Dy të rinj nga Kosova e kanë humbur jetën në një aksident trafiku, të enjten, në Hamilton të Kanadasë, raportojnë mediat e këtij vendi. Flamur Miftari nga Prishtina (21-vjeç) dhe Albunit Hiseni nga Gjilani (21-vjeç), humbën jetën në një aksident me makinën e tyre teksa po shkonin në fakultet. Motra e Albunitit, Albana ka rrëfyer për mediat kanadeze se dy 21-vjeçarët pritej të diplomonin për polic në prill në Kolegjin e Niagaras.
“Ai donte të bëhej polic. Ishte shumë i zgjuar”, ka thënë Albana, duke vënë në dukje se vëllai i saj u kujdes për prindërit e tyre dhe ëndërronte për të punuar në mbrojtje të shoqërisë. “Ai më tha: ‘unë do të jem një polic i mirë’”, ka shtuar motra e tashmë të ndjerit, Albunitit. Flamur Miftari dhe Albunit Hiseni ndërruan jetë kur makina e tyre u godit nga një kamion në një përplasje të tri automjeteve në rrugën regjionale në mesditën e së enjtes. Të dy familjet, Miftari e Hiseni, raportohet se jetojnë që një kohë të gjatë në Kanada, por varrimi i Flamurit dhe Albunitit sipas medieve kanadeze do të bëhet në Kosovë. (Kortezi:RTK )