Politikani i djathtë mbeti mbrëmjen e se merkures viktimë në një aksident automobolistik në të dalë të Tiranës, në rrugën drejt Elbasanit. Në Shqipëri humbi jetën mbrëmë në një aksident të rëndë automobilistik deputeti i partisë demokratike Sokol Olldashi. Automjeti me të cilin ai udhëtonte ka dalë nga rruga në pjesën Tiranë-Elbasan, në një kthesë të fortë. Duket se shkak mund të ketë qenë shpejtësia si dhe moti i keq e me shi. Makina e zotit Olldashi ka rënë duke u rrokullisur për disa metra në një greminë. Mjeteve të policisë dhe të zjarrëfikësve u është dashur një kohë e gjatë për të nxjerrë trupin, i mbetur i bllokuar nga makina gjatë rënies.
Zoti Olldashi, 41 vjecar, ishte një ndër politikanët në zë të së djathtës. Ai pati një ngjitje të shpejtë në politikë, pas fillimit të viteve 2000, ndërkohë që më parë kishte ushtruar profesionin e gazetarit. Në të dy qeveritë e ish kryeministrit Sali Berisha, ai ka qenë ministër i Brendshëm dhe i Punëve publike e Transportit. Këtë verë, pas dorëheqjes së zotit Berisha nga drejtimi i partisë demokratike ai u përfshi në garë direkte me zotin Lulzim Basha, për kreun e forcës kreysore të opozitës.