Komuna e Skenderajt nën udhëheqjen e Kryetarit, Bekim Jashari, se bashku me zyrtar komunal, asambleist, drejtorë, deputet, gjeneral e veteran të UÇK-së, kanë bërë homazhe tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Skenderaj, me rastin e 22 vjetorit të epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke vazhduar tutje, Kryetari Jashari se bashku me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në kujtim të kontributit të jashtëzakonshëm të familjes Jashari.
Pas homazheve i pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari u shpreh krenar për kontributin e familjes se tij por edhe u zotua se do të ecin përpara në rrugën që ata e dëshiruan.
“Ndihemi krenar me veprat e tyre dhe marrim forcë e kurajo që së bashku të ecim përpara në rrugën e drejtë dhe të pastër në vendin tonë, ashtu siç dëshiruan ata”, është shprehur Kryetari Jashari.
Edhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ngriti lartë kontributin e Familjes Jashari si dhe të gjithë luftëtarëve dhe dëshmorëve të UÇK-së.
“Ne si dy komuna po mundohemi ta jetësojmë amanetin e heronjve, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes se tij si dhe të gjithë luftëtarëve e dëshmorëve të tjerë”, ka thënë nder të tjera Kryetari Lladrovci.
Pas Prekazit, homazhe nga të dy komunat u bënë edhe tek shtatorët e Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari në Drenas si dhe tek varrezat e dëshmorëve në Marinë.