Zgjedhjet lokale në Himarë rizgjuan një konflikt të vjetër me Greqinë, në një kohë kur fqinjësia midis dy vendeve shënonte ditët e saj më të mira. Shkak u bë arrestimi i F. Belerit, sipas organeve ligjzbatuese “për vjedhje votash”, i cili, dy ditë më pas del fitues me 19 vota mbi rivalin e tij minoritar Jorgo Goro. Ndërkohë në Finiq dhe Dropull me një komunitet homogjenë minoritarësh gjithçka shkoi për bukuri. Pra, në të tri bashkitë garojnë minoritarë, të cilët e ndajnë fitoren mes tyre, pse Beleri qënka preferencial, jo vetëm i qeverisë greke, por dhe i opozitësh shqiptare? (Në Greqi pati arrestime për vjedhje votash.) Shprehja që i mvishet hoxhës: thoni si them unë e mos bëni si bëj unë, me sa duket nuk vlen për Janullatosin. Se këta e kanë ndryshe: kërcen prifti nga belaja. (Fredi Beleri nuk është Sokrati, që piu helmin, edhe pse dënimi i filozofit ishte i padrejtë.) “Vorioepirioti” me origjinë nga një fshat i Tepelenës, sikurse thuhet, pretendon të kthehet në një misionar i “helenizimit” në trojet shqiptare?! (Edhe ne Kalabri ka kryetarë bashkish arbëreshë, mos duhet t`i albanizojmë teritoret e Italisë?) Po sa me qejf i kanë këta: që vrasin, që vjedhin, që shpifin, dava spiunësh, kolaboracionistësh, mercenarësh e bedelësh, mish për topat e liderëve?! Pikërisht këtë “të katranosurin” gjetën ta konturojnë si hero?! (Në vendin ku lindi demokracia, të vjen keq që: politikanët grekë shfaqen më ballkanas nga të tjerët. Marrinat e tyre e çuan shtetin grek në prag falimenti, sikurse me juntën ushtrake i vunë një njollë turpi demokracisë. Pale me ligjin e shpifur të luftës me Shqipërinë. Me arrestimin e ekstremistëve të “Agimit të Artë”, kujtuam se figura të errëta si F. Beleri apo Kacidhasi i ndjerë nuk do të shfaqeshin më?! U gabuam. Por, më i zhgënjyer ka të ngjarë të jetë kryeminisri shqiptar, të cilin homologu grek e hoqi nga lista.)
Ndërsa në Kosovë zgjedhjet e pjesëshme bojkotohen nga shumica serbe dhe kandidati i VV me 519 vota, E. Atiq, rri i ngujuar në godinën e komunës, ruajtuar nga policë. Do mbroj shtetin e Kosovës, u thotë Kurti ndërkombëtarëve, të cilët e krijuan këtë shtet, duke korrigjuar dhe një gabim tragjik të etërve të tyre. Kryeministri kosovar fillimisht kishte përballë falangat e Vuçiçit, por, traun ia vuri Amerikës dhe Evropës, sikurse ia kishte vënë dhe Shqipërisë kohë më parë. Për rrjedhojë: Kosova përjashtohet nga pjesëmarrja stërvitore “Defender Europe”. Njëherësh i vihen dhe saksione ekonomike. Me këtë ndëshkim të paralajmëruar, Kurti, ia shtoi fuqinë mbrojtëse dhe ekonomike Kosovës apo ia dobësoi asaj? Më pas gjithë zemëratën ndaj Vuçiçit e transferoi në Tiranë tek Edi Rama. Kjo sjellje ndoshta i shkon për hosh dhe kryeminstrit grek. Tek kosovarët nuk njeh Kosovën tek shqiptarët nuk njeh kryeministrin e saj. Në momentin që në Mitrovicë tensionet vaken, natyrisht me ndërhyrjen e të huajëve, rindizet Himara dhe të ftuar nderi në Greqi janë ata, që ndezën Mitrovicën: Vuçiçi dhe Albin Kurti. Grupit sigurisht që do t`i bashkohej dhe Meta, nëse do ishte akoma në karrigen e presidentit, ndërsa presidenti aktual Begaj e refuzoi ftesën diversioniste të kryeministrit grek. “President klloun” do ta quanin Gjenerali lolot mediatikë, sikurse në të shkuarën po ky soji ironizonte ish presidentin e ndjerë, Bujar Nishani, si “kapter ushtrie”. Harrojnë se i talluri të tall.
Himara ka për të qenë avazi i politikës tipike ballkanase të grekërve, sa herë që: do u interesoi të ushtrojnë presion ndaj Tiranës zyrtare, qoftë kjo e kohës së Hoxhës, Berishës apo Ramës, edhe pse me kalimin e viteve u ka rënë takati kundrejt një Shqipërie, që sa vjen dhe fuqizohet. Pse Athina zyrtare është kaq shumë e sëkëlldisur nga një figurë e errët si Fredi Beleri, që, nëse do respektohej ligji i dekriminalizimit nga Celibashi, ai nuk duhej të kandidonte?! Një me rekorde kriminale si ky, Kurti, do e arrestonte në Mitrovicë, natyrisht, nëse nuk do ia zhduknin dosjen. Si Himara dhe Mitrovica kanë për të qenë gozhda e Nastradinit për qarqet shovene greke dhe serbe. Grekërit do vazhdojnë të mbajnë ligjin e “gjendjes së luftës me Shqipërinë”, sikurse dhe serbët do vazhdojnë të ushtrojnë mentalitetin e luftës, edhe pse e humbën atë. Përherë serbët dhe grekët kanë qenë në sinkron, kur i pari gllabëronte teritore në veri dhe i dyti i turrej jugut. Natyrisht dhe me bekimin e kishës. Subkoshienca shoviniste, grabitqare u është kthyer në ves, si e si të bëjnë të tyren gjënë e tjetrit. Natyrisht që serbët janë më të zemëruar, se Amerika dhe Europa ua shkëputi Kosovën, ndërsa grekërit kanë telashe me pasuritë e çamëve, por, Çamërinë, me gjasa, s`ua luan kush. “Rasti i Belerit po trajtohet nga SPAK, sepse ka të bëjë me krimet zgjedhore. Por më bën përshtypje një gjë, ka pasur një akuzë zyrtare dhe për çështjen e masakrës së Peshkëpisë dhe dosja është mbyllur para një viti. Arsyeja mbylljes ishte, sepse Greqia nuk iu përgjigj asnjëherë letër porosisë. Është zhdukur dosja e z. Beleri në Gjykatën e Tiranës, në arshivën e saj. Drejtësia apo ofiqarët e Greqisë para se të kërcënojnë integrimin e Shqipërisë duhet t’i drejtohen gjyqësorit të tyre për të kthyer përgjigje autoriteteve shqiptare. E ftoj SPAK-un në këtë rast të hetojë, se si u zhduk dosja e z. Beleri nga arkiva e Gjykatës së Tiranës”, deklaroi Shpëtim Idrizi i komunitetit çam, ndërkohë që patriotët e klonuar u bën përkrahës të zellshëm të njeriut me një të shkuar të errët. Ndër ta dhe pinjollët e Bllokut. Fatos Lubonja, kur ishte rasti i Kacidhasit reagoi hapur: “Mos urreni grekërit, por Ramën!”. Ndërsa Andi Bushati e quan Fredi Belerin një viktimë të Edi Ramës. Ky është patriotizmi, që etërit e tyre paskan kultivuar tek bijët e nipërit, ndërsa ne që adhuronin artin antik grekë na shihnin me dyshim? Kujtoj Iljaz Ahmetin, që u dënua në Konferencën e Tiranës pse kundërshtoi privilegjet e “kastës së kuqe”, të Bllokut, me të cilin takoheshim shpesh, kur ai doli nga burgu, ngaqë pallatet i kishim pranë. “Unë kam qenë antizogist, do më thoshte një ditë, por, kur udhëtoja me tren në Itali një fashist më shau mbretin, ia vesh me grusht.” Nuk mund të mos më kujtohej dhe letra që, Pjetër Arbnori, i dërgonte nënës së tij nga burgu. “Më arrestuan me dëshmitarë të rremë: Jorgo Zengo, imoral, spiun, shqiptar nga Dardha që e quan veten grek; Muharrem Koliqi, kosovar që çon në qiell Serbinë, Bako Çuliqi, ish oficer sigurimi, kriminel ordiner që ka ba kërdinë ndër të burgosur kur ishte përgjegjës kampi, dhe nji magjyp nga Tetova Bajram Tahiti me katër emna e katër mbiemra që propagandonte se Maqedonia arrin deri në Elbasan.” Këta lloji lëvizin edhe sot në dëm të Shqipërisë, me ofiqe dhe nëpër bordero. Patrioti im nga Lushnja, shkrimtari Gazment Kapllani, shumë i njohur në median greke, për ngjarjen në fjalë do shprehej: “Kryebashkiakët e qyteteve kryesore greke (Athinë, Selanik etj.) shkuan në Shqipëri duke organizuar një tubim kundër Shtetit dhe drejtësisë shqiptare dhe në mbështetje të kandidatit të Himarës, kryebashkiakut Fredi Beleri, i paditur për blerje votash. E paprecedentë në Evropë edhe gjatë periudhës së errët mes luftrave të viteve ’30”. Të paprecedentët nuk mund të merren si etalon të demokracisë, edhe pse origjina e saj është tek fqinjët tanë, me të cilët na bashkon Homeri, Eskili, Sokrati, Marko Boçari, arvanitasit dhe çamët, mijëra emigrantë që jetojnë dhe punojnë atje. Në Përmet ka një pikë doganore e quajtur Tri Urat, në kuptimin simbolik: edhe në kohërat më të errëta Urat ka qenë përherë të hapura midis dy popujve tanë. Refuzimi i ndihmës së zjarrfikësve shqiptarë nga qeveria e Athinës dëshmon se zjarrllëku i “zemërimit të Mitsotakit” digjka më shumë. Edhe Akili do ta kishte zili…
Fatbardh Amursi