Libri “Italianë të Shqipërisë” i shkrimtarit italian Uilliam Buonapace të cilin e lexova me një frymë vjen për lexuesit dhe në gjuhën shqipe./
Nga Leonora Laçi-studiuese, dhjetor 2016/Autori i librit të cilin pata fatin ta njoh para ca ditësh në promovimin që ju bë këtij libri në Durrës dhe të shkëmbej mendime të frytshme për kulturën, historinë, fatet e dy popujve të cilët janë ndeshur shpesh herë, për dy popuj që kanë qenë miq po aq sa dhe “armiq”. Kjo miqësi dhe armiqësi e supozuar ka ardhur për shkak të pozicionimit ideologjik të tyre përgjatë periudhës komuniste apo dhe më heret të interesave politike dhe ekonomike të qeverive të ndryshme.
Në këtë libër përplasen fuqishëm fate si dallgët e furishme por që kur tërhiqen lënë pasoja, përgjysmohen ëndrra, thyhen shpresa të vetushqyera, kryqëzohen fate, rrëfehen dhimbje. Libri në sintezë të tij ka dy popuj që ishin sa afër dhe larg, dy popuj që politika i ndau por dashuria njerëzore i bashkoi. Përshkruhet hollësishëm fati i lidhur me vendin e shqiponjave dhe sakrificën njerëzore për hirë të familjes.
Studimi i Buonapaces na jep një mësim të qartë, na tregon shtigjet dhe i shkel i pari ato, ku me kujdesin që tregon ndaj detajeve, i qartë në lidhëshmërin e mendimit, thellësinë e mendimit, bën përshkrimin e proceseve historike, me ftohtësinë në gjykim. Ç’gjykim them? Ai nuk gjykon në fakt, ai parashtron faktet dhe na e lë neve në dorë ti interpretojmë. Ngacmon të kaluarën, që të nxisë historianët shqiptarë e ata italianë të punojnë më tej në shtegun që ai hap për të zbardhur se çfarë ndodhi me italianët e ngelur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë fashiste e deri në vitet ’90. Nuk janë pak i thonë gjysmë shekulli.
Dokumentet e literaturën e shfrytëzuar e përdor me mjeshtëri duke qenë skeptik por dhe duke e vënë vehtën në realitetin e kohës kur ndodhin ngjarjet, nuk paragjykon ideologjitë, pasi ata janë pjellë e njerëzve, nuk vijnë rastësisht. Megjithëse qellimi i tij nuk është përshkrimi historik i ngjarjeve, por ky është i pashmangshëm.
E fillon me harresen si prolog, atë harresë institucionale të Italisë kundrejt bashkëatdhetarëve të saj të mbetur në Shqipëri.
Dhe e vazhdon duke sjell shembuj të italianëve që ngelen në Shqipëri. Përshkruan marrëdhëniet midis dy vendeve përgjatë viteve 1904-1939, për tu ndalur tek ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e pushtimit italian të Shqipërisë, më tej, kapitullimi Italisë e ardhja e gjermanëve për të vazhduar me përfundimin e luftës. Më pas fillimi dhe fundi i Luftës së Ftohtë dhe e mbyll me dramen e një populli që do të iki nga e shkuara, nga vetvetja, vetëm e vetëm të harroj, endet në rrugët e botës pa asnjë synim përveç ikjes nga bunkieri, burgu, Shqipëria.
Unë do ndalem tek qëllimi i këtij studimi, italianët të cilët mbetën në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë Musoliniane (që disa u riatdhesuan përgjatë viteve 1945-1950), dhe ndarjen në disa kategori që i bën autori duke shfaqur hapur përdorimin e dy standardeve të qeverisë së Enver Hoxhës (fq 15-16):
Kategoria e parë ushtarakët që kishin marrë pjesë në rezistencën kundër nazistëve. Këta fituan të drejtën e riatdhesimit pa asnjë kufizimqë në vitin 1945 dhe u kthyen në Itali të veshur me uniformat e tyre duke pasë privilegjin të marrin me vete armët e tyre. Ishte një akt që tregonte vlerësimin e tyre ushtarak dhe politik.
Kategoria tjetër ushtarakët që ndodheshin akoma në vend, por që nuk kishin marrë pjesë në luftën kundër gjermanëve. Këta kishin qëndruar të fshehur ose ishin zenë robër dhe konsideroheshin se i përkisnin një ushtrie të mundur. Edhe këta u kthyen në një pjesë të madhe në të njëjtin vit me të parët natyrisht, pa armë, shpesh herë me njëmijë vështirësi dhe pasi u keqtrajtuan dhe u poshtëruan nga ana e autoriteteve shqiptare.
Kategoria e tretë përbëhej nga civilët dhe përgjithësisht nga italianët që nuk kishin qenë në ushtri. Këta ai i ndanë në dy nënkategori: a) Funksionarët e shtetit, karabinierët ose njerëz të efektivave të tjera të ruajtjes së rendit, që shpesh pësuan persekutime, arrestime dhe dënime shumë të rënda që në disa raste qenë dënime me vdekje. b) Punonjësit që kishin kompetenca teknike, të cilët Tirana i përcaktoi si “specialistë”, të detyruar të mbeten, shpesh në kushtet e një gjysmëburgimi për disa vjet pas mbarimit të luftës me qellim që të kontribuonin në rindërtimin e vendit të shkatërruar.
Kategoria e katërt kleri katolik, që u persekutua rëndë dhe u akuzua se ishte një përbërës i spiunazhit fashist dhe u konsiderua si një nga armiqtë kryesorë të regjimit të ri.
Në fund mbeteshin pjesëtarët e familjeve të përziera: italianë ose italiane të martuar me shqiptarë. Këta u detyruan të qëndrojnë në Shqipëri edhe pas vitit 1950, disa dhe përjetësisht, të braktisur me kuptimin e mirëfilltë të fjalës nga ana e autoriteteve italiane, pra të përfshirë forcërisht brenda regjimit totalitar.
Autori na lë të kuptohet se ka në fokus qendresën heroike të femrave, nënat, grave italiane që u martuan me shqiptar, heroizmin e tyre që e treguan në forma të tjera, citoj (fq 16)-“Ata ishin të ndërgjegjshme se përzgjedhja e tyre do të kishte si pasojë që të mos shihnin, me gjasë edhe për gjithnjë, njerëzit e tyre të dashur përtej detit dhe do të duhet të përballnin, fillikat, një regjim armiqësor, vështirësi, diskriminime dhe ndoshta burgun. Dhe megjithatë vendosën të qëndrojnë, me një akt guximi të pabesueshëm”.
Duke përshkruar ngjarjet historike që lidhnin fatet e dy vendeve, ndërfuten në rreshta dhe jetë njerëzish të thjeshtë, peripecitë e tyre në kampe internimi apo burgje, duke bërë llojë-llojë punësh për të mbajtur frymën gjallë.
Përmend shumë familje italiane ndër ta përmendim këtu: Maria Moretta, Maria Kiezën, Elena Gjiken, Xhuzepe Terruzi, Ugo Beluci, Armando Batisti, Mario Grosi, Xhovani Kanteli, inxhiniere Simonçini, dr.Venancio Loçi, dr. De Markis, dr.Rumo, inxhi.Galo,inxhi.Agostinone, dr.Franko Benani, Rubolini etj.
Autori flet dhe me shifra e nëpërmjet dëshmive tronditëse, të familjarëve, po sjelli këtu një fragment nga libri, citoj (nga faqja 71-72): “Arnaldo Kançiano në dëshmin e tij thotë- Më 22 tetor 1947 vendimi u ekzekutua: 16 dënime me vdekje nga 25 të pandehur. Tre dënime me varje, 13 me pushkatim: ndër ta ishte dhe Saxhoti. Dy të pandehur të tjerë, Monaldi dhe Andena u dënuan me 15 vjet privim lirie. Nuk e dija me saktësi se ku ishin ngritur trekëmbshat për tre të dënuarit me varje. Atë ditë, rastësisht, duke kaluar nga Fusha e Druve me mbesën time Nina, m’u shfaq papritmas një skenë e llahtarshme! Tre trupa që vareshin, një grup fëmijësh që i zinin nga këmbët, i rrotullonin, litari mblidhej dhe pastaj e linin që të shpërdridhej për të parë ata të mjerë që silleshin rreth vetes. Ika, duke e tërhequr për dore vajzën, në një rrugicë aty afër”.
Ai vë theksin tek harresa që ju bë nga autoritetet italiane, ku italianët dhe italianet pranuan nënshtrimin duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në një vend që në thelb i konsideronte si një mish i huaj që duhej mbajtur nën mbikëqyrje të fortë dhe në një pozitë sociale të dorës së dytë. Ku u vranë shpirtërisht dyfish nga atdheu i tyre (Italia) por dhe nga Shqipëria komuniste që tashmë kishin lidhur të ardhmen e tyre duke zgjedhur me apo pa dëshirë të jetonin për hirë të familjes këtu. Autori nuk e justifikon heshtjen e autoriteteve italiane për ta, ku në faqen 121 konkludon se:” Mungesa e impenjimit nga ana e autoriteteve italiane ndaj qytetarëve të vendit tonë në Shqipëri do të mund të justifikohej vetëm në se do të kishin ekzistuar dy kushte të veçanta: mungesa e marrëdhënieve normale diplomatike midis të dy vendeve dhe pamundësia për të pasë lajme të tyre dhe për të njohur numrin e tyre të saktë, identitetin dhe vendbanimet e tyre. Mirëpo asnjë nga këto kushte nuk ishte i pranishëm dhe historikisht asnjë justifikim s’mund të qendrojë. Shteti italian kishte dijeni dhe kishte mundësi të vepronte. Ekzistonin mundësitë diplomatike dhe politike. Natyrisht është e pamundur të dish se cili do të kishte qenë rezultati i një ndërhyrjeje, por kjo nuk justifikon heshtjen dhe mosinteresimin nga ana e tij. Ajo që ka munguar ishte vullneti politik”.
Libri mbyllet me çështjen “Riatdhesimi” ndërkohë komunizmi po lëngonte në shtratin e vdekjes, dhe këtu fillon mbarimi i harresës për disa dekada të italianëve që mbetën në Shqipëri. Si dhe shkruan për operacionin C.O.R.A për riatdhesimin e plotë të iniciuar nga qeveria italiane. Tashmë fillonte një dramë tjetër ajo e përshtatjes me atdheun Italinë, takimi me familjarët. Siç e përshkruan autori në fq 131-132: “ Të riatdhesuarit e kuptuan shpejt se problemet e tyre nuk kishin marrë fund. Kthimi në Itali, largimi nga një vend në tatëpjetë, një e kaluar mundimesh dhe vuajtjesh, nuk mjaftonin. Atdheu i ri e i vjetër që e kishin ëndërruar dhe fantazuar, nuk doli ashtu si e prisnin, por si ishte në realitet: një vend i çorganizuar, me ligje të komplikuara dhe në një fazë krize dhe konfuzioni ku ksenofobia dhe racizmi i hapur dhe i fshehtë po nxirrte kryet kërcenueshëm pikërisht ndaj atyre që vinin nga bregu i tjetër i kanalit të Otrantos. Të gjithë këta faktorë sigurisht nuk e lehtësuan integrimin në realitetin e ri”.
Duke përgezuar autorin Buonapace dhe bashkëpunëtorët e tij. Besoj se ky libër do jetë vetëm fillimi i zbardhjes së një prej episodeve më të dhimbshme të persekutimit komunist, i cili e filloi me armiqtë e partisë, shqiptarë e të huaj dhe e mbylli dukë ngrënë kokën e vet.