Me 27 nëntor 2024 ndrroi jetë qetësisht pranë familjes humanisti shqiptaro-amerikan Dr.Sami Repishti. Lindi në Shkodër, Shqipëri, 1925. Aty kreu filloren e të mesmen; filloi universitaren, histori modern në Universitetin e Firenze-s. Studenti Sami Repishti, 14 vjeçar, u aktivizue në demonstratat studenteske të 5-7 prillit kundër pushtuesve fashistë. Babai Hafiz Ibrahim Repishti,D.D. Istanbul, vullnetar në rrethimin e Shkodrës (1912-13) Shef i arsimit, 1916, Imam, deputet fanolist republikan, për Shkodrën (1923-24) ra viktimë e terrorit fashist (1942). Qytetar Nderi, 2012, Nana Hava Bushati Repishti, viktimë e tri diktaturave, u dekorue nga Senatorja e N.Y.State N.Fernandez me “Certificate of Accomplishment”. Kaloi vite me dy fëmijë në kampin Tepelenë. 17 vjeçari Zyhdi Repishti u masakrue nga nazistët (’44).
Larg rrymave politike, Repishti qendroi si demokrat dhe intelektual jo-konformist. Me ardhjen e pushtetit diktatorial stalinist, ai u gjet në nji situatë që impononte politikisht dhe moralisht marrjen e nji qëndrimi patriotik. U aktivizue në veprimtari antikomuniste për liri e demokraci liberale perëndimore. U arrestue, 1946. I riu Sami u torturue egërsisht, dhe me 27 nandor 1947, u dënue me 15 vjet burgim të randë e punë të detyrueshme. Me nji vëlla të arratisun, nana e moshueme, motra dhe vëllau i mitun u internuen në Tepelenë. I liruem nga burgu, korrik 1956, punëtor krahu i përbuzun e i përndjekun, Samiu vendosi të arratiset në ish-Jugosllavi, në gusht 1959, tue lanë familjen në nji gjendje shumë të vështirë. U mbajt për 11 muej incommunicado, u dërgue në kampin Gerovo, Kroaci, 1960, dhe u dëbue në Itali, 1961. Emigroi në Amerikë më 9 prill 1962 ku banoi deri në frymën e fundit.
Në Botën e Lirë, refugjati Sami Repishti iu nënshtrue nji arsimimi rigoroz dhe fitoi diplomën B.A.(1964), M.A.(‘69) dhe PhD.(French,’73) nga Universiteti “la Sorbonne” Paris, (bursist), dhe Graduate Center, CUNY. Për 25 vjet ka dhanë mësim në gjimnazet amerikane (Malverne HS); ka sherbye si kryetar i departamentit të gjuhëve të hueja, dhe njikohësisht si pedagog i jashtëm pranë Adelphi Univ. (1973-78),NY. Profesor Repishti ashtë autor kryesisht i dy vëllimeve autobiografike Pika Loti – Tregime burgu(1997), e “Nën hijen e Rozafës – Narrativë e jetueme(2004) dhe 8 vëllime studimesh, si dhe bashkautor i 12 vëllimeve tjera. Ka qenë, dhe mbetet publicist i angazhuem për problemin e “Shqipërisë lindore”. Kosova e lirë, e pavarun, demokratike, e bashkueme dhe europiane ka qenë leitmotivi i jetës tij. I aktivizuem në lamin politik, ai bashkëthemeloi e drejtoi disa organizata shqiptaro-amerikane: Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Kosova Relief Fund, USA, Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane (AACL), e Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (N.A.A.C.) për shumë vite grupimet politike ma efektive në SHBA. Që nga viti 1965, ai ka dëshmue para dy Dhomave të Kongresit Amerikan për problemet kombëtare shqiptare dhe ka mbajtë lidhje të vazhdueshme me kuadrot e Kongresit, Departmentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë.
Panorama (Tiranë) e cilësoi ”…ish i burgosuri Sami Repishti është ndoshta personaliteti më i shquar dhe më i urtë që shqiptarët kanë sot në SHBA…”. Ashtë dekorue nga qeveritë shqiptare, amerikane e kosovare. Prof. Sami Repishti jetoi në Amerikë, bashkë me bashkëshorten e tij, Diana Repishti, arsimtare, djalin Daren, mjek, vajzën Ava, juriste, e pesë nipa e mbesa (Bryan, Julia Nicole, Audrey dhe Alexander).
Dëshira e fundit: Liri, Paqë në Botë dhe Mirëkuptim!
FAMILJA REPISHTI