Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/
Me Putinin është pak si me Hitlerin. Si në mijë raste, duke filluar nga Mein Kampf (1925), Führeri nuk u lodh së thëni gjithë botës se kush ishte e se çfarë kishte ndër mënd të sajonte – por që në Perëndim shumë nuk e merrnin me seriozitet – në të njëjtën mënyrë në këta vite Putini është shkapërderdhur në dhjetra fjalime mbi projektet e tij të pandalëshme kombëtar-imperialistë, pa i kushtuar pothuaj asnjëri prej nesh shumë kujdes. Ndoshta sepse shumë prej atyre bisedave kishin të bënin me të shkuarën, ishin fjalime historike. Kishim harruar se në kohën tonë historia (përdorimi I saj) është mjeti më I parapëlqyer i diktatorëve për të pohuar këndvështrimin e tyre të botës e për të mbështetur prapësitë e tyre, veçanërisht për të ligjëruar synimet e tyre agresivë. Në fakt, duke lexuar sot pjesë të shumta t’atyre fjalimeve në një syzim të shkurtër të sapo botuar nga një historian I njohur sllavist francez, Nicolas Werth (Putini, kryetari I historianëve, Gallimard) kuptojmë se të gjitha llogaritë janë të sakta.
I bindur që nga fillimi i karierës së tij se “rezerva kryesore e fuqisë dhe e s’ardhmes së Rusisë qëndron në kujtesën e saj historike” dhe që “për të ringjallur njinjisinë tonë kombëtare, vetëdijen tonë kombëtare, duhet të rivendosim lidhjet ndërmjet epokave të ndryshme të së njëjtës histori mijëvjeçare, të pandërprerë, Putini i u kushtua në mënyrë pasionale risajimit të asaj historie me një përçmim të pakufizuar të së vërtetës.
Synimi i tij kryesor qe para së gjithsh të “çkomunistizonte” për të thënë përvojën sovjetike, duke e katandisur Tetorin në një aksident të historisë, një vepër simbas tij e një grushti kriminelësh pa asnjë lidhje të vërtetë me Vëndin e për më shumë përgjegjës mbi të gjitha të nënëshkrimit në 1918 të paqes së Brest-Litovskit me Gjermaninë gulielmine. Kështu “Vëndi i ynë u shpall i mundur nga një Vënd tjetër i cili vetë kishte humbur luftën! – pohon i zemëruar Putini – : një fakt i përveçëm në historinë e njerëzimit! Ishte rezultati i tradhëtisë t’atyre që atëherë qeverisnin Vëndin (…); territore të pafund, interesat jetike të Vëndit tonë janë shitur nën çmim për të plotësuar interesat e një grupi që dëshëronte vetëm të fuqizonte pozitën e tij të pushtetit”.
E pastruar nga komunizmi përvoja sovjetike është kështu e gatëshme të lidhet drejtpërsëdrejti me të shkuarën cariste, të ribojatisur me ngjyrat e madhështisë më të shkëlqyer. Është e vërtetë që në përvojën sovjetike spikat figura e rëndë e Stalinit, për shkak të të cilit “milionë qytetarë tanë kanë vuajtur”. Putini e pranon , por për të shtuar se “nuk duhet harruar se demonizimi i Stalinit është njëri ndër drejtuesit e sulmit të Perëndimit kundër Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik”. Është e qartë arsyeja përse përvoja sovjetike duhet shpëtuar me çfarëdo çmimi: sepse në brëndësinë e saj vendoset fitorja mbi nazizmin dhe një fitore e tillë thirret për të përbërë themelin historik të pakundërshtueshëm si të shtyrjes rishimperialiste të udhëheqjes putiniane, si të krenarisë kombëtaro-atdhetare ruse që Putini vetë synon t’a ushqejë në të gjitha mënyrat për të mbështetur atë shtyrje.
Besoj se nuk ekziston askund në botë një ngjarje historike e mbrojtur nga një blindim gjyqësor si ai që në Rusi, me dalzotësinë e despotit, mbron “Luftën e madhe atdhetare 1941-1945. Një luftë, që thotë ndërmjet të tjerave Werth, në doracakun e sotëm të historisë të rrethit të fundit të shkollave ruse, është paraqitur krejtësisht e shkëputur nga lufta e Dytë botërore në tërësinë e saj, pra as duke cekur sado pak për shëmbull luftën në ballin perëndimor, fitoren gjermane mbi Francën, betejën e Anglisë apo Pearl Harbor-in. Një nen i ligjeve përkujtesorë, të miratuar të nesërmen e pushtimit të Krimesë më 2014, parashikon deri në pesë vite burg (pesë vite!) secilit që, përveç vënies në dyshim të themelësisë së gjykimit të Gjykatës së Nurembergut, a) “ përhap lajme shkencërisht të rreme mbi veprimtarinë e BRSS gjatë luftës së Dytë botërore”; b) “përhap lajme haptas jo në respekt të datave të lavdisë ushtarake të kujtesës së Rusisë, që lidhen me mbrojtjen e atdheut, apo të përdhosë simbolet e lavdisë ushtarake ruse”. Nuk mjafton. Më 24 shkurtin e shkuar, menjëherë mbas sulmit mbi Ukrainën, u shtua një shtojcë e bishtit të kashtës – që ndalon shprehimisht “çfarëdo orvajtje të kryer në hapësirën publike, që synon të verë në të njëjtin rrafsh veprimet e Bashkimit Sovjetik dhe të Gjermanisë naziste gjatë luftës së Dytë botërore”. Mbas ligjeve kanë breshëruar dënimet: për shëmbull në ngarkim të atij që kishte guxuar të kujtonte paktin Hitler-Stalin të gushtit 1939, ose e kishte përcaktuar “kasap” gjeneralin Rudenko, që më parë se të ishte prokuror sovjetik në gjyqin e Nurembergut, kishte qënë antar i gjykatave të jashtzakonëshme që, në vitet e Terrorit të Madh stalinian kishin dërguar në vdekje mijra të pafajshëm.
Siç është e lehtë të përfytyrohet, Ukraina përbën një objekt të zgjedhur të Putinit historik, pikëpamja e të cilit është përmbledhur në një tekst të gjatë të vitit 2021, i cili që nga titulli thotë gjithshka: “Rreth bashkimit historik të rusëve me ukrainasit”. Këta të fundit përshkruhen si një popull sllav, të cilin mësyemja mongole e shekullit Xiii i shtyu drejt perëndimit, duke i dorëzuar ndikimit të Polonisë dhe katoliçizmit, ndërsa rusët themelonin Moskën, e paracaktuar në sajë të Pjetrit të Madh dhe pasuesve të tij, të bëhej “qëndra përbashkuese” e gjithë sllavizmit. Pra Ukraina si madhësi e pavarur nuk ka qënë kurrë, ka qënë një shpikje e “politikës bolshevike të kombësive në kurriz të Rusisë historike” dhe e lënë në vetvete ka shfaqur një prirje të fshehtë të kalojë nga ana tjetër: me polakët, katolikët, suedezët, nazistët. Mbi karakterin e “çnazifikimit” të Vëndit Putini deri tani nuk është shprehur në publik. Ka parapëlqyer të lerë të flasin ideologët e tij si ky Timofei Sergeizev, për të cilin me të drejtë Werth e quan të dobishme të sjellë qëllimet e tij rrënqethëse: “Çnazifikimi qëndron në një tërësi masash kundrejt masës naziste të popullsisë që, për arsye teknike, nuk mund të jetë e përndjekur drejtpërsëdrejti për krime lufte (…); është e nevojshme të vazhdohet një pastrim i përgjithshëm (…); përveç drejtuesve më të lartë duhet të quhet njëlloj fajtore një pjesë e rëndësishme e masave popullore, përgjegjëse për nazizëm pasiv, për bashkëpunim me nazizmin (…). Koha e çnazifikimit nuk mund të jetë në asnjë rast më e pakët se sa një brez njerëzor. (…) Çnazifikimi do të jetë pashmanshmërisht një çukrainizim (…) Çnazifikimi i Ukrainës do të thotë edhe çevropianizimin e saj të pashmangëshëm”.
Ka ende ndonjë që n’emër të “paqes” synon t’i mohojë armët atyre që prej muajsh po maten me kriminelë të tillë?
“Corriere della Sera”, 8 korrik 2022 Përktheu: Eugjen Merlika