Luan Rama/
Atelieri i skulptorit Idriz Balani është disi i veçantë dhe nuk ngjan me atelierët e shumë skulptorëve të tjerë. Një atelier i thjeshtë, në bodrumet e shtëpisë, pa dritare dhe dritë natyrale, e megjithatë, edhe këtu, në këtë vend që për skulptorin është mitik, vend i metamorfozës dhe i përsosjes së formave dhe eksperiencave artistike, kapet fluturimthi përfytyrimi, imagjinata, lëvizja për tu transpozuar në lëndën e gurtë minerale, atë të baltës, allçisë, gurit, mermerit apo bronxit. Pikërisht këtu artisti krijon vepra të mrekullueshme që mbeten në historinë e skulpturës shqiptare. Nuk flas këtu thjesht për skulpturën monumentale të tij, çka flitet shumë në media dhe gjithnjë në kërkim dhe forma dinamike siç e shohim në skulpturën e Bilal Xhaferri apo monumentin e Isa Boletinit, me një portret të mrekullueshëm dhe hapin e tij në lëvizje për ti prirë historisë, por për portrete të punuara me shumë orgjinalitet, dashuri dhe art të madh. Në librin e tij « Portreti i Dorian Gray », Oskar Wilde thotë ndër të tjera se « Skulptura është një udhë mbretërore e artit për të zbuluar sekretet ». E pikërisht, zbulimi i botës njerëzore, i zemrës që pulson, është ajo që spikat në portretet e Idriz Balanit. Duke vizituar galerinë e tij me një sërë portretesh e bocetesh krijuar prej afro gjysmë shekulli, më bëjnë përshtypje veçanërisht dy portrete : ai për mjeshtrin dhe profesorin e tij të skulpturës Sabri Tuçi, i cili kishte studjuar në Romë në fundin e viteve ’30 të shkeullit XX dhe portreti i mikut tim Omer Kaleshi. Në këto dy portrete por dhe në disa portrete të tjera si ai i doktor Karatziadhis , Muharrem Rrushiti, Haxhi Zeka, Portret vajze, etj, duke i vështruar gjatë, më rishfaqet dalta e tij dhe dëgjoj ehon e çekiçit të godasë në kërkim të tipareve njerëzore, të syve, ballit, mollëzave, gojës, frakturave të portretit njerëzor gjer në detajet më të vogla ; ndjej dorën e artistit të rrëshqasë mbi fytyrat e ngurta duke fërkuar gurin, mermerin, bronxin për të vënë në pah një linjë, një rrudhë, duke iu afruar karakterit të personazhit në mënyrë që më në fund, në vargun e ditëve, muajve, portreti më së fundi të mund të flasë, të marrë frymë. Ndjeja ato duar që per dy vjet rradhazi, si emigrant, ai kishte gdhendur mermerin në ndërrjen « Dhioniso » të Athinës njohur damarët dhe zërin e karrierave antike me të cilat punonte Praksiteli. A mund të flasë guri, mermeri, bronxi? A mund ta ndjejmë pulsimin e një fytyre, të një historie, pasi çdo portret ka biografinë, rrugëtimin e vet nëpër histori. Mjeshtrat e mëdhenj na e kanë vërtetuar këtë përmes kryeveprave të tyre përgjatë një historie të madhe.
Idriz Balani është përkundur me historinë që në fëmijërinë dhe adoleshencën e tij kur për herë të parë tentoi të gdhend në gur, çka na e tregon dhe një fotografi e tij e vjetër, në kohë të adoleshencës me një fytyrë plot besim, me çekiçin dhe gurin në dorë për ta transformuar atë në një portret. Në damarët dhe shpirtin e tij historia ka rrjedhur vrullshëm me heronjtë e tij, sëpari me heronjtë e Çamërisë martire dhe të historisë kombëtare. Nuk është e rastit që në galerinë e tij personale ata rradhiten së bashku dhe herë pas here, « heronjtë » kapërcejnë pragun e atelierit për t’iu bashkuar heronjve të tjerë. Para disa muajsh ai ekspozoi në Nju Jork kompozimin e valles së Osman Takës, të cilën e ndiqte që fëmijë në dasmat çame në Durrës. Galeria e tij përbën si të thuash një marsh figurash që mbartin kujtesën popullore me idhuj si Skënderbeu, Ismail Qemali, Andrea Muzaka, Isa Boletini etj, e gjer në figurat legjendare të Kosovës, që duket se është sot një temë e dashur e autorit.
Vështroj duart e tij të vrara, të ashpra dhe mendoj sesa shumë ato kanë kërkuar ne portretet njerëzore, në portrete të njohura siç janë ato të ditëve tona, në portrete më të hershme që fotografia na i ka lënë në një farë mënyre, apo portrete të imagjinuara, ku gojëdhënat dhe letërsia historike na kanë lënë dëshmi për ta si njerëz të zakonshëm e njëkohësisht si heronj. Dhe padyshim, nuk janë thjesht duart e vrara të tij që rikrijojnë figurën njërëzore, por ka diçka më të thellë brenda artistit, një lloj mistike që i vë duart në lëvizje dhe i komandon ato. Padyshim që kur shohim veprat e Mikelanxhelos, imagjinojmë njëkohësisht dhe duart e tij, ato duar të imagjinuara përmes kameras së regjisorit Konçalovski në karrierat e Karraras, apo siç mund të imagjinojmë duart e një Roden, Burdell apo Majol. Duar të rënda, duar te mrekullisë. Duar si instrument të krijimit të së bukurës dhe madhështores, pasi janë ato që trasnmetojnë gjithçka që vjen nga shpirti dhe e brendshmja e artistit, frymën që përcillet nga ai tek vepra, tek materia e ngurtë, për të gjetur një fushë tjetër të shprehjes artistike.
Portreti i profesorit
Çdo artist ruan në vetvete gjurmët e mjeshtërve që e kanë mësuar, frymëzuar dhe nxitur në rrugëtimin e tij, që i kanë treguar se si ta bëj gurin të flasë përmes gjestit skulptural, që portreti apo kompozimi të ketë lëvizje, dinamikë, energjinë e njeriut që çan përmes stuhisë, siç e shohim në monumentin e Balanit për Bilal Xhaferrin.
Idriz Balani nuk e harron takimin e parë me mjeshtrin Sabri Tuçi i cili do ti mësonte artin e skulpturës dhe marrëdhënien me baltën, gurin, për të lënë aty gjurmën njerëzore. Që i ri e ka parë atë si një lloj idhulli dhe ka përjetuar dhimbjen e historisë personale të mjeshtrit. Besoj se ai ia ka mësuar çelësin e suksesit në krijimtari : atë të frymës. Dhe Tuçi mbeti gjithnjë një referencë apo piketë, një dritëz në errësirë edhe pse tashmë Balani e ka shënuar udhën e tij dhe hapi i tij është hap i sigurtë, hap i një mjeshtri të vërtetë, çka e tregoi duke krijuar dhe portretin e profesorit të tij, një portret tepër origjinal dhe njëkohësisht i gjallë, meditues, sfidues. Koka për një skulptor është shqetësimi më i madh për të krijuar një karakter që të mbërthejë thelbin e një njeriu, atë çka primon tek ai dhe që e bën të flasë. A ka shpirt lënda, materia ? Si bënte vallë Milenaxhelo në dehjen dhe vuajtjen e tij, kur në çastin kur nuk gjente frymën, krijesën e tij ai e thyente për ta filluar nga e para ? Për Balanin, kjo është mëse e njohur. Busti i krijuar për Sabri Tuçin është një portret që mbart mirësi, mënçuri dhe një botë humane, por dhe dhimbje e qëndresë. Po si mund ti japësh njëheësh këto ndjenja ? Ky ishte dhe problemi i artisti në fillimin e krijimit të kësaj vepre, i cili e njihte mirë dramën e mjeshtrit, dhimbjen që provoi ky artist kur e ndaluan të bënte skulpturë dhe të jetë artisti. Shoh sytë e tij të thellë, rrudhat, ballin dhe për një çast imagjinoj dorën e artistit që i është rikthyer me qindra herë kësaj fytyre të paqtë ku dhimbja ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme, matricë e tërë kësaj vepre, ku ai përsërit aksiomën e të gjitha kohrave se « skulptura, arti, është jeta ime ! »
Në galerinë e tij, pashë të vendosur përkohësisht portretin në mermer « Mis Kazerta » krijuar nga mjeshtri, kur Tuçi, student për skulpturë në institutin e arteve në Romë, punonte në mermer portretin e një modeli (« Mis Kazerta ») apo Maria Iorio, e cila do të bëhej e dashura e tij, (si në atelierin e Roden me skulptoren e re Klodel) dhe më pas gruaja e tij. Një portret i mrekullueshëm dhe një mësim i vërtetë arti (kopja e të cilit ruhet dhe në Galerinë e arteve në Durrës) por që mbarti shumë dhimbje dhe peripeci familjare, pasi pikërisht Maria do të vuante burgjet totalitare në Shqipëri duke lënë pas këtë portret, që mjerisht termeti i para disa viteve e dëmtoi. Por Balani e mori këtë portret për « t’ia mjekuar plagët » si një gjest i mbijetesës, pasi siç thoshte dikur dhe Balzak « skulptura është si arti dramatik ».
« Koka » e Omer Kaleshit
Në galerinë e portreteve të Balanit ka dhe një « kokë » mjaft interesante. Është « koka » e Omer Kaleshit, një « kokë » që e njoh mirë pasi për më shumë se tri dekada kam qenë i pranishëm në jetën e tij artistike në Paris. Për Omerin ishte një surprizë të shikonte « kokën » e tij në një ekspozitë të hapur në Montmartre të Parisit. Idrizi e kishte njohur piktorin në koloninë e artit në Durrës dhe ajo kokë e kishte tërhequr në veçanti. Ishte një surprizë edhe për mua. Në atë « kokë » ishte ngjizur jo vetëm karakteri i artistit të « kokave » siç i quante Kaleshi portretet e tij në pikturë, por gjithë bota e tij. E ndjeje menjëherë rrugëtimin e këtij njeriu, origjinën e tij, jetën dhe meditimin e tij të thellë si të një dervishi, pasi Omeri, edhe pse në Paris prej më shumë se gjysmë shekulli nuk e kishte ndryshuar natyrën e tij. Ishte po ai botkuptim me vështrimin e thellë të thelbit njerëzor. Ai portret që shikonte disi poshtë e treste vështrimin larg. Një vështrim që përhumbte siç e kemi parë tek « Mendimtari » i Ogyst Roden. Dhe Omeri, ashtu si Idrizi, e kishin Rodenin një lloj reference të artit të madh. Një përhumbje të tillë të Omerit e kisha ndjerë dhe në portretin e famshëm « Psalmi » të Kamij Klodel, mbuluar me një shall dhe në një meditim të thellë ashtu si dhe në kokat e murgjëve të spanjollit Zurbaran, apo dhe një portret në gur të Ossipe Zadkin të quajtur « Kokë heroike ». Pra portreti i Omerit mbërthente në vetvete një lloj misteri, një pikëpyetje të madhe të botës, siç e ndjeje dhe në portretin për Sabri Tuçi, një mister që forcohej përmes « clair-obscur » apo raporteve « të ndriçuara e të errta » ngjizur në të.
Kur mbrëmja po afrohej unë u largova nga kjo galeri, nga ky vend kulti, ku vetë artisti përgjërohej me daltën në dorë, si të ishte një vend i shenjtë. Vështrova për herë të fundit portretet, Muharrem Rushitin, doktor Karatziadhis apo Haxhi Zekën etj, dhe pyeta veten se ç’bëjnë portretet kur dera e galerisë mbyllet. Vallë bisedojnë ? Çfarë i lidh mes tyre. Thjesht duart e skulptorit apo diçka më e thellë ? Me siguri fryma, thashë. Janë portrete që frymojnë Në portretin e doktor Karatziadhis kishte një lloj flladi të humanizmit të antikitetit grek dhe epokës homerike. Dhe në fakt, tek ndahesha me skulptorin, duke biseduar për Rodenin dhe mjeshtërit e parapëlqyer të tij (ashtu si dhe profesoret e Institutit të Arteve A. Mano, H. Dule apo M. Dhrami) e pyeta se çfarë i bënte përshtypje tek ky mjeshtër i madh i skulpturës botërore. Dhe ai mu përgjegj shpejt dhe me një fjalë : Fryma !
U largova në mbrëmjen që po binte ndërsa dielli po shuhej thellë në det duke menduar përsëri se është arti që i bën të frymojnë idhujt e historisë edhe pas vdekjes së tyre.