Shkruan:Fadil LUSHI*/
Thonë se “modestia është virtyt për aq kohë sa njeriu nuk e proklamon si të tillë”. Ngandonjëherë modestia e tepruar lëre që kalon në banalitet, por edhe keqpërdoret, saqë edhe “di të ta hajë kokën”, të të bëjë budalla a të marrë dhe, në instancë të fundit, shpesh “di edhe të të bëjë njeri pa sherr”. Ç’është e vërteta, disa ditë më parë ca njerëz “vdekatarë”, që hiqen më të ditur se ne e që nuk duan të dinë për modestinë, me a pa qëllim për pak sa nuk “na i hoqën kokat”. Mësuesit korçarë e kanë shumë për qejf ta lakojnë atë proverbin e vjetër shqiptar, ku thuhet se më mirë është të kesh një armik të mençur, sesa një mik budalla a bastard. Kështu, disa ditë më parë, armiku im që është më i mençur se unë, më parashtroi disa pyetje lakonike rreth 7 Marsit. Pyetja e tij e parë ishte: “Deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që hodhën farën e dijes, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që ndërtuan atë kështjellën e pamposhtur të shkollës suaj…, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni me pietet dishepujt dhe shërbëtorët e popullit dhe vatanit tuaj…, deri kur ju shqiptarët myslimanë dhe bektashinj do ta rikujtoni Pandeli Sotirin, atë ortodoksin nga Korça i cili e humanizoi shkollën e parë në gjuhën shqipe, deri kur ju shqiptarët katolikë dhe ortodoksë do t’i rikujtoni vëllezërit nga Frashri i Përmetit, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni rilindësit tuaj dhe të tjerë të tillë si ata”. Ia ktheva se ne shqiptarët myslimanë do ta kujtojmë Pandeliun ortodoks nga Korça për aq kohë sa do të ekzistojnë shqiptarët, do ta rikujtojmë e do ta nderojmë për aq kohë sa do të frymojë harmonia fetare ndër shqiptarë, do ta nderojmë për aq kohë sa do të jetojë ajo shprehja filozofike dhe unike e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!” Ndonëse pyetjet e armikut tim të mençur ishin lakonike, në esencë mbeten altruiste, emancipuese dhe humaniste…, në krahasim me “mikun tim që është më budalla” se unë, i cili në vigjilje të çdo manifestimi kulturor kushtuar datave të shenjta të shqiptarëve, nuk heziton të më parashtrojë pyetje idiotike, duke më thënë: “Deri kur ti dhe të tjerët të tillë si ti do na bezdisni me këto “telenovela” për 7 marsin, 22 nëntorin, 28 nëntorin e të tjera data të sajuara(!?)”… Nuk ia ktheva përgjigjen, jo se më mungonte, por pse nuk desha ta “trash muhabetin“, që mbase edhe nuk ishte kushedi se çfarë “muhabeti”. Vendosa të hesht duke shpresuar se një ditë do të marr atë lajm që llafos konvertimin e tij nga shqiptari në sllav a në kaur…, nga gjysmë shqiptari në lesh arapi…, nga njeriu në viç provincialisti (!?).
Këtë vështrim nuk e kemi ndërmend t’ia dedikojmë armikut tonë të mençur, aq më pak “mikut tonë bastard”, këtë të fundit do e heqim mënjanë, sepse nëse ky do të zinte vend në këtë opinion, atëherë nga kjo do të dilte pilaf me kos dhe tarator për rakixhinjtë. Para se të vazhdojmë ndërtimin e opinionit në fjalë, do t’i referohemi një paragrafi të Faik Konicës, i cili në revistën e tij mujore “Albania” (që botohej në Bruksel), më 15 shtator të motit 1901, një të riut i kishte shkruar a kishte përcjellë ca këshilla pasonjëse…, në lidhje me një gazetë shqip që asokohe duhej të botohet në Misir (Egjipt). (Ne që shkruajmë këtë opinion, duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se s’është korrekte hiç fare që shkrimin ta “ushqejmë” me mendime të huaja, në rastin tonë me ato të Faik Konicës). Meqenëse, edhe sot e kësaj dite të Perëndisë, ajo thënia e tij mbetet aktuale dhe pse jo edhe unikale, një thënie që reflekton gjithë filozofinë e inatit homerik ndër shqiptarët, një inat që ka zënë vend në përditshmërinë e tyre, andaj edhe përkundër rregullave të gazetarisë “besojmë se do të na lejohet” ta parafrazojmë pikë për pikë.
“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”…
Disa ditë më parë, unë dhe disa miq të mi, nuk deshëm të “… bëjmë gazetë me fletë të mëdha, as me fletë të vogla, as me letra të holla e as të trasha…, as shkrojtëm toskërisht e as gegnisht…, nuk shkrojtëm as për politikën e as për Padishahun, as për Vezirin e as për Turqinë…, nuk shkrojtëm e nuk shajtëm shqiptarët muhamedanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj…,” ne nuk deshëm të themi se ky manifestim dedikuar mësuesit është më i miri…, këtë ua lamë ta vlerësojnë dashamirësit e shkollës shqipe…, përkundrazi organizuam akademi solemne kushtuar ditës më të shenjtë të shqiptarëve, 7 Marsit, gjegjësisht Ditës së Mësuesit…, atë akademi nuk ua kushtuam as politikanëve e as akademikëve, as ministrave, as biznesmenëve, as megalomanëve, as sherrxhinjve, as “mikut tonë” bastard, as njerëzve që mendja u është bërë “havale”, as njerëzve me paragjykime, thjeshtë (e bëmë aq sa mundëm) deshëm t’ia dedikojmë… mësuesit të vërtetë…, atij mësuesi i cili asnjëherë “nuk kërkoi asgjë në këmbim…,” atij mësuesi me shëndet të brishtë, atij mësuesi me një mal dashurie të çiltër për nxënësit të tij…, atij humanisti që është familjarizuar me gjithsecilin prej nesh…, atij iluministi dhe mallit të tij. Ua dedikuam “të gjithë mësuesve të vërtetë…, atyre heronjve të heshtur të dashurisë sonë fëmijërore, udhërrëfyesve të jetës sonë, bartësve të filozofisë së jetës, Mësuesit”, siç do të thotë Lindita Nikolla. Me gjithë sakrificat, me gjithë mundin që dhamë për këtë akademi solemne…, ca njerëzve e gjithë kjo nuk u pëlqeu fare, sidomos atyre që kërkojnë ta gjejnë gjilpërën në thesin me kashtë!? Ngandonjëherë të marrit nuk i duhet koka…, po mbase herë-herë edhe të mençurit nuk i duhet kryet, sepse do ta “përdorë si lavatriçe të vetëlavdërimit dhe mendjemadhësisë së tij”(!?). Modestia e tepruar dhe ajo përulja jo e merituar ndaj njerëzve të paragjykuar, mund të të sjellë “telashe”, sidomos me njerëzit me të cilët nuk ke gjë të përbashkët. Andaj, është mirë të jesh modest, por ama, gjithsesi “me karar dhe pa zarar” Sa shumë kishte pasur të drejtë Konica kur ia kishte përcjellë ato këshilla pasonjëse atij të riut që mëtonte të botonte një gazetë.
*Bashkepunetor i Diellin-Tetove