Kur e pashë në intervistën e gazetës Dita, dt 28 nëntor 2014, mu kujtua historia e ambasadës/
Nga Ilir Levonja/
Aty rreth viti 1995, dimër, ndodhesha në radhë në oborrin e ambasadës italiane. Përpara meje qe një burrë I gjatë me të cilin shkëmbyem disa fjalë. Unë pyesja veten se ku e kisha pare. Çfarë më kujtonte ajo fytyrë e qeltë, etj.., etj.. Ndërkohë që hiç mendjen se radha qe ndërtuar në bazë të indeksit të gërmës me të cilin fillojnë emrat.
Pas meje dy burra të tjerë dhe një grua me veshje popullore të ultësirës së Lezhës. Burrat pas meje se si e shikonin atë përpara. Biles edhe ata më mbrapa. Diç pëshpërisnin, po unë nga që po kotesha në ato momente, ku njeriu lodhet të gjej se ku? Se kush është? Se cilin I kujton?. Nuk e dëgjoja pëshpërimën e tyre.
Befas burrin me të cilin unë qeshja me fjalët që thoshim, e thirri një polic. Diçka biseduan. U hap një derë dhe një officer Italian I priu brenda. Doli pas pak I qeshur. Duke vendosur pasaportën në xhepin e përbrendshëm të palltos, më përshëndeti dhe iku.
Malësorët e Lezhës u çliruan dhe zunë nga fjalët. Jo si I ndrinte fytyra,? Ja, qimen si kanë prekur. Jo po kujton se u rrit me krunde si ty ai. Dialogë të tillë. U bëra kurioz dhe I pyeta. Ata më thane se quhej Ilir Hoxha dhe ishte djali i Enverit.
Kur e pashë në intervistën e gazetës Dita, dt 28 nëntor 2014, mu kujtua historia e ambasadës. Ose më saktë, sa here që e ndeshja në faqe shtypi, më shkon mendja tek ai oborr, tek ai dimër. Mbi të gjitha më rri i gjallë ballafaqimi i vështrimeve të tyre të frikshme, lëkurave që kishte njëri dhe ato që kishte pala tjetër e burrave të Lezhës. Ndofta e imja mund të ishte pak më ndryshe për shkak të moshës së re. Gjithmonë nuk kam dashur ta kujtojë…, por kur adashi im flet për sukseset dhe arritjet e asaj ekonomie. Më hanë të gjallë fytyrat e malësoreve…, lëkurat e rreshkura dhe shpinat e drobitura. Frika gjer në palcë. Aq sa akoma nuk u besohej liria. Flisnin zëshuar për shkak të prezencës së tjetrit.
Nga ana tjetër ata thane se qimen nuk I kanë prekur. Por kjo, ankesë jo nga vetja. Nuk thanë, ja qimen nuk po i prekim. Sikur e prisnin nga dikush tjetër. Ndofta nga shteti? Ndofta nga shoqëria ? Kutadish?
Ai foli për arritjet, kurse mua mu kujtuan radha e fshatarëve të Darsisë. Pikërisht në dimër. Na prisnin ne nxënësve të shkollave të qytetit, pranë dyqaneve të bukës. Vetëm për një bukë gruri. Fshatarët e Myzeqesë time, hambarit të Shqipërisë, hanin për vete bukë misri me sheqer. Arritja e socializmit.
Megjithatë këto janë fletë të palosura. Por diçka është më shumë se e trishtueshme aty. Gati tragjike…, ngërthurja e viktimave. Ai thotë ”ata qё vrasin protestues paqёsorë nё mes tё bulevardit” . Padyshim që e ka fjalën për 21 janari 2012.
Të vdekurit e një shoqërie janë faqja e zezë e saj. Jo lavdia e suprinës së cilësdo qeverie. Së cilitdo opozitari. Përdorimi i emrave, apo vdekjeve në raste të tilla është rrufjanllëk. Në këtë kontekst, tavolina e qeverisë së sekretarit të socializmit është një kazermë viktimash. Unë nuk po e përdor më krahasimin me faqja e zezë. Sepse në atë socializmin e babait tend, është faqja e dheut të zi.