

Dr. Luan Topçiu/
“…brezi që vjen do të na bekojë që kemi vendosur një gur themeli për ndërtesën që kemi ngritur…” Ibrahim Themo.
Dr. Ibrahim Themo është një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe ballkanike, një personalitet që, fatkeqësisht, po lihet në harresë nga historiografia moderne. Për Themon dhe për bashkëkohësin e tij, Nikolla Naçon (i cili ndërroi jetë në vitin 1913), për këta veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, flitet shumë më pak sesa do të meritonte vepra e tyre. Duke qenë se Dr. Themo jetoi deri në vitin 1945, ai luajti një rol të rëndësishëm edhe në ngjarjet pas Pavarësisë.
Dr. Ibrahim Themo spikati si organizator, edukator dhe lider i shquar. Ai luajti një rol të pazëvendësueshëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe në përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë, duke përfaqësuar lidhjen e fuqishme midis diasporës shqiptare dhe përpjekjeve të pandërprera për liri dhe pavarësi në atdhe. Përkushtimi i tij i palëkundur ndaj çështjes kombëtare la një trashëgimi të çmuar, duke ndihmuar në hedhjen e themeleve të një Shqipërie të lirë dhe të bashkuar.
Sqarojmë se ky artikull nuk synon të jetë një studim shkencor, por një homazh dhe një përshpirtje për jetën dhe veprën e këtij personaliteti kompleks në vigjilje të Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit. Në nder të këtij patrioti të shquar, Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) ka vendosur, në vitin 2016, një bust të Dr. Ibrahim Themos në qytetin e Mexhidias.
Kontributet në Ballkan dhe përtej tij
Ibrahim Themo nuk është vetëm një figurë e rëndësishme në historinë shqiptare, por edhe një emër me ndikim në disa vende dhe popuj. Si intelektual i shquar, poliglot dhe njohës i thellë i disa gjuhëve dhe kulturave, si të atyre lindore ashtu edhe perëndimore, Dr. Themo u dallua edhe si një mjek i zoti, politikan reformator, si dijetar, publicist dhe senator i Parlamentit të Rumanisë. Ai ishte i njohur jo vetëm për aftësitë e tij profesionale, por edhe për aktet e pafundme të bamirësisë.
Si ideolog dhe reformator, ai kontribuoi në modernizimin e Turqisë dhe emancipimin e popujve të Ballkanit, duke qenë një lider i spikatur i shoqatave shqiptare në Rumani. Përkushtimi i tij ndaj drejtësisë, lirisë dhe emancipimit shoqëror e bëri Dr. Themon një shembull të intelektualit të angazhuar, që luftonte pa reshtur për përparimin e shoqërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të popujve të shtypur.
Puna dhe vizioni i tij mbeten janë dhe sot aktuale Në një kohë kur personalitete të tilla rrezikojnë të bien në harresë, është detyra jonë të kujtojmë dhe të nderojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për kombin dhe përparimin njerëzor.
Rinia dhe Edukimi
Sipas të dhënave biografike, prindërit e Ibrahim Themos ishin me origjinë nga Mati, por më vonë u vendosën pranë liqenit të Ohrit, në Strugë, në Maqedoninë e Veriut, ku Themo lindi në mars të vitit 1865. Emri i tij i vërtetë ishte Ibrahim Ethemi. Arsimin fillor dhe një pjesë të arsimit të mesëm ai e kreu në qytetin e lindjes, ku mësoi gjuhët turke dhe arabe.
Më pas, Themo vijoi studimet në Shkollën Ushtarake të Mjekësisë në Stamboll, ku ra në kontakt me ide revolucionare dhe shkrime që kundërshtonin regjimin e sulltanit Abdul Hamidit të II. Ai përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë Ushtarake “Gühane,” duke u specializuar si mjek okulist. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, ai themeloi organizatën revolucionare të njohur si “Xhonturqit.”
Aktiviteti politik dhe mjekësor
Pas diplomimit në vitin 1892, Themo filloi punën si mjek në spitalin Haydarpasha të Stambollit, ndërsa vijoi aktivitetin e tij revolucionar. Për shkak të bindjeve dhe veprimtarive të tij, ai u arrestua katër herë. Në vitin 1895, për të shmangur përndjekjet nga regjimi osman, me ndihmën e miqve të tij shqiptarë, Themo u strehua në Rumani, ku vazhdoi misionin e tij politik dhe profesional.
Në Rumani, ai ushtroi për një periudhë të shkurtër profesionin e mjekut okulist në spitalin “Colțea” të Bukureshtit dhe fitoi të drejtën për të praktikuar si mjek i lirë. Ai u bë gjithashtu shtetas rumun. Më vonë, u vendos në qytetin e Mexhidias pranë Detit të Zi, ku punoi si mjek zyrtar dhe vijoi aktivitetin në kuadër të organizatës “Xhonturqit.” Gjatë kësaj periudhe, ai botoi broshurën “Haraket” (Lëvizja) dhe periodikun “Sada‐yi Millet” (Zëri i Kombit).
Përndjekjet dhe përpjekjet për progres
Dr. Themo u përball me përpjekje të shumta për asgjësimin e tij fizik, si dhe me atentate nga agjentët e sulltanit, çka e detyroi të ndryshonte emrin në Ibrahim Themo. Megjithë persekutimet, ai vazhdoi të luftonte për idealet e tij patriotike dhe për përhapjen e ideve reformiste. Në vitin 1902, pas një dënimi me vdekje nga një gjykatë ushtarake turke, ai dha dorëheqjen nga pozicioni i tij në spitalin e Mexhidias dhe kaloi një vit në Paris, ku studioi praktikat më të përparuara të mjekësisë.
Pas kthimit në Rumani, në vitin 1903, Themo u emërua mjek në spitalin e Hârșovës, ku themeloi një shkollë për komunitetin vendas. Po në atë vit, ai u transferua në qytetin e Konstancës, ku vijoi të kontribuonte në shoqatat shqiptare dhe në jetën politike e shoqërore të diasporës. Dr. Themo ishte një nga promovuesit e idesë së bashkimit mes shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia fetare, krahinore apo gjendja shoqërore të akëcilit. Ai gjakonte një Shqipëri të bashkuar nën një gjuhë dhe nën të njëtat simbole, një Shqipëri moderne dhe europiane. Ai besonte në edukimin dhe qytetërimin e popullit shqiptar, idetë ilumiste të filozofëve francezë. Sipas Rilindasve të komunitetit shqiptar të Rumanisë, përpos kufijve dhe pavarësisë së shtetit shqiptar, duhet të krijohet një Shqipëri shpirtërore.
Përkushtimi për Edukimin dhe Kulturën Shqiptare
Në vitin 1906, Themo u zgjodh nënkryetar i shoqatës shqiptare “Bashkimi” në Konstancë, e cila organizonte aktivitete kulturore dhe kombëtare për të ruajtur identitetin shqiptar në diasporë. Me ndikimin e tij, Komuniteti Shqiptar i Dobruxhës diversifikoi aktivitetet kulturore dhe përgatiti një statut për Shoqërinë “Bashkimi” në vitin 1910, duke rritur organizimin dhe formalizimin e veprimtarive kombëtare. Një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit të tij ka qenë themelimi i shkollës shqipe “Drita.”
Shoqëria Kulturore Shqiptare “Drita” ishte themeluar në vitin 1884 në Konstancë. Në vitin 1905, me nismën dhe këmbënguljen e komunitetit shqiptar të qytetit bregdetar, u hap Shkolla Shqiptare “Drita,” kaq e nevojshme për ata që vinin nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilët nuk dinin të shkruanin dhe lexonin në gjuhën shqipe. Për këtë shkollë u krijua Komiteti i Pleqësisë, i përbërë nga 17 anëtarë, ku Dr. Themo ishte kryetar. Në një letër të botuar në revistën “Drita” në Sofje, shkruhej:
“Nën drejtimin e patriotit të shkëlqyer Ibrahim Themo, Peter Gherasim, Mircea dhe Zaharia Zamfir… me vështirësi të mëdha dhe me dashuri të madhe për atdhe kemi kapërcyer çdo pengesë… arritëm të themelonim një shkollë për të rritur, ku punëtorët dhe fëmijët mund të mësojnë në gjuhën e tyre. Vetëm shkolla dhe mësimi i gjuhës do të zhdukin të gjitha pengesat që kanë penguar shqiptarët të përparojnë… brezi që vjen do të na bekojë për këtë gur themeli që kemi vendosur”
Përveç gjuhës shqipe, në këtë shkollë mësohej edhe gjuha rumune, duke ndihmuar nxënësit të integroheshin në shoqërinë e vendit ku jetonin, ndërsa ruanin identitetin e tyre kombëtar.
Pjesëmarrja në Kuvendin e Bukureshtit
Në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, një moment kyç ku dha një ndihmesë të çmuar edhe lëvizja e udhëhequr nga Ibrahim Themo. Ky komunitet ishte ndër më të rëndësishmit në diasporën shqiptare dhe ofroi mbështetje morale dhe financiare për realizimin e këtij akti madhor.
Kuvendi i parë që ka luajtur një rol të rëndësishëm për mbështetje ndaj Pavarësisë së Shqipërisë filloi më 5 nëntor 1912 në hotelin “Continental” të Bukureshtit. Mbledhjen e drejtoi Ismail Qemali. Rendi i ditës mund të mblidhet me këto fjalë: Si mund t’i bëhej ballë gjendjes kritike të Shqipërisë dhe çfarë masash duheshin marrë për të parandaluar armiqtë që të shkelnin të drejtat e kombit dhe të atdheut? Ismail Qemali foli mbi gjendjen kritike në të cilën ndodhej Shqipëria në ato çaste dhe propozoi masa konkrete për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar.
Vendimet e mbledhjes së Bukureshtit patën një rëndësi të madhe për zgjidhjen e detyrave që shtronte momenti historik. Kolonia patriotike e shqiptarëve të Bukureshtit i dha Ismail Qemalit dhe shokëve të tij gjithë mbështetjen dhe përkrahjen që mundi. Në mbledhje, Ismail Qemali ngriti nevojën për një bashkim të shqiptarëve nga të gjitha krahinat dhe besimet për t’i dhënë fund njëherë e mirë dominimit të huaj.
Sipas kujtimeve të anëtarëve të komunitetit shqiptar të Rumanisë, Dr. Themo ka kontribuar thelbësisht në ndihmën financiare të organizimit Mbledhjes së Bukureshtit, por dhe përmes lidhjeve të afërta me qeveritarët rumunë. Përmes afërisë që pati me Ministrin e Jashtëm të Rumanisë (1912-1914) së asaj kohe Take Ionescu, siguroi që Qeveria e parë shqiptare të marrë dhe një shumë të hollash nga Rumania, që do të shërbenin si buxhet i parë i shtetit shqiptar. Në fakt, më 3 dhjetor 1912, Ibrahim Themo kryesoi një mbledhje të veçantë në Sallën Eforie në Bukuresht, ku shqiptarët e Bukureshtit festuan shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Dy vite më vonë, Themo mori pjesë në banketin me rastin e hyrjes së princit Wied në Durrës, të cilin e shihte me simpati, duke shpresuar se do të ndërtohej një Shqipëri Europiane, ku nderoi ata që u flijuan për lirinë e Shqipërisë dhe përçoi mesazhin e unitetit kombëtar.
Trashëgimia patriotike
Ibrahim Themo mbetet një figurë emblematike e komunitetit shqiptar të Rumanisë dhe një model frymëzimi për të gjithë ata që luftojnë për drejtësi dhe liri. Përkushtimi i tij i pashtershëm, idetë përparimtare dhe dashuria për popullin e tij përbëjnë një trashëgimi të vyer për historinë shqiptare dhe ballkanike.
Trashëgimia e Ibrahim Themo-s është një ndër trashëgimitë më të shquara të diasporës shqiptare në Rumani dhe jo vetëm. Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në ndihmën për pavarësinë e Shqipërisë, por gjithashtu ai e përdori ndikimin e tij për të siguruar të drejtat dhe arsimimin e shqiptarëve në Rumani. Përpjekjet e tij për të siguruar bursa dhe për të ndihmuar komunitetet shqiptare të integroheshin në shoqërinë rumune, pa humbur identitetin e tyre kombëtar, i dhanë një ndihmesë të madhe zhvillimit të një shoqërie të bashkuar dhe të barabartë.
Si pjesë e angazhimit të tij për mirëqenien e shqiptarëve, ai shpalli dhe botoi vepra që dëshmojnë pasionin e tij për arsimin, historinë dhe përpjekjet për një Shqipëri të pavarur dhe të zhvilluar. Kjo trashëgimi do të mbetet një model të vlefshëm sot dhe gjithë ditën, që të kujtojmë se si duhet të luftohet për kulturën, arsimimin dhe dinjitetin kombëtar.
Aktiviteti Politik dhe Diplomatik
Ibrahim Themo vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ishte pjesë e delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920), një ngjarje historike ku fuqitë aleate përcaktuan kufijtë e rinj të Europës pas Luftës së Parë Botërore. Dr. Themo punoi për të mbrojtur interesat e Shqipërisë, duke kërkuar një përcaktim të drejtë të kufijve të vendit dhe duke kontribuar në përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Aktiviteti i tij në këtë forum diplomatik dëshmoi përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj kauzës kombëtare dhe të drejtave të shqiptarëve.
Ibrahim Themo vdiq në vitin 1945, por kontributi i tij dhe ndikimi i tij në jetën politike dhe kulturore të shqiptarëve në Rumani do të mbeten të gjalla. Dëshmia e tij për forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve të diasporës dhe atdheut do të shërbejë gjithmonë si një udhërrëfyes për të ardhmen. Ai mbolli frymën e bashkëjetesës dhe mirëkupimin në rradhët e popullsisë multietnike të Dobruxhës, zonës në të cilën punoi dhe jetoi. Edhe sot ai mbetet një nga personalitet më të respektuara të kësaj krahine.
Bibliografia:
Shih për më tepër: revista Lavinia Gheorghe, “Albanica” nr 1/ dimër 2018/2019 “Albanezo‐românul Ibrahim Themo”; Lavinia Gheorghe, „Etnici turci şi tătari în administraţia şi viaţa politică a Constanţei după revenirea Dobrogei la Ro‐ mânia”, în Apulum, Alba Iulia, XLVII, 2010, p. 197–217; Idem, „Aspecte privind integrarea intelectuală a turcilor şi tătarilor din Dobrogea, în perioada 1878–1914”, în Din istoria tătari‐ lor. Contribuţii istoriografice, vol. 1, UDTTMR, Universitatea „Ovidius”, Constanța, 2010
Muzeul de Istorie Naţională şi Arheologie Constanţa, Depozitul de Istorie Medie–Modernă– Contemporană, fond Ibrahim Themo (în continuare, MINAC, fond Themo), inv. 6338. Stavro Skendi, The Albanian National Awakening 1828 – 1912, Princeton University Press, Princenton, New Jersey, 1967.
Tănase Bujduveanu, Ibrahim Themo, personalitate a lumii balcanice, Editura Ex Ponto, Constanţa, 2012, p. 22
Ibrahim Themo, Ittihat Ve Terakki, Medgidia, 1939.
Petru Vulcan, Albumul naţional al Dobrogei 1866–1877–1906, Tipografia Regală, București, 1906. 4 Stavro Stendi, op. cit.
Ismet Dermaku, „Școala albaneză «Lumina» de la Constanţa (1905 – 1912)”, în Anuarul Albanezul, nr. 403, Bucureşti, 1998, p. 66–69.
Stoica Lascu, „Crearea şi activitatea organizaţiilor judeţene Constanţa ale partidelor politice (1908–1916)”, în Comunicări de istorie a Dobrogei, nr. 2, Constanța, 1983, p. 187.
Atmosfera înflăcărată, discursul şi „excursia” sunt descrise, detaliat, în caietele amintite din MINAC, fond Themo, inv. 6338.
Gelcu Maksutovici, Istoria comunităţii albaneze din România, Ed. Kriterion, București, 1992.
Stoica Lascu, Independenţa Albaniei în percepţia opiniei publice româneşti (1912‐1913), Editura Cetatea de Scaun, Târgovişte, 2012,
MINAC, fond Themo, inv. 6338; Ibrahim Themo