të një pushtimi klasik serb. Për çlirimin e Kosovës në këtë luftë ranë dëshmorë mbi 2 mijë luftëtarë të UÇK-së. Ky formacion ushtarak mund të thuhet se është forca më e suksesshme gjatë historisë 2 mijë vjeçare të shqiptarëve. Natyrisht, çlirimi i kësaj pjese shqiptare nuk do të ndodhte pa përkrahjen ushtarake të Aleancës Veriatlantike (NATO), e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 2005 filloi procesi i bisedimeve për t’i dhënë fund status-kuosë në Kosovë, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje shqiptaro-serbe, Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës parashihte një “pavarësi të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët”. Në pasditen e së dielës së datës 17 shkurt 2008, përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës mbajtën një Kuvend të Jashtëzakonshëm në Prishtinë. Para përfaqësuesve doli Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës prej dymbëdhjetë pikash. Deklarata është hartuar në një frymë liberale, e cila është bazamenti i shtetësisë së Kosovës. Pika e parë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës thotë: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate Shpallim Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”.
Deklarata e Pavarësisë shënoi një pikë kthese historike për Kosovën, duke hapur rrugën për njohje ndërkombëtare dhe përpjekjet për zhvillimin e një shteti demokratik dhe të qëndrueshëm. Që nga atëherë, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të institucioneve të forta dhe promovimit të një shoqërie multietnike dhe tolerante, duke vazhduar përpjekjet për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.
Qytetarët e vendit, më saktë ata shqiptarë, ishin të ngazëllyer me formimin e shtetit të tyre. Natyrisht, ekzistonte një grup shqiptarësh që kontestonin shtetësinë duke mos përfillur simbolet e shtetit të ri, me arsyetimin se “ato nuk pasqyrojnë asnjë element kombëtar shqiptar.” Një ditë pas këtij akti historik, filloi procesi i njohjeve nga shtetet e ndryshme nga të gjitha kontinentet. Gjatë këtyre viteve (2008 – 2024), shteti i ri po fuqizohet çdo ditë e më shumë.
Çlirimi i Kosovës (12 qershor 1999) dhe Pavarësia e saj (17 shkurt 2008) shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës. Gjatë historisë dy mijëvjeçare, banorët e këtij rajoni nuk kanë përjetuar ndonjë periudhë pa një sundim nga jashtë. Mijëvjeçari i ri shqiptarëve u solli shtetin e dytë. 17 shkurti i vitit 2008 do të na rikujtojë gjithnjë një pritje 96-vjeçare, një pritje ku përzihen të gjitha: dhimbja e gjatë dhe e shumëfishtë, dhuna, sakrifica dhe kryengritjet e gjyshërve dhe stërgjyshërve, trishtimi dhe vuajtjet e prindërve, besimi që nuk humbi kurrë, por mbi të gjitha gëzimi që më në fund ajo që kishim ëndërruar pothuajse një shekull është realizuar, megjithëse pjesërisht për faktin se ende nuk është realizuar qëllimi final, ai i bashkimit kombëtar.