IMAM EDIN GJONI: TA FORCOJMË FRYMËN E VËLLAZËRISË NDËR SHQIPTARËT SI NË SHPALLJEN E PAVARËSISË/
– Është me rëndësi ta afirmojmë dhe ngremë vazhdimisht sentimentin e vëllazërisë, i cili dominonte në mes të shqiptarëve në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, pa dallim fisi, treve apo feje. Njëherazi, kjo frymë e vëllazërisë duhet mbrojtur, kultivuar dhe respektuar, po aq, sa respektohet e nderohet ky Flamur Kombëtar!-
Nga Lutja Fetare në Darkën e Flamurit, organizuar nga Vatra dhe Bashkësia Shqiptare- *
Pasi i është drejtuar Kryetarit të Vatrës,z. Dritan Mishto, kolegëve klerikë- dom Pjetër Popaj dhe father Hieromonk Nikodhim, si dhe pjesmarrësve në në Darkën e Festës së Pavarësisë organizuar nga VATRA dhe Bashkësia Shqiptare ; Imam Edin Gjoni, ka uruar: Gëzuar festën e Flamurit!
Më tej ai komentoi se: Në këto ditë e netë të festës sonë të madhe Kombëtare, ku qëndrojmë rreth Flamurit të përbashkuar, me një zemër, me një dëshirë dhe një qëllim, përkujtojmë ditën e Vjeshtës së vonshme të vitit 1912, kur etërit tonë të udhëhequr nga Ati i Pavarësisë, Ismail Bej Vlora, firmosën Deklaratën e Pavarësisë të shtetit Shqiptar, dhe ngritën në Vlorë Flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenare mbi të.
Shpallaj e Pavarësisë së Shqipërisë erdhi si fryt i përpjekjeve vëllazërore të shqiptarëve anë e mbanë tokave të tyre etnike, të cilat tejkalonin kufijtë në të cilat Shqipëria do të mbetej. Njëherazi, në realizimin e këtij projekti, do t’i përfshiheshin njëlloj edhe ata që fizikisht nuk ishin prezent në Vlorë ditën historike të shpalljes së Pavarësisë. Dhe kjo përpjekje e gjithmbarshme, ky akt monumental në historinë tonë, -si asnjëherë më parë, paraqet kulmin e asaj që Hegeli në filozofinë e vet idealiste do ta quante ideja e vetë- vetëdijësim dhe vetë-realizim(vetëartikulimi) Kombëtar të një populli(Selbst-verwirklichung).
Si figurë fetare që jam, tha më tej, Imam Edin Gjoni, nuk mundem që të mos magjepsem nga fakti që në aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, patën kontributin e tyre figura të nderuar fetare. Krahas Vexhih Buharasë dhe Ferid Vokopolës, si figura eminente, kishin kontribut madhor, Kryetari i Pleqnisë(Senatit ) në Kuvendin e Vlorës,me propozim të Luigj Gurakuqit, Myfti Vebi Efendi Agolli( apo Vebi Dibra) dhe zëvendës/ Kryeministri i Qeverisë së Vlorës Dom Nikollë Kaçorri. Është interesant fakti se të dy këto figura ishin prej Dibre. Salla shpërtheu në duartrokitje kur Imam Gjoni komentoi: Si sonte, unë dhe Dom Pjetri, vijmë nga Ulqini, nëse disi me mrekulli të Zotit do të na jepej mundësia të mbarteshim në Nëntor 1912 në Vlorë, me respekt të madh ndaj atyre të dyve, Vebi Dibrës dhe Dom Nikoll Kaçorrit, unë po mbaj shpresëse ato dy poste do ti mbanim ne të dy, dom Pjetri nëkryetar i Qeverisë dhe unë, Kryetar i Senatit.
Në të vërtetë, shtoi Imam Edin Gjoni; atë çfarë dua të them është se për ta mbajtur frymën kombëtare të Nëntorit të 1912-ës, padyshim që është me rëndësi ta ngremë Flamurin Kuq e Zi në këto ditë të festës Kombëtare, në vendlindje dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Botë. Kam përshtypjen se çdo bijë e bir shqiptari që ngre Flamurin, e bën këtë me të njëjtin zell dhe sentiment, sikur ngrihet për herë të parë në Vlorë. Megjithatë është po aq me rëndësi ta afirmojmë dhe ngremë vazhdimisht sentimentin e vëllazërisë, i cili dominonte në mes të shqiptarëve në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, pa dallim fisi, treve apo feje. Njëherazi, kjo frymë e vëllazërisë duhet mbrojtur, kultivuar dhe respektuar, po aq, sa respektohet e nderohet ky Flamur Kombëtar. Ngase kjo është ajo çfarë në realitet e ngriti këtë Flamur me 28 nëntor 1912 dhe ajo çfarë e solli Pavarësinë. Dhe siç tha Ismail Bej Qemali:” e ardhmja e Shqipërisë është sigurue. Ju porosis, duke u mëbshtetur fatit të Atdheut, të punoni bashkë si vëllezër!”
Lus Zotin e madh që të na ndihmojë në këtë drejtim!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin shqiptar, kudo që të jetë!
Zoti e bekofët këtë tokë e këtë popull me të cilët Zoti e ka lidhë fatin tonë, si popull dhe Komb, Shtetet e bashkuara të Amerikës!
Zoti Ju bekoftë të gjithë Juve!
Urime Festa e Pavarësisë!
* Lutja e Imam Edin Gjoni në Darkën e Flamurit organizuar nga Vatra dhe Bashkësia Shqiptare me 30 Nëntor 2018 në Royal Regency Hotel. Në Darkë ishin të pranishëm klerikët e të tre besimeve fetare: Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”, Imam Edin Gjoni nga Xhamia e Queensit si dhe father Hieromonk Nikodhim, prift i kishës Orthodokse St. Nicholas në Nju Jork.