
Artan Nati/
Në periudhën e gjatë të ekzistencës njerëzore, ndodhet një fije e vazhdueshme që përshkon strukturën e ndërgjegjes sonë kolektive, një dëshirë e rrënjosur thellë për epërsi. Që nga kapitujt më të hershëm të historisë sonë e deri në ditët e sotme, kërkimi i madhështisë ka qenë një forcë lëvizëse e lindur brenda nesh. Ajo manifestohet në forma të ndryshme si etja për njohje, nevoja për të tejkaluar të tjerët dhe dëshira për t’u konsideruar i jashtëzakonshëm. Kjo vazhdueshmëri, e nxitur nga ambicia dhe krahasimi, formëson jetën, marrëdhëniet dhe shoqëritë tona.
Kjo luftë për njohje është një dëshirë e pavarur nga dëshira për materializëm. Lufta për njohje është një kontribut i ndryshëm për arsyen pse njerëzit përpiqen për demokraci liberale. Njerëzit përmbysin qeveritë totalitare jo vetëm për prosperitet ekonomik, por edhe sepse njerëzit dëshirojnë të njihen nga qeveritë e tyre, madje duan të marrin pjesë drejtpërdrejt në proceset politike. Etja për njohje është më shumë se thjesht liberalizëm dhe racionalizëm, por është gjithashtu dinjitet. Është kjo arësyeja që ne krenohemi me Skënderbeun si mbrojtës i krishterizmit dhe trojeve shqiptare, apo Nënë Terezën, shenjtoren nobeliste dhe bamirësen me famë ndërkombëtare, por edhe me çdo arritje personale tonën, të afërmve tanë apo me klubin tonë të preferuar të sportit dhe me çdo lloj fakti real apo imagjinar në mendjen tonë. Shqipëria ndodhet në një moment kulmor të evolucionit kulturor dhe për rrjedhojë atij politik dhe ekonomik. Kultura e nderit e cila mbizotëron tek ne shoqërohet me një identitet të fortë kolektiv, strukturë shoqërore hierarkike dhe role tradicionale gjinore po tenton të transformohet në kulturën e dinjitetit, né të cilën individët interpretohen si relativisht të barabartë, ku secili ka një ndjenjë të qëndrueshme dhe të brendshme të vlerës, karakteristike kjo për shoqëritë perëndimore.
Bindja se çdo individ në lindje zotëron një vlerë të brendshme në parim të barabartë me atë të çdo personi tjetër përbën gurin themelor të përkatësisë europiane perëndimore.
Për Hegelin, liria dhe natyra ishin të kundërta me njëra-tjetrën. Aty ku mbaron natyra, fillon liria, pra kur njerëzit janë në gjendje të kapërcejnë natyrën e tyre shtazore dhe të bëhen vetvetja e tyre e vërtetë, pikërisht aty fillon liria. Dinjiteti ishte ajo që mungonte në regjimet komunisto-totalitare në mënyrën se si gënjeshtrat e jetës së përditshme i hiqnin dinjitetin individit. Ishin pikërisht të persekutuarit politik dhe intelektualët e ndershëm që udhëhoqën përmbysjen e sistemit komunist në 90-tën dhe kryesisht për dinjitetin e mohuar, por natyrisht edhe për kushtet e vështira ekonomike, sidomos krahasuar me botën perëndimore, na bënte ne të ndiheshim inferior, por edhe na inkurajonte të luftonim për dinjitetin dhe prosperitetin e mohuar.
Nuk ishte varfëria ajo që çoi në revolucionin borgjez në Francë. Në prag të Revolucionit Francez, Francezët ishin më të begatë se homologët e tyre në Prusi, por shte ndjenja e përuljes dhe e shthurjes në një shkallë relative krahasuar me aristokracinë dhe oborrin mbretëror brenda shoqërisë së tyre, natyrisht kjo e lombinuar edhe me krizën ekonomike në Francë dhe prapambetjen politike dhe ekonomike ndaj Anglisë.
Makiaveli gjithashtu e kuptoi dëshirën për lavdi dhe megalotiminë si ambicie të princave në mesjetën evropiane, dhe mendonte se etja për lavdi mund të kufizohej reciprokisht dhe ambicia mund të kontrollohej nga ambicia. Ky vështrim i ndarjes së pushteteve ndërmjet pjesëve të ndryshme të një republike, do të ishte një shembull i hershëm i parimit të ndarjes së pushteteve.
Demokracia liberale me kapitalizmin plotëson këto kërkesa të ndryshme për dinjitet, lavdi dhe respekt, prandaj është kjo arsyeja pse ky binom përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshmedhe efikase për çështjen e qeverisjes politike.
Proceset demokratike kanalizojnë këtë etje për superioritet, dhe në shumë shoqëri, ka mënyra të ndryshme në bazë të kulturës kombëtare duke kontrolluar ambicien me ambicie, duke krijuar tensione.
Eksperienca e vendeve perëndimore sugjeron se zhvillimi ekonomik e bën demokracinë më të mundshme. Zhvillimi ekonomik bën që njerëzit të ndërgjegjësohen për fuqinë e teknologjisë për të ndryshuar natyrën. Ndjekja e arsimit për të zotëruar teknologjinë çon në të qenit të vetëdijshëm për dinjitetin. Përpjekjet e individëve ose dhe disa grupimeve qofshin këto politike, ekonomike apo të formave të tjera në sistemin liberal demokratik të shoqërive perëndimore janë kanalizuar në institucionet politike të pavaruara. Në këtë mënyrë ky sistem bënë të mundur shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore dhe i bën elitat e vendit fluide dhe i jep individit mundësinë për dinjitet dhe të ndjekin ëndërrën e tyre për prosperitet dhe lavdi, por pa shkelur dinjitetin e të tjerëve, por përkundrazi duke respektuar të tjerët dhe dhënë mundësi atyre për të realizuar ëndërrat e tyre në funksion të vetes dhe gjithë shoqërisë.
Historia njerëzore është një histori e luftës për epërsi dhe institucionet politike janë arenat ku shpaloset kjo luftë. Kjo perspektivë nënvizon rolin e subjekteve politike si fusha beteje për aspiratat njerëzore për dominim dhe kontroll, duke i portretizuar ato si nyje kyçe ku kontestohet dhe formësohet dinamika e pushtetit. Shqipëria ka institucione politike dhe parti politike të spektrave të ndryshëm si edhe biznese private të vogla dhe kompani të fuqishme. E keqja është se këto institucione u krijuan nga lart poshtë në funksion të superioritetit politik dhe ekonomik të një shtrese elitare dhe në këtë aspekt shoqëria jonë i ngjan një shoqërie parademokratike dhe para kapitaliste. Ambicia për lavdi e dinjitet e jona ka gjetur mënyrën më të lehtë për t’u shpalosur në vendet perëndimore, ku ne emigrojmë. Ky kombinim i rrezikshëm i prapambetjes kulturore demokratike në vend me elitën e korruptuar ka bërë mjë frenim të proçeseve demokratike të institucioneve dhe partive politike dhe konkurencë së ndershme ekonomike. Sistemi i ri i drejtësisë duket se po hap një spirale për krijimin e institucioneve të pavarura dhe krijimin e një ambienti konkurues duke zhdukur mentalitetin e të paprekshmëve dhe krijuar hapësira për zgjidhjen e problemeve në mënyrë institucionale. Dëshira për pushtet dhe dominim është një instinkt bazë njerëzor që nqs nuk gjen shprehje në institucionet politike të pavarura, atëhere ajo shoqëri është e destinuar të dështojë. Ky fakt pasqyron nocionin se sistemet politike shpesh lindin si një mjet për të menaxhuar dhe kanalizuar shtytjen e lindur njerëzore për kontroll dhe autoritet brenda shoqërive dhe na obligon ne të vendosim në se do të sakrifikojmë dinjitetin dhe etjen për prosperitet në funksion të një elite të korruptuar dhe të mbetemi peng i kulturës së nderit, apo do të luftojmë të ndërtojmë institucionet e pavarura politike në funksion të dinjitetit dhe prosperitetit të individit