Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e sotme miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri/
-Me flamujt amerikanë që janë ngritur e valojnë, në atmosferë mirënjohje të përjetëshme për SHBA-të e festive Kosova afër 20 vjet e lirë e më shumë se 10 vjet shtet e priti edhe një ngjarje të madhe – votimin sot në Kuvend për FSK-në Ushtri/
-Pas seancës së Kuvendit të Kosovës, të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë pasdite edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila me ligj tani bëhet Ministri e Mbrojtjes/
-Presidenti Thaçi, që me Kushtetutë është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do jetë edhe i Ushtrisë, dje me uniformën ushtarake para rreth 400 ushtarëve dhe eprorëve të FSK-së tha se vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë e ushtarëve dhe qytetarëve të Kosovës/
-Forca e Sigurisë së Kosovës do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike/
-Pas miratimit të projektligjeve, kryeparlamentari Veseli uroi deputetët, pjesëtarët e FSK-së dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e konsideruar seancën dhe ditën e sotme historike për Kosovën/
-Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, drejtuar nga kryeministri Haradinaj, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës/
-Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 14 Dhjetor 2018/ Historike: Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e sotme miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri.
Fillimisht kaloi i pari Proejktligj – për Ministrinë e Mbrojtjes me votat pro të 106 deputetëve e një abstenim, pasi më parë poashtu me unanimitet u miratuan 11 amendamentet.
Seanca vijoi me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili kaloi me vota unanime pro, ndërsa më parë u votuan 45 amendamentet.
Kaloi me unanimitet votash edhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të cilin kishte poashtu 45 amendamente.
Seanca e tre ligjeve për Ushtrinë u drejtua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili në fillim ftoi të gjithë pranishmit për nderim për të gjithë brezat, që në kohë e rrethana të ndryshme, sakrifikuan për këtë ditë, për lirinë e pavarësinë.
Kryetar i Komisionit parlamentar për FSK-në, Haxhi Shala në seancë u shpreh se ndihej i privilegjuar që kishte rastin t’i paraqesë projektligjet e rëndësisë së veçantë për shtetin e Kosovës.
Miratimet e secilit prej tre projektligjeve u përshëndetën edhe me ngritje në këmbë e duartroktije të pjesëmarrësve në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Pas miratimit të projektligjeve, kryeparlamentari Veseli uroi deputetët, pjesëtarët e FSK-së dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e konsideruar seancën dhe ditën e sotme historike për Kosovën.
“Në sallë kemi të pranishëm edhe kadetët e FSK-së, që do të jenë oficerët e ardhshëm të Ushtrisë së Kosovës, të cilëve ua urojmë këtë ditë historike. Prej sot, gatitu”, tha mes duartrokitjeve kryeparlamentari Veseli.
Pas seancës së Kuvendit të Kosovës, të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë pasdite edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila me ligj tani bëhet Ministri e Mbrojtjes.
Ndërkohë, flamujt amerikanë janë ngritur e valojnë në sheshet e Prishtinës e në lokalitete tjera të Kosovës. Në këtë atmosferë mirenjohje të përjetshme për SHBA-të e festive Kosova afër 20 vjet e lirë e më shumë se 10 vjet shtet e pret edhe një ngjarje të madhe – votimin sot në Kuvend për FSK-në Ushtri.
Ndërsa dje pasdite, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, inspektoi ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mbajti një fjalim para tyre, vetëm një ditë para se Kuvendi i Kosovës të marrë vendim për ndryshimin e mandatit të FSK-së.
Presidenti, që me Kushtetutë është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do jetë edhe i Ushtrisë, sot me uniformën ushtarake para rreth 400 ushtarëve dhe eprorëve të FSK-së tha se vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë e ushtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Presidenti Thaçi theksoi se pas sukseseve të mëdha dhe përfshirjes së çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës, FSK është e gatshme për mision dhe rol të ri.
Kreu i shtetit tha se FSK-ja është shembull sesi duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore dhe institucionale të një shteti demokratik, ku çdo qytetar përbën vlerë të shtuar për shtetin.
“I siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, e veçanërisht komunitetin serb, se FSK-ja do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai pjesëtarëve të komunittit serb në FSK i është drejtur edhe në gjuhën serbe – me “Dobar dan!” (Mirëdita!) në fillim të fjalës dhe me “Hvala!” (Faleminderit!) në përfundim.
Në Kuvend, në shqyrtimin e parë në 18 tetor të tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës: për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës e të votura me unanimitetin e deputetëve të pranishëm, gjatë debatit vetëm grupi parlamentar i Listës Serbe u shpreh kundër transformimit të FSK-së në ushtri dhe lëshoi sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës. Lista Serbe as sot nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit historik të Kosovës shtet me ushtri.
Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Qeveria ka deklaruar se, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.
Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.
Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999.
Haradinaj: Forca e Kosovës, partneritet për paqe edhe me Ushtrinë e Serbisë
PRISHTINË, 14 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Forca e Kosovës do të jetë në funksion të paqes me të gjitha ushtritë e rajonit, përfshi edhe Ushtrinë e Serbisë, deklaroi sot kryeministri Ramush Haradinaj.
“Sot, me 107 vota PËR, nga të gjithë deputetët e pranishëm në Parlamentin e Kosovës, u mandatua Ushtria e Kosovës.
Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për konsolidimin e shtetit të Kosovës.Forca e Kosovës do të jetë gjithmonë multietnike, dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, në funksion të paqes me të gjitha ushtritë e rajonit, përfshi edhe Ushtrinë e Serbisë, që të kemi partneritet për paqe”, thekson kryeministri Haradinaj në deklaratën e dërguar./b.j/