Dr. Nelson R. Çabej/
Bartja e problemeve specifike shkencore në diskursin botor (publik) është shumë herë e mbarsur me reziqe keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh të ideve në masën e lexuesve. Kjo duket se ka ndodhur edhe në debatin e zhvilluar vitet e fundit në median joshkencore shqiptare, ku është theksuar shumë herë nevoja e çmitizimit ose, siç është thënë me një barbarizëm, “demontimit” të “historisë kombëtare të mitizuar të shqiptarëve”. Shumë herë në këtë debat është ngatërruar historia zyrtare ose historishkruarja shqiptare me ideologjinë kombëtare të shqiptarëve dhe është marrë fjala mit në kuptimin literal, si një tregim jo i vërtetë, e jo në atë kuptim që përdoret shpesh në kritikën historiografike për të shprehur subjektivitetin e pashmangshëm të historishkruarjes.
Ideologjia është një sistem vlerash, besimesh, idesh, virtutesh dhe mitesh, rëndom të lidhura në mënyrë logjike, të cilat një bashkësi njerëzore (popull, klasë a shtresë shoqërore) i mban si të vërteta aksiomatike, të cilat as kanë nevojë e as mund të vërtetohen sepse ideologjia nuk është shkencë. Të kërkosh nga një ideologji që të provojë drejtësinë e atyre vlerave, besimeve dhe ideve do të thotë të kërkosh të pamundurën, t’i japësh asaj funksionin e shkencës ose të fshish çdo kufi midis dy gjërave kaq të ndryshme sa ideologjia dhe shkenca. Ndryshe nga shkenca, që pranon dhe i ka të domosdoshme vetëndreqjen dhe përmbysjet revolucionare madje dhe mohimin e teorive ekzistuese, ideologjitë nuk mund të pranojnë përmbysjen dhe ndreqjen, ndonëse mund të evoluojnë, pasurohen dhe sofistikohen.
Por ideologjitë, qofshin ato politike, morale, ligjore, raciale, epistemologjike, fetare, etj., kanë një funksion të rëndësishëm shoqëror, që është bashkimi i përkrahësve të tyre në një përpjekje kolektive për mbrojtjen e interesave të grupit a bashkësisë njerëzore.
Formulimi i ideologjisë kombëtare shqiptare
Në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XIX, prania e katër feve dhe sekteve fetare ishte një pengesë e madhe për bashkimin politik të shqiptarëve, që kërkonte momenti historik në atë kohë të tatëpjetës së pandalshme të perandorisë osmane. Në këtë situatë të ndërlikuar si askund tjetër më shumë, etërit e Rilindjes sonë kombëtare iu drejtuan një force bashkuese që do të mund të rrafshonte gardhet e ndasisë fetare. Kjo ishte vetëdija etnike “Ne” e tyre, që lidhej me, dhe buronte nga, gjuha, historia dhe prejardhja e përbashkët, nga doket dhe kultura e tyre materiale dhe shpirtërore e trashëguar. Ata kuptuan se forca bashkuese e kësaj vetëdije etnike ishte shumë më e madhe se gjithshka që i ndante.
Me mënçuri që, sado të lëvdohet, nuk arrin të mbivlerësohet, rilindasit tanë kuptuan se mjeti më efikas i bashkimit politik të shqiptarëve ishte formulimi dhe zhvillimi, mbi bazën e kësaj vetëdije etnike, i një ideologjije kombëtare shqiptare, si kusht i domosdoshëm i bashkimit kombëtar në një kohë kur feja dhe sektet fetare edhe në Evropën perëndimore luanin një rol të madh në mendësinë, botëkuptimin dhe formimin shpirtëror të popullit, duke dalë mbi vetëdijen etnike siç ndodhi në rastin e formimit të shtetit të Belgjikës. Duke njohur rolin madhor dhe epërsinë e identitetit etnik shqiptar si forcë e bashkimit kombëtar, më e madhe se çdo forcë që mund t’i
ndante, PashkoVasa (1825 – 1892) doli me moton e famshme “Feja e shqyptarit a shqyptaria”, si një lloj feje civile kombwtare, që qëndronte mbi çdo fe tjetër. Kjo moto nuk mbeti thjesht një parullë, por u bë forcë vepruese, që u pasqyrua jo vetëm në tërë veprimtarinë e rilindasve, por edhe të tërë popullit shqiptar dhe heronjve të tij, përfshirë këtu martirët e klerit katolik, ortodoks dhe musliman të Shqipërisë.
Formimi i shtetit kombëtar shqiptar kërkonte përpunimin e një ideologjije kombëtare, duke përfshirë një mit krijimi a themelimi, një histori të prejardhjes së popullit. Rilindasit tanë e zhvilluan ideologjinë kombëtare shqiptare rreth dy boshteve themelore, që ishin prejardhja e lashtë e popullit shqiptar dhe lufta e tij kundër superfuqisë osmane në shekullin XV, të cilat shërbyen edhe si mite historike të shqiptarëve. Për mitin e krijimit ata shfrytëzuan sukseset e historiografisë dhe gjuhësisë europiane të kohës, që kishin provuar prejardhjen e lashtë dhe vazhdimësinë iliro
shqiptare, duke fillluar me Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1716) e me historianë si Johann Erich Thunmann (1746-1778), Malte-Brunn (1775-1826), Johann Georg von Hahn (1811-1869) dhe Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861, gjuhëtarë tw rangut botwror si Franz Bopp (1791-1867), Holger Pedersen (1867-1953), Kretschmer (1866-1956), etj. Për mitin e Skënderbeut ata shfrytëzuan historinë e heroit tonë kombëtar, siç ishte e bërë e njohur në tërë Europën, kryesisht me veprën e historianit shqiptar të shekullit XVI, Marin Barletit. Kjo ideologji kombëtare ka ardhur duke u zhvilluar dhe konsoliduar, me përkrahjen e shtetit shqiptar, gjatë tërë shekullit të kaluar. Dhe koha provoi se rilindasit tanë kishin të drejtë kur besonin se forca bashkuese e kësaj ideologjije kombëtare ishte aq e madhe sa të hiqte gardhet që kishte krijuar besimi i popullit në fe dhe sekte të ndryshme fetare.
Rilindasit shqiptarë, bashkë me ata arbëreshë të Italisë, patën meritën e krijimit të një sërë veprave artistike, duke përfshirë poema për heronj e ngjarje të mëdha historike, që i bënin jehonë “Motit të Madh” të Shqipërisë, duke krijuar një tabllo artistike të historisë e prejardhjes së popullit e të kombit shqiptar. Ata filluan studimin sistematik të fjalorit dhe të gramatikës së gjuhës shqipe, mblodhën e botuan ligjin dokësor të Lekë Dukagjinit, bënë të njohur në botë kostumet kombëtare dhe thesare të tjera etnografike, botuan vëllime të tëra të folklorit kombëtar shqiptar dhe arbëresh, nisën kërkimet historike gjuhësore, etnografike, etj. Ideologjisë kombëtare i shërbyen edhe ngritja, njera pas tjetrës, e organizatave dhe shoqatave patriotike dhe kulturore në mërgim e në Shqipëri, në gjuhën shqipe (Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip, Shoqëria e Stambollit me degët ë saj në Rumani dhe Egjipt, Shoqëria Drita, shtypi periodik si revista Drita e pastaj Dituria, Shoqëria gjuhësore-letrare Bashkimi në Shkodër, etj.), por dhe në gjuhë të huaja, tekste shkollore shqip me alfabete të ndryshme. Ata krijuan gazetat e para dhe themeluan publicistikën shqiptare. Mitit të madh kombëtar të shqiptarëve i shërbyen zbulimi prej tyre i një sërë simbolesh kombëtare si flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare (zbuluar nga Faik Konica 124 vjet më parë, portretet, armët dhe përkrenarja e tij, dhe përpjekjet e para për krijimin e një himni kombëtar.
Në këtë tabllo të ideologjisë kombëtare shqiptare të Rilindjes kanë kontribuar thelbërisht edhe një sërë dijetarësh europianë të rangut botëror me punimet e tyre për studimin e gjuhës shqipe dhe prejardhjes ilire të saj, të historisë së formimit të popullit shqiptar, me kërkimet arkelogjike dhe etnografike që kryen në trojet shqiptare.
Ideologjia kombëtare në nivelin e çështjeve botore (publike) synonte t’i bënte shqiptarët të vetëdishëm për identitetin e tyre etnik dhe historik, duke u kujtuar atyre historinë e lavdishme dhe luftrat e të parëve tanë si një argument i veçantë për nevojën, por edhe mundësinë, e çlirimit kombëtar, për të jetuar të lirë e për të krijuar shtetin e tyre të pavarur. Në këtë mënyrë, ideologjia e Rilindjes Kombëtare u dha shqiptarëve një imazh ideal të identitetit etnik, shoqëror e kulturor
të ‘Vetes’ dhe ia paraqiti atë imazh ‘Të Tjerëve’, botës së huaj, në një kohë kritike për fatet e popullit dhe kombit. Në veprën e Rilindasve atdheu i lashtë i shqiptarëve paraqitet si një zonjë e rëndë” (Ti ke pas ken nji zoj e rand ”i këndoi i ngashëryer Pashko Vasa), ndërkohë që Naimi profetizonte një të ardhme të ndritur: “Lum kush të ronjë/Ta shohë Zonjë”. Duke huazuar shprehjen e historianit anglo-irlandez Benedkt Anderson (1936-2015), në këtë imazh të mitit kombëtar shqiptar “e shkuara dhe e ardhmja shqiptare shkriheshin në të tanishmen” rilindase. Ky mit kombëtar, ishte pjesë thelbësore dhe e pandashme e ideologjisë kombëtare shqiptare, si dhe ideologjive kombëtare të çdo populli tjetër. Nënkuptimi simbolik i mitit ishte i qartë: Shqipëria ishte dikur një zonjë e rëndë, andaj ajo do të bëhet prapë e tillë.
Në një rajon si Ballkani i asaj kohe, që po ndryshonte politikisht me shpejtësi të madhe, historia etnike dhe kulturore e shqiptarëve u tregoi rilindasve se në në dikotominë Lindje-Perëndim, imazhi shqiptar përputhej me këtë të fundit. Kjo ide e rilindasve gjeti shprehjen në figurën e bukur e kuptimplote të Naimit: Pa jakë o dritë e diturisë / Që lind andej nga perëndon! ” Ky imazh rilindas i shqiptarëve u përvetësua jo vetëm nga intelektualët shqiptarë dhe elita e tyre feudale, por u bë pjesë e përfytyrimit popullor shqiptar për të ardhmen e Shqipërisë dhe thirrje për të punuar në të gjitha mënyrat, duke përfshirë luftën e armatosur, për ta fituar atë të ardhme. Ideologjia kombëtare nuk ishte mësim që iu dha popullit shqiptar së jashtëmi, por ajo lindi së brëndëshmi, në kushtet e Zeitgeist-it, ose frymës së kohës, dhe kushteve të favorshme të jashtme që krijoi shëmbëlli dhe lufta e popujve të tjerë europianë për të krijuar shtetet e tyre kombëtare.
Miti i Skënderbeut ishte përjetësuar në historinë që kishte shkruar për heroin Barleti dhe disa historianë në vende të tjera të Europës, por në poemën Istoria e Skënderbeut të Naimit, heroi merr tiparet mesianike të shpëtimtarit të kombit e të popullit shqiptar. Duke lexuar Naimin, njeriu nuk mirret me verifikimin e së vërtetës historike a me vlerësimin e realitetit historik të poemës, por përveton me emocion kuptimin simbolik të veprës heroike të Skënderbeut, që bashkoi për herë të parë të gjithë shqiptarët në luftën për liri, kundër pushtimit osman. Është ky kuptim simbolik që u jep vlerën e madhe bashkuese dhe “shënjtëron” mitin kombëtar për Skënderbeun.
Nga fundi i shekullit XIX, këtë ideologji kombëtare, Sami Frashëri, e formuloi si një program politik për formimin e shtetit shqiptar, në veprën Shqipëria ç’ka qënë, ç‘është, e ç’do të bënetë. Kështu ideologjia kombëtare shqiptare u formua rreth dy boshteve themelore: rreth idesë së prejardhjes së lashtë iliro-pellazge të popullit shqiptar (tw formuluar dhe argumentuar në vëllimin monumental “Studime Shqiptare” Albanesische Studien. F. Mauke, Jena, 1853 të J.G. von Hahn-it), dhe luftës së tij të pashëmbullt nën udhëheqjen e Skënderbeut. Rreth këtyre dy boshteve u krijuan veprat artistike e kulturore që madhështonin ato dy momente të shquara të historisë së shqiptarëve. Shumë shpejt, në frymën e luftës për liri, ato mite u shënjtëruan dhe emocionet që ngjallnin u romanticizuan dhe u pasqyruan në shkallë të ndryshme dhe në historishkruarje.
Rrënjët historike të ideologjisë sonë kombëtare
Rilindasit shqiptarë nuk e krijuan ideologjinë kombëtare shqiptare nga e para. Merita e tyre historike ishte se ata kultivuan dhe ngritën në nivelin e një ideologjie kombëtare farën e lashtë të identitetit, atdhetarisë e të vetëdijes etnike arbërore, dëshirën e arbër-shqiptarëve për liri, të
shprehur në kryengritjet dhe kundërshtitë e paprera shekullore kundër sundimeve të huaja romake, bizantine, bullgare, sërbe dhe osmane.
Është e njohur se lufta për Shqipëri e kryengritësve shqiptarë të mesit të shekullit XIX i parapriu me dekada zhvillimit të Rilindjes dhe formulimit të ideologjisë kombëtare shqiptare, siç dëshmohet nga folklori i kohës:
“Pse lufton a derëzi ?
As për mua as për ti,
Po për gjithë Shqipëri. ”
Edhe pse nuk ishte kërkesë për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, sidoqoftë kjo tregonte se tharmi i shpirtëror i luftës “për Shqipëri” ishte aty, në mëndjet dhe zemrat e kryengritësve, duke treguar se ata jo vetëm ishin gati, por aktualisht luftonin “për gjithë Shqipëri”. Shekuj para rilindasve, Skënderbeu gjithashtu theksonte se nuk ishte ai që po u sillte lirinë, por atë e gjeti në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij. Të vihet re se lufta e Skënderbeut ishte luftë tërësisht kombëtare, dhe jo fetare, siç është karakterizuar gabimisht në ndonjë rast. Këtë karakter të pastër kombëtar e dëshmon pa dykuptimësi fakti që nën komandën e tij u vunë vetëm forca shqiptarësh etnikë. Ai luftoi kundër osmanllinjve si pushtues të atdheut të tij, siç luftoi edhe kundër venedikasve të krishterë, që mbanin të pushtuara troje gjatë bregdetit shqiptar. Vetë fakti që shqiptarët, si të vetmit pasardhës të ilirëve që i shpëtuan romanizimit, e më vonë sllavizimit, mbijetuan edhe pas 20 shekuj sundimesh etno-asimiluese, dëshmon midis të tjerash, në mos para së gjithash, se ky popull ka ruajtur një mit të madh etno-historik, pa të cilin nuk mund të kuptohet mbijetesa e tij.
Ky mit historik nuk është një deduksion teorik; prania e tij ndër shqiptarët dokumentohet të paktën prej 6 shekujsh, që nga shekulli XV në Historinë e jetës dhe veprave të Skënderbeut të Marin Barletit, sidomos në fjalimet që Skënderbeu u mbante ushtarëve të tij, në të cilat u bënte jehonë lavdisë dhe trimërisë të të parëve arbërorë, prejardhjes së lashtë epirote/arbërore të popullit të tij, duke u bërë thirrje për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut.
Që Skëndërbeu, e me të mbase edhe elitat feudale të Shqipërisë, ishte i informuar mirë për prejardhjen e lashtë epirote të shqiptarëve dhe të luftrave të Piros së Epirit në Itali, kjo del qartë nga letra që ai i dërgonte princit të Tarantos, në të cilën i kujtonte: “Në se kronikat tona nuk na gënjejnë, ne quhemi epirotë dhe duhet të keni dijeni se, në kohë të tjera, paraardhësit tanë, kaluan në vëndin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me romakët dhe ne e dimë se, më të shumtën e herës, u ndanë me nder se sa me turp.” (“Se le nostre cronache non mentono, noi ci chiamiamo Epiroti……”). Akoma më thellë në kohë, themelimi i shtetit të Arbrit, është një provë e ekzistencës, qysh në Mesjetën e Mesme, jo vetëm të një vetëdije të përbashkët etnike arbërore, por edhe të një synimi për krijimin e një shteti etnikisht arbëror.
Fjalët e Skënderbeut për prejardhjen e lashtë të shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dëshmojnë se, të paktën që nga shekulli XV, shqiptarët kishin një mit historik të prejardhjes e të “themelimit kombëtar”. Dhe ruajtja e atij miti historik kombëtar që nga Lashtësia iliro-epirote deri në Mesjetën e Vonë, flet qartë për një vazhdimësi të pandërprerë të vetëdijes etnike iliro-arbërore. Edhe sikur ky mendim i Skënderbeut të ishte një mit historik, ai duhet studiuar po të mbahet parasysh se për historishkruarjen e sotme, një popull dhe historia e tij nuk mund të njihen pa njohur edhe në ç’farë ai ka besuar.
Duke u kthyer te çështja e idealizimit të figurës së Skënderbeut në veprën e Barletit, duhet mbajtur mënd mirë se ai ishte një tipar gjithësor i historishkruarjes europiane të kohës, që vazhdoi deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, me themelimin e historishkruarjes shkencore nga Leopold von Ranke. Duke lexuar historinë e Barletit ne nuk mësojmë vetëm të vërtetat
historike që ajo përmban. Në glorifikimin të bëmave të Skënderbeut që ishte karakteristik për kohën zbulohet një simbolikë dhe vlera të larta morale, që janë aq të rëndësishme për edukimin e dashurisë për atdheun e për lirinë kmbëtare.