Dr. Lulzim Nika/
Në rrethanat aktuale, kur Rusia dhe Kina bashkë me aleatët kanë filluar hapur t’i kundërvihen SHBA-së në politikën ndërkombëtare, Kosova në këto rrethana duhet të jetë e kujdesshme dhe të përmbyllet dialogu me Serbinë me njohjen e ndërsjellë. Aktualisht, Kosova në raportin e politikës ndërkombëtare nuk është duke u forcuar si rezultat i prishjes së raportit SHBA-Rusia. Në këto rrethana, skena politike duhet të jetë unike në interesat strategjike të shtetit të Kosovës. Do parë rrezikun e një destabilizimi të politikes ndërkombëtare që mund të na dëmtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Duke shfletuar dokumente diplomatike të SHBA-së, dhe pas një kohe të gjatë të hulumtimit në Arkivat e bibliotekave të katër presidentëve të SHBA-së, shihet qartë se vendimet e tyre patën ndikim në çështjen shqiptare në përgjithësi, dhe në atë të Kosovës në veçanti.
Në bazë te dokumenteve relevante, shihet se Bushi i Parë, gjatë viteve 1990-92, kishte ndërtuar strategjinë politike dhe diplomatike, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në bashkëpunim me faktorin politik të krahut paqësor, si dhe administrata e Klintonit me atë ushtarak, të liderëve pragmatik politik të UÇK-së.
Kosova arriti të shpallë Pavarësinë, falë këtyre raporteve të mira me faktorin ndërkombëtarë. Kosova u bë shtet si rezultat i fitores diplomatike të faktorit historik e politik, përfshirë ndërtuesin e autostradës diplomatike dhe vendosmërinë politike të liderit politik të UÇK-së.
Se populli shqiptar që është i veçantë nga fqinjët e tij, kishte pasur një fat të rëndë gjatë shekujve, nuk do diskutim. Historia nuk na njeh edhe një ditë të vetme që të kemi bërë përpjekje të organizuara për të zgjeruar territorin tonë, a për të pushtuar popuj të tjerë.
Historikisht, gjeografia shqiptare ka pasur tkurrje, humbje të krahinave të tëra shqiptare. Sot, historianët duhet të ndalën edhe në vlerësimin kritik të historiografisë shqiptare.
Për shembull, pse në çdo rrethanë historike, kemi humbur territore dhe pse historinë tonë, në vetëmbrojtje e tragjike deri në ndërtimin e shtetit të Kosovës e kemi kthyer në një nacional-folklorizëm të tepruar dhe pa bërë fare një autokritikë realiste. Historiografia serbe është e bazuar kryesisht në mite dhe monumente fetare, por jo edhe në realitetin historik dhe etnik të popullsisë. Pra, ajo qëllimet i kishte në zgjerimin e gjeografisë dhe strategjisë për fuqizimin e Serbisë në Ballkan.
Në formimin e dy shteteve shqiptare, përveç sakrificës dhe vargut të madh të patriotëve dhe qytetarëve, ishte edhe ndihma e madhe diplomatike e miqve që vështirë se do t’ia kishim arritur qëllimit, si në ndërtimin e Shtetit shqiptar, po ashtu edhe të shtetit të Kosovës.
Duhet të jemi të kujdesshëm me shtetet mike të Kosovës dhe të kemi raporte të mira e të sinqerta. Për arsye se boshti i shteteve me mungesë të lirisë në qeverisje, siç janë Rusia dhe Kina, po luajnë politikën e destabilizimit ndërkombëtar.
Me qëllim të faktorizimit të tyre, e sidomos rusët, janë të interesuar për destabilizimin e Ballkanit, për t’u faktorizuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre tradicionale në Ballkan. Për fatin e mirë të Kosovës, gjatë viteve 1999, ata nuk u pajtuan, por edhe nuk patën mundësi që të ndalojnë korrigjimin e hartës politike të Ballkanit nga SHBA-ja, dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.