MUHARREM SHERIF KRASNIQI-VETERAN I ARSIMIT NË LUG TË BARANIT(1921-2015)/
Nga HARRY BAJRAKTARI/
Në Vranoc vdiq Muharrem Krasniqi, veteran i arsimit dhe mësuesi i parë në Shkollën fillore në Baran të Pejës. I ndjeri rrjedh nga një familje e njohur me traditë patriotike, e cila në perudha të ndryshme historike ka dhënë kontribut të çmueshëm në luftë për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe të rojeve tjera etnike shqiptare. Nga rinia e hershme Muharrem Krasniqi iu përkushtaua shkollimit dhe arsimimit të popullatës së Lugut të Baranit, duke marrë parasysh se, në kohën kur ai u emërua mësues në Baran në vitin 1943, numri e shqiptarëve të arsimuar ishte fare i vogël, jo vetëm në këtë anë, por në tërë Kosovën. Duke parë këtë situatë të vështirë të arsimit në gjuhën shqipe dhe mungesën e kuadrove në këtë fushë, Muharrem Krasniqi nuk kursei as kohë as mund që t’ u dalë në ndihmë banorëve të Vranocit dhe të fshatrave të Lugut të Baranit.
Muharrem Krasniqin, pas përfundimit të Luftës së II Botërore, më 1945/ 1946 e gjejmë prapë në Shkollën e Baranit. Duke qenë një kohë drejtues i këtij institucioni të arsimimit fillor dhe mësues, ai ndërmori një aksion të gjerë për regjistrimin e një numri sa më të madh të nënësve në klasën e parë, ku në atë kohë kishte familje që hezitonin për t’i dërguar fëmijët e tyre në bankat shkollore. I motivuar nga vullneti i madh, Muharrem Krasniqi hyri shtëpi për shtëpi për t’ i bindur bahkëvendasit e tij dhe të rretinës se pa shkollimin e fëmijëve nuk mund të ketë përparim dhe vetëdije kombëtare. Aksioni i këtij arsimdashësi u kurorëzua me shumë sukses nga një vit në tjetrin, gjithnjë duke shtuar numrin e nxënsëve në shkollë të Baranit, e cila së shpejti do të bëhej edhe qendrër e rëndësishme e arsimimit në këtë anë.
Ky veteran i arsimit punoi edhe në disa shkolla të tjera të Dukagjinit dhe më larg, duke kontribuar në përhapjen e dijes nëpër fshatra në një periudhë tejet të vështirë për popullin e Kosovës, ku njerëzit e arsimit ndiqeshin nga politika shoveniste e Beogradit, hudhëhequr nga krimineli Rankoviq.
Muharrem Krasniqi, përveç shkollimit, u pajis me dije edhe me leximin e librave dhe veprave të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj, kishte një vullnet të lartë për të kontribuar në çështjen e kulturës. Edhe vetë u muar me veprimtari krijuese dhe me kultivimin e folklorit dhe kulturës materiale në Lug të Baranit. Ai kishte edukuar shumë breza nxënësish, duke i mësuar se një popull mund të ketë perspektivë vetëm nëse është i arsimuar. Ky mësues i orëve të para ka merita të jashtëzakonshme se bindi shumë prindër të Vranocit dhe rrethinës për t’ i dërguar vajzat e tyre në shkollë, atëherë kur ndër ne ende mbretëronte fanatizmi dhe prapambeturia.
Muharrem Krasniqi i përket familjes së Sylërexhëve të Vranocit, e cila ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve tjera shqiptare. Luftoi vazhdimisht kundër pushtuesve në periudha të
ndryshme: Turqisë, Mbretërisë serbo-kroato sllovene dhe jugosllavisë komuniste. Nga kjo familje është edhe dëshmori i kombit Ardian Krasniqi, i cili ra heroikisht në Kliçinë të komunës së Pejës për lirinë e Kosovës në luftë kundër forcave serbe, të cilat ushtronin dhunë e terror në gjithë Kosovën. Florin Krasniqi, është djali i Muharrem Krasniqit, i cili ndihmoi luftën e UÇK-së në armatim dhe forma të tjera dhe ishte deputet për një mandat në Parlamentin e Kosovës.
Vepra dhe kontributi i Muharrem Krasniqit do të përkujtohet gjithherë me pietet dhe dashuri nga banorët e Vranocit dhe arsimdashësit e Lugut të Baranit.
Kujtimi tij do të jetë me ne.