Para mijëra simpatizantëve të koalicionit të djathtë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten se fitorja jonë nënkupton çlirimin e Kosovës dhe krijimin e një perspektive për fëmijët tanë.
“Të nderuar qytetarë. Sot, iu shoh të lumtur. Sytë tuaj e tregojnë këtë. Dhe keni të drejtë. Fitorja është afër. Kjo fitore e çliron të ardhmen tonë. Kjo është fitore për fëmijët tanë. Askush më nuk mund të mbajë peng të ardhmen e vendit tonë. Fitorja jonë lindi në Podujevë, Obiliq, Fushë-Kosovë, Kaçanik, Junik, Deçan, Drenas, Shtime. U rrit në Pejë, Gjakovë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Viti, Gjilan. Sot, po kulmon këtu në Prishtinë, me këtë masë të jashtëzakonshme”, ka thënë Hoti.
Ai i ka garantuar të gjithë qytetarët e Kosovës se do ta mbrojmë fitoren tonë dhe askush nuk mund të shkelë mbi të, sepse ne Brezi i Republikës bashkë me qytetarët jemi më të fortë se kurrë.
“Kur baballarët tanë, në krye me arkitektin e pavarësisë, Presidentin Historik Ibrahim Rugova, filluan projektin për pavarësinë e Kosovës, shpresa ishte e madhe. Ajo ishte shpresë për një Kosovë të pavarur, të zhvilluar, demokratike, me rend dhe ligj, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sot, ai testament i baballarëve tanë na është besuar ne, Brezit të ri, Brezit të Republikës. Ne jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi. Mua më është besuar ta udhëheqë këtë projekt historik. Dhe unë e mbaj fjalën”, ka potencuar Hoti.
Ai ka deklaruar se Republikën mund ta bëjnë vetëm njerëz të ndershëm e atdhetarë dhe ky është ekipi im, kjo është lista që ne ua prezantojmë.
“Lista jonë përbëhet nga njerëz që e njohin Republikën si atdheun e tyre të vetëm. Mbrojtës të lirive themelore. Liberalë. Ithtarë të pushtetit të deleguar. Legalistë. Ëndërrimtarë për Kosovën që duam. Por, mbi të gjitha, njerëz të dashuruar në atdheun dhe familjen e tyre. Këta njerëz jemi ne, Brezi i Republikës”, ka thënë Hoti.
Kandidati i djathtë për kryeministër ka deklaruar se na duhet patriotizëm qytetar, që mbron të drejtën tonë për jetë më të mirë, që mbron mundësitë tona të barabarta dhe na duhet patriotizëm qytetar, për t’i mënjanur ata që na mbajtën peng kaq gjatë.
“Kosova ka nevojë për një rrugë të re politike. Unë kam marrë përgjegjësinë, që bashkë me aleatët, ta bëj këtë. Dhe unë e mbaj fjalën e dhënë”, ka shtuar Hoti.
Sipas Hotit neve na duhet një Qeveri e vogël dhe e përkushtuar, na duhet një qeverisje me qytetarin dhe për qytetarin. “Unë jam këtu sot për të komfirmuar para jush vullnetin dhe gatishmërinë për t’i udhëhequr këto ndryshime”, ka shtuar ai.
“Nuk mund të lejojmë më tutje dhunimin e lirisë sonë. Nuk mund të ketë indiferencë ndaj shkeljes së lirisë. Ky është rasti ynë për të realizuar ëndrrën e lirisë. Ne jemi përcaktuar për Republikën. Ne do t`ia dalim. Fatin tonë do ta marrim në duart tona më 11 qershor. Kthim prapa nuk ka. Republika u përket qytetarëve”, ka potencuar kandidati për kryeministër.
Hoti ka thënë se përcaktim i yni nuk është çështje partie, por është çështje e përcaktimit të fatit të fëmijëve tanë, është nevojë që çdo zemër ka për ta gjetur lumturinë, përmes drejtësisë, barazisë e të vërtetës.
“Këto ditë kemi udhëtuar bashkë në çdo cep të Kosovës. Ju kemi larguar nga obligimet tuaja, hallet e preokupimet, për t`ua bërë me dije sa e rëndësishme është vota juaj. E kemi bërë këtë, sepse kemi marrë përgjegjësinë e madhe – ta kthejmë te ju lirinë e vjedhur. Atë liri të kapur, të nëpërkëmbur e të përbuzur. Ne duam që përmes votës së 11 qershorit ta çlirojmë lirinë tuaj nga kapësit, një herë e përgjithmonë. Ja pse na duhet vota juaj, e secilit prej jush. Edhe e atyre që nuk na kanë votuar deri tash, për shkak të hallit apo të mashtruar, apo edhe për fajin tonë. Ne iu kërkojmë ndjesë. Por, tash ka ardhur koha të ktheheni në shtëpinë tuaj. Aty ku kanë lindur ëndrrat tuaja për liri, pavarësi e demokraci – në familjen e madhe rugoviane”, tha Hoti.
Ai ju ka drejtuar qytetarëve, në mënyrë të veçantë vajzave dhe djemve që për herë të parë u drejtohen kutive të votimit. “Unë kërkoj nga ju, të dashur të rinj, që votën, ashtu si dinjitetin, ta ruani si të shenjtë. Vota juaj është përcaktuese për të ardhmen tuaj. Ajo do ta bëjë ndryshimin e duhur. Ju lus që më 11 qershor të dilni në zgjedhje, krenarë dhe besimplotë se ndryshimi po vjen bashkë me ju”, ka qenë mesazhi i Hotit për rininë.
Ai është shprehur i bindur se do t’i fitojë këto zgjedhje, por ne na duhet një fitore e madhe, për ta çkapur shtetin, për t’i çuar në opozitë kapësit e saj.
“Vetëm fitorja jonë i siguron Kosovës frymëmarrje të lirë. Me mbështetjen tuaj më 11 qershor, ne do të krijojmë një qeveri që do ta udhëheqë Kosovën kah përmbyllja e shtetndërtimit. Vetëm qeverisja jonë, Kosovës ia çel rrugën për integrimet euro-atlantike, sepse vetëm ne jemi forca proevropiane”, ishte mesazhi i Hotit.
Kandidati i djathtë për kryeministër ka thënë se ne do të sjellim liberalizimin e vizave, ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës, ne e përfaqësojmë denjësisht shtetin tonë, ne jemi seriozë përballë të gjitha obligimeve ndërkombëtare, ne do ta reformojmë dhe do ta pavarësojmë sistemin e drejtësisë, ne kemi miq të fortë që na besojnë dhe na ndihmojnë, na besoni neve, më besoni mua dhe dilni masivisht në këto zgjedhje, që janë referendum për Kosovën.
“Bashkë do ta vulosim të ardhmen evropiane të Kosovës. E diela është ditë feste. Siç thoshte Presidenti Rugova, në këtë ditë vishuni bukur, të dukuni bukur, sepse 11 qershori do të jetë festa jonë e madhe. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë popullin e saj, Zoti i bekoftë miqtë tanë! Mirupafshim në Festën e fitores”, ka përfunduar Hoti.
Zyra për Informim e LDK-së