
NGA ALFONS GRISHAJ/
Në shekuj fjalët më të anatemuara janë: Imoral dhe amoral! Këto dy fjalë hyjnë në sistemin e dytë të sinjaleve (filozofi) që krijonë mundësinë e orientimit shkrimor dhe atë verbal. Megjithëse si terminologji, termin amoral e hasim të përdoret në shekujt XVIII e më vonë , për herë të parë (në mos gabohem), e hasim tek Marcus Aurelius në “Meditime”.
Linguistët e huaj shpjegojnë se imorali njeh mirë aktin e vet, kurse amorali e bën gabimin por nuk e kupton ose nuk ka dëshirë t’a kuptojë.
Ndërsa, amoralja në shqip presupozon humbjen e normave morale, kurse imoralja, nënkupton direkt mungesën e ndershmërisë së mashkullit apo femrës.
Pa hyrë në filozofi, duke “përjashtuar” animizmin dhe apologjetikën, dimë që morali është tërësia e parimeve dhe normave që përcaktojnë sjelljen e qenies tonë në rrethana të caktuara shoqërore, politike, familjare, ekonomike; manifesti i principeve të larta humane.
Me një zanore (A ) apo (I) ndryshon kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Këto dy fjalë, shumë herë i ngatërrojnë dhe i përkufizojnë si të njëjta, por nuk janë të tilla. Po cila fjalë është më prush?
Sipas mendimit tim, Imoraliteti ka të bëjë me personat që udhëhiqen nga pasioni kundër koshiencës, e cila impulsohet nga momenti, xhelozia, fatkeqësia apo instikti. Fakti është (fatkeqi kur kap momentin e braktis kurthin…), se instikti është aq i egër sa injoron normat e sanksionuara që shoqëritë i kanë (ndryshuar) vendosur në shekuj. Imoraliteti nuk është dashuri, por zbavitje instinktive kafshërore! St. Agustini thoshte: “Pas kontaktit seksual të gjitha kafshët janë të mërzitura”. Më vonë, këtë citat do ta huazonte dhe do ta bënte si të vetin filozofi gjerman Artur Shopenhauer.
Nëse ndonjëri e koncepton prostitucionin si dashuri, do të ishte një kontravers djallëzor. Dashuria nuk është instikt shtazor, por çelësi i universit, perceptimi apogje i shkallës hyjnore.
Qëherthi, në shoqërinë e shekullit XVIII e më pas, amoraliteti ishte më tepër i papranueshëm dhe më i frikshëm se imoraliteti, sepse amorali është mohues, nuk ka ndërgjegje, nuk ka subkoshiencë. Amoraliteti është legenmbajtëse e veseve të këqija në pafundësi. Amoralja mund të përdorë imoralen për qëllimet e veta, ashtu siç përdorën romakët, kurtizanen e bukur Eftibida për të përçarë dhe thyer ushtrinë e Spartakut, apo kur, nëpëmjet bukuroshes Lldiko helmuan Atilën e pathyeshëm. Mbase në atë kohë nuk përdorej termi amoral, por rastet përkojnë katërçipërisht si ilustrim aktual.
Si atëherë dhe sot, amoralët e përdorin imoralitetin për të peshkuar, që nga politikanët deri tek kriminelët. Pra, si shumë politikanë dhe kriminelët janë dashnorë të imoralitetit dhe imoraliteti viktima e tyre. Tek të dyja palët shkalla e rrezikut është e njëjtë. Ata frymëzohen deri në ekstazë (trofe e privilegjeve apo dhunës), për të gëzuar aktin final.
Sipas mendimit tim, amoraliteti është oazi që notojnë njerëzit me dy fytyra, politikanët e korruptuar, banditët, gënjeshtarët, mashtruesit, fallsifikatorët etj.
Amoralët janë ushqyesit e gramit në fushat e shoqërisë që çojnë në deformimin e historisë, shkencës, shtetit; asfiksojnë zhvillimin deri në vrasjen e qelizave të jetës, siç është dhe ligji i abortit !!!
Dhe në fund, dy fjalët e titullit do t’i përkufizoj:
Dramë dhe Tragjedi !