M.Pasoma/ RTKlive/
(E përditësuar 13:00) Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje dhe mundëson që faktet historike mos të kontestohen. Ai këto komente i bëri në 25 vjetorin e njërës nga prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë, asaj të Krushës së Madhe.
“Ky muze do t’i ndihmojë të gjithë atyre që vijnë ta shohin atë, ta mësojnë atë që ne tanimë e dijmë, të mos lajthitet se faktet historike janë të pakontestueshme”, ka deklaruar ai.
“NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e shtetit, Marilyn Albright tha: “e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë”.
“Aksionet e NATO-s kanë synim të shtyejnë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’i jap fund mizorive dhe krizës humanitare. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterrur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, ka thënë Hovenier.
Ai ka shprehur ngushëllimet e tij dhe solidaritetin me familjet e viktimave në cilësinë e përfaqësuesit të presidentit amerikan në Kosovë.
Hovenier ka thënë se e kupton që familjet dhe të mbijetuarit e kësaj masakre kanë kërkuar themelimin e muzeut qe 25 vjet, teksa është shprehur krenar për kontributin amerikan në proces.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen krenare që i kemi mbështetur deri diku përpjekjet e juaja, përmes trajnimit të 30 kosovarëve për shkathtësi të intervistimit, etikë të historisë gojore dhe arkivimit si pjesë e historisë gojore të Bibliotekës Kombëtare me të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe”, ka deklaruar ambasadori amerikan.
Në mesin e disa rrëfimeve të masakrës, ai ka veçuar narrativën e ndërmarrëses Fahrije Hoti në filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit.“Edhe pse u përballën me gjithë ato tragjedi të tmerrshme, gra të Krushës e tejkaluan stigmën, diskriminim, u përballën me mërzinë e tyre dhe vendosën që të krijojnë një jetesë që është e lavdërueshme për çdo individ dhe është më e madhe se individi”, ka thënë ai.
Rohde: NATO ndërhyri për të ndaluar katastrofën humanitare dhe spastrimin etnik
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde në ceremoninë përkujtimore të 25-vjetorit të Masakrës së Krushës së Madhe dhe inaugurimit të muzeut, ka thënë se kjo masakër ka treguar se kishte ardhur koha që NATO të ndërhynte për të shmangur tragjedinë humanitare dhe spastrimin etnik.
“Jam këtu për të përkujtuar dhe mbajtur zi për të gjitha ato viktima të atij krimi të tmerrshëm mizor të kryera nga forcat e Milloshoviqit dhe natyrisht për t’iu shprehur ngushëllime familjarëve të të gjitha viktimave. Kjo masakër si dhe masakrat tjera treguan se kishte ardhur koha që NATO të ndërhynte për të shmangur atë tragjedi humanitare si dhe spastrimin etnik që po ndodhte këtu”, ka thënë ai.
Rohde ka deklaruar se shumica e atyre që i kanë kryer këto krime janë ende në arrati dhe se kjo sipas tij, nuk do të duhej të lejohej, pasi ata duhet të japin llogari.
“Jam krenar që jam sot këtu dhe së bashku me aleatët dhe partnerët tanë mund të them se Gjermania e ka ndihmuar që të ndërtojmë Kosovën në një shtet të lirë shumetnik dhe demokratik. Gjithashtu shpresoj që Kosova bashkë me të gjithë fqinjët e saj, së shpejti do t’i bashkohet shoqërisë evropiane”, tha Roohde.(E.Hoti)
Malaj: Duke respektuar të kaluarën hapim një të ardhme
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj në 25-vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe, ka thënë se “duke respektuar të kaluarën hapim një të ardhme”.
“Ne këtu jemi mbledhur nën hijen e një historie të zymtë, në një ditë të shënuar nga pikëllimi dhe respekti i thellë”, tha Malaj.
Ndërsa për hapjen e muzeut, ai bëri me dije se nuk është vetëm një akt kujtimi, por një deklaratë e guximshme e angazhimit kolektiv për të vërtetën, për drejtësinë e për pajtimin.
“Sot këtu përurohet një muze kushtuar kujtimit të masakrës në Krushë, një tragjedie të papërshkrueshme”, deklaroi Malaj.(K.Kasumi)