PALOK TRABOINI-(Hot, 10 prill 1888 – Shkodër, 14 korrik 1951)/
Mësues, sekretar i Ded Gjo Lulit, flamurtar e luftëtar i Deçiqit, publicist dhe poet./
Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj. Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit, Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në Shkollën Tregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti (i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, “Motra Tone” e Kolë Arsen Idromenos. Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emërohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumenj e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan. Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-11 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe, më 24 mars 1911. Dedë Gjo Luli, të cilit i shërbente si sekretar (sipas shkrimeve të Gjush Sheldisë që mbajnë vitin 1959), duke qënë se ishte i vetmi hotjan i shkolluar, njohës i shumë gjuhëve dhe i pari mësues i Malësisë së Madhe, e ngarkon me detyrë të sjellë flamurin kombëtar të porositur muaj më parë nga Kolë Ded Gjo Luli gjatë një vizite që kishte bërë në kancelaritë e oborrit perandorak në Vjenë. Por, disa hotjanë të moshuar, luftëtarë të kryengritjes antiosmane, thonin se flamuri ishte porositur në një punëtori artistike të kryeqytetit perandorak me përkujdesjen e pretendentit si pasardhës i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Ky pretendent për kurorë në Shqipëri që mbante një emër të gjatë aristokratik Juan Alardo Castriota de Perez y Valesco, më herët kishte patur lidhje me Faik Konicën, por më pas shkrimtari ynë e kishte satirizuar thekshëm. Flamuri që solli Palok Traboini është pikërisht ai që njihet si “Flamuri i Dedë Gjo Lulit “ dhe është fiksuar në fotografi nga Kel Marubi me shënimin “Flamuri që u ngrit në Deçiq”. Ai flamur është shpalosur së pari tek Kisha e Traboinit në Hot, dhe luftëtarët …’e ngritën disa herë në Majën e Bratilës, duke i paraprirë kështu shpalljes së pavarësisë e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë me 1912”. (sipas Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, 2002).
Palok Traboini ish mik e bashkëluftëtar me poetin Hilë Mosi, tribunin Luigj Gurakuqi, shkrimtarin e botuesin e shquar Dom Ndoc Nika, me luftëtarë si Prel Keri e Ndoc Deda, i afërt shpirtërisht e familjarisht me Kolë Idromenon, inxhinjerin Zef Skanjeti e Jak Zorbën, koleg me mësuesit Mati Logoreci, Lazër Lymezi, Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Lukë Lukaj, Kolë Laca, Pjetër Pali (mësues ekzekutuar nga diktatura menjëherë pas luftës së dytë botërore) e tjerë.
Ka qënë një prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Koha – Bashkimi“, Shkodër 1910, ku gjenden koleksionet e shkrimeve, të cilat bashkë me poemën epike “Lufta e maleve“ për kryengritjen e vitit 1911, përbën krijimtarinë e tij të zbuluar deri më tash, si autor i para pavarësisë. Palok Traboini është bashkëthemelues i Internatit (ose siç quhej në Mirditë ) Konviktit “Mirdita”. Konvikti “Mirdita u themelue në vitin shkollor 1925-1926 në një pjesë të Qelës së Abacisë. Në atë vit shkollor Kolë Dema ishte drejtor, Cin Çapeli dhe Palok Traboini mësues (AQSH, F.586, viti 1930, D.105, f.1).
Veç Oroshit të Mirditës(1925-26) ka qënë mësues në shkollën Franceskane, në Barbullush (1923-1924), në Shirokë( 1930-31), Bërdicë, Bajzë të Kastratit, Hot i Ri, në fshatrat shqiptare në Mal të Zi dhe Traboin të Hotit( 1940-1942).
Është propozuar për t’u dekoruar pas vdekjes nga veteranët kombëtarë të Hotit të Ri, në vitin 1962, si luftëtar për pavarësi, por edhe si i pari mësues i Malësisë së Madhe, por Kuvendi Popullor i atëhershëm e ka lënë në harrim, ashtu siç vazhdojnë ta lënë në harrim edhe sot e kësaj dite shtetarët e kohërave të reja, edhe pse demokracia shumë gjëra i ka rishikuar për të shmangur denigrimet e qëllimshme historike.
Shpirti, idetë e atdhedashuria e zjarrtë i kanë mbetur derdhur në esè e vargje, ndërsa trupi i luftëtarit që kish marrë edhe plagë, më 14 korrik 1951 shkoi të pushojë në Rrmaj, në varrezën katolike të Shkodrës.
Falë librit të çmuar të Petraq Pepos, shkrimeve historike të At Donat Kurtit, kujtimeve të botuara apo të lëna, të luftëtarit kryengritës Martin Ujk Çeku-Traboini, regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti që ruajti dhe ma dorëzoi kopjen e vetme të poemës së humbur “Lufta e maleve” të vitit 1911 të Palok Traboinit, falë fondit të çmuar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë ku m’u vunë në dispozicion numrat e gazetës “Koha Bashkimi”, Shkodër, të vitit 1910 dhe revista “Hylli i dritës”(1937), falë thesarit tonë kombëtar Fototekës “Marubi”, e, për të mos i harruar, ish nxënësit e miqtë e tij në të gjallë si Pjetër Hil Pali, Gjergj Gjok Shabani, Palok Prel Vuçetaj, Kolë Duku dhe Preng Gruda që më vunë në dorë dëshmitë e dorëshkrimet e tyre është bërë e mundur që në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë të botohet libri “Flamuri në Deçiq” me autor Palok Traboini (Gojçaj). Gjithçka që ka të bëjë me krijimet e Palok Traboinit janë botuar pjesërisht më parë apo kanë mbetur në dorëshkrim dhe i takojnë viteve 1908-1911. Libri përfshin katër kapituj që paraqesin aspekte të ndryshme të krijimtarisë e të jetës së këtij autori. Promovimi i librit të Palok Traboinit “Flamuri në Deçiq” është bërë në Prizren ku ka shërbyer mësues para pavarësisë si dhe në Tuz të Malësisë, ku është dhe vendlindja e tij.
Nuk ka asnjë dekoratë apo vlerësim nga shteti shqiptar dhe megjithëse propozuar nga veteranët e Pavarësisë në vitin 1962, nuk ka asnjë shkollë me emrin e tij, anipse është mësuesi i parë malësor dhe shkollën e Hotit të Ri e ka themeluar me inisiativën e shpenzimet e veta.
Mosmirënjohja njerëzore është cilësia më e keqe që mund të kenë njerëzit, por kur kjo mosmirënjohje ndodh nga shteti, kjo konsiderohet më e rëndë. Sepse kur një shtet nuk nderon atdhetarët, kështu ai harron e çnderon vetveten përkarshi popujve e kombeve të tjerë.
Mark Gjonaj says
Informacioni ma i plote qe kam lexuar per kete figure, qe nuk mund t’i ndajsh nga heroi i popullit D. Gjonluli. Kam komentuar me shume si kritik, dhe me qindra e mija shkrime ne Websitin e njohur ne Michigan “Albdreams.Net”, se shume fjale, shprehje e shkrime shkruhen per heroizmat e asaje krahine qe i eshte dhene dhe dekorata “Nderi i Kombit”, por per kete figure bindese nuk kam pare asnje shkrim dhe e kam bere shume here pyetje qe ky ja ku ndodhet dhe ne librin e heroizmit te figurave te kombit sa nje male dhe mozollahe qe te shkruaje cofte dhe dy llafe ndonje intelektual i Malsise. Une nuk mund te gjeje fjale me te meritueshme se mbyllja e ketij shkrimi, por kur e gjejne kohen te dekorojne, lavderojne dhe bejne buste shtatore edhe per antikometare dukshem ne mes Tiranes dhe gjetke, une si shqiptare nuk mund t’i ve emer tjeter ketij lloje shteti pervecse maskara!
Bep Pjetri says
Shkrim pa autor.
Mendoj se personaliteti P. Traboini i ka borxh të madhe historia dhe Hoti, madje dhe tanë kush flet shqip. Duhet çue n’kambë gjithë Hoti, vendi ku u lind e u trimnue, Shkodra që e edukoi dhe arsimoi, kryepleqnia dhe bajraktarët e Hotit e t’i japi dimensionin që i takon n’Histori e në Librin e Nderit të Kombit!