[Schedelsche Weltchronik (Liber Chronicarum, opus de temporibus mundi]
Botimi i parë i kronikës së Schedelit është bërë në latinisht më 12 korrik të vitit 1493, ndërsa botimi i parë në gjermanisht është bërë më 23 dhejtor të vitit 1493 nga botuesi Anton Koberger, në Nuremberg,pra, kemi dy botime brenda një viti, më mirë me thënë brenda disa muajsh. Botimi i dytë latinisht më 01 shkurt të vitit 1497.- Kronika e botës në gjuhën latine është shtypur në 1.400 ekzemplarë dhe ka 656 fletë, ndërsa botimi në gjermanisht është shtypur në 700 ekzemplarë dhe ka 597 fletë.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Një ndër veprat më të famshme në shekullin XV është e ashtuquajtura Schedelsche Weltchronik – Liber Chronicarum, opus de temporibus mundi, që është ndër veprat e para historike nga një intelektual gjerman. Kjo kronikë shqyrton lindjen e qyteteve më të rëndësishme gjermane, botës perëndimore, sjell informacion për perosnalitet dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës etj.
Rëndësia e kësaj kronike për popullin shqiptar, është se Hartmann Schedel në “Kronikën” e tij jep disa të dhëna historiko-gjeografike për disa qytete shqiptare, pastaj informacione për Ilirinë, Epirinë dhe Arbërinë, të mbështetura kryesisht te autorët antikë si dhe disa njoftime për prejardhjen e shqiptarëve etj. Në libër gjejmë po ashtu të dhëna edhe për Gjon Kastriotin, të atin e Skenderbeut, që Schedel e quan Kamusa, pastaj informacione për luftërat dhe fitoret e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kundër turqve; marrëdhëniet e tij me Vatikanin – papën Kalistin III, si dhe disa shënime për tradhtinë e nipit të Skënderbeut, Hamza Kastriotit, të cilin ky e zë rob dhe e dërgoi në burg te mbreti i Napolit Alfonsi V, etj.
Është për t’u lakmuar se si Schedel ka arritur të shtjellojë një lëndë jashtëzakonisht voluminoze, duke na paraqitur gjithçka kishte mundur të mblidhte, sistemonte, përgatiste nga literarura e botuar, dorëshkrimet, dokumentat, kronikat e shumta dhe burimet e tjera që disponoheshin në atë kohë.
Pavarësisht nga gjithë këto, si dhe nga njohuritë e jashtëzakonshme prej dijetari, kronika e Schedel-it është e tejkaluar në shumë pjesë, informacione dhe të dhëna, për shkak të zbulimeve të reja dhe arritjeve shkencore. Megjithatë është befasues fakti që ai disponote gjithë ato të dhëna e informacione në atë kohë. Bie në sy skrupuloziteti dhe gjenialiteti i tij, te paraqitja e pemëve gjenealogjike të familjeve fisnike dhe listave të papëve, portetet e të cilëve janë të ilustruara me ngjyra, duke përdorur kronologjitë e njohura e kohës për vende të ndryshme, krahina e rajone të ndryshme si dhe renditjen dhe përshkrimin e figurave të rëndësishme historike jo vetëm gjermane, por edhe botërore, duke i shoqëruar me një regjistër alfabetik. Në kronikat e njohura botërore të Gjermaneve të viteve të fundit të mesjetës, [kur jetoi dhe veproi Schedel-i] gjithashtu, ngjarjet historike janë të gërshetuara me digresione me temë nga katastrofat natyrore, luftrat, njoftimet për themelimet e qyteteve, etj., duke mos përjashtuar edhe ngjarjet që kanë ndodhur në pjesët e tjera të botës, duke i paraqitur dhe shtjelluar ato në mënyrë paralele me rrëfimet biblike, etj.
Kronika e Schedel ndryshon nga shumë botime të tjera të ngjashme si dhe kopje dorëshkrimesh të kronikave në qarkullim, si për nga trajtimi i saj humanist, rrethi akademik që e përgatiti, trajtimi i veçantë i shkencave natyrore dhe filozofisë edhe nga ana tjetër përmes marrëdhënies së re dhe të përshtatshme të tekstit dhe imazhit që i japin mundësi lexuesit jo vetë të lexojë ngjarjet dhe ndodhitë historike, por edhe të shikojë në to përmes ilustrimeve dhe gravurave të shkëlqyera. Ilustrimet paraqesin vazhdimësinë e epokave në mënyrë të pandërprerë dhe të përshtatshme. Përgatitja intelektuale dhe diapazoni i gjerë i diturive shkencore dhe akademike për të cilin termi “enciklopedi” i sajuar në antikitetin klasik është adoptuar në punë madhështore, sepse përmban gjithçka që vihet në dukje nga shkenca natyrore, shoqërore, teologjike, filozofia dhe letërsia. Koncepti i kombinuar i diturisë i përhapur nga humanizmi gjen një pasqyrim shprehës në këtë botim.
Hartman Schedel lindi më 13 shkurt të vitit 1440 në Nuremberg dhe vdiq më 29 nëntor të vitit 1514, po në Nuremberg. Studioi në Laipzig në vitet 1456-1462, ku mori titullin Magister Artium në vitin 1459. Gjatë kohës së studimit ai njohu shumë humanistë të kohës, ndër të tjerë edhe Peter Luder (1410-1472), i cili ishte pedagog në Laipzig. Leksionet e Luder-it, që i kishte shkruar vetë Schedel-i, sot ruhen në Bayerische Staatbibliothek në Mynih (në sign. clm 261). Në vitin 1463, Schedel vazhdon studimet në Padova, duke studiuar mjekësinë dhe njëherësh edhe parimet bazë të greqishtes me profesor Demetrios Chalkondydes (1424-1511). Më 17 prill 1466, mbron doktoraturën në fushën e mjekësisë dhe kthehet në Nurembergut. Në vjeshtën e vitit 1470, Schedel punon si mjek në Nördlingen, ndërsa në vitin 1477 në Bamberg, dhe nga viti 1484 përfundimisht në Nuremberg.
Duke filluar që nga viti 1456 Schedel, kopjon dorëshkrime dhe libra të botuar, por edhe blen libra të ndryshëm (sot të njohur si: inkunabula). Një moment i rëndësishëm në jetën e tij është viti 1485, kur trashëgon një bibliotekë shumë të pasur nga i xhaxhai, Hermann Schedel (1410-1485), cili gjithashtu ishte mjek dhe humanist i njohur. Kjo bibliotekë do të bëhej bërthama e një biblioteke të madhe humaniste në Nuremberg. Biblioteka e Schedel-it është një pasqyrë e interesave të tij filozofike-shkencore dhe pjesa dërrmuese e saj me afro 370 dorëshkrime dhe 670 libra, kryesisht inkunabula (të botuara para vitit 1500) ruhen edhe sot e kësaj dite në fondet e Bayerische Staatsbibliothek në Mynih, të shoqëruara me një inventar origjinal, të përpiluar më 1498, i cili fillon me regjistrimin e veprave të gramatikës, logjikës, retorikës, astronomisë dhe astrologjisë, matematikës dhe filozofisë, të shoqëruara nga shumë libra që kanë të bëjnë me studia humanitatis të Schedel-it. Pastaj vijojnë shkrimet mbi mjekësinë dhe kirurgjinë, që kanë të bëjnë me profesionin e tij, por gjithashtu edhe mbi shkencën e historisë. Vetëm se në fund ai fut në listë librat e tij mbi fenë dhe teologjinë.
Biblioteka e Schedel-it ka një vlerë të jashtëzakonshme, sepse duke analizuar përbërjen e saj ne njihemi me inetesin e tij shkencor prej dijetari, kryesisht në fushën e kozmografisë dhe gjeografisë, por gjithashtu me dashurinë e tij për librat, veçanërisht për ato me lidhje të kushtueshme prej pergameni, me ilustrime dhe dekorime të praruara në flori, dhe më kryesorja, aty gjendet edhe njëri prej koleksioneve grafike më të rëndësishme të kësaj periudhe, i cili në tërësi është origjinal. Mënyra se si i trajtoi Schedel-i librat e bibliotekës së tij private, tregon se sa intensivisht e studioi ai përmbajtjen e tyre, duke bërë shënime dhe komente të shumta në margina dhe brenda rreshtave të pothuajse gjithë faqeve të tyre.
Kronika e botës në gjuhën latine është shtypur në 1.400 ekzemplarë dhe ka 656 fletë, ndërsa botimi në gjermanisht është shtypur në 700 ekzemplarë dhe ka 597 fletë. [Përafërsisht 400 ekzemplarë origjinalë të versionit latin dhe nja 300 ekzemplarë origjinalë të versionit gjerman kanë mbijetuar në tërë botën]. Libri në të dy gjuhët ka dimensione 32,5 x 47 cm. Përmban 1804 ilustrime dhe vinjeta, një pjesë e mirë e të cilave janë me ngjyra dhe 652 gravura. Ka shumë të ngjarë që iniciativa për kronikën e Schedel-it – sikurse për projektet e tjera të mëparshme historike dhe bibliografike – erdhi nga Schreyer, me ndihmën financiare të Kammermeister-it.
Botimi i parë i kronikës së Schedelit është bërë në latinisht më 12 korrik të vitit 1493, ndërsa botimi i parë në gjermanisht është bërë më 23 dhejtor të vitit 1493 nga botuesi Anton Koberger, në Nuremberg,pra, kemi dy botime brenda një viti, më mirë me thënë brenda disa muajsh. Botimi i dytë latinisht më 01 shkurt të vitit 1497. /Ne kemi shfrytëzuar të tri këto botime nga të cilat edhe sjellim disa ilustrime/. Anton Koberger (1440-1513) dispononte në atë kohë një dhomë me 18 presa shtypëse, dhe kishte të punësuar më shumë se 100 radhitës, shtypës dhe ndihmesa. A. Koberger kishte filluar botimin e librave në Nuremberg rreth vitit 1470 dhe brenda 30 viteve deri me vitin 1500 botoi rreth 250 tituj, duke përfshirë shumë vepra të ilustruara nga viti 1482 e tutje. Disa nga botimet e tij më të njohura janë Bibla në dy vëllime në gjuhën gjermane (e ashtuquajtura Bibla e “Nëntë Gjermane”) e vitit 1483, të cilën ai e ilustroi me 109 vinjeta, etj. Ilustrimet e kronikës që numërohen në 1809 të tilla, janë bërë me teknikën e Holzschnitte-ve, d.m.th. vendosjes në presë të copave të holla prej druri të pikturuara që gjatë presës stamponin letrën. Përgatitja e Holzschnitte-ve u ishin besuar: Michael Wohlgemut (1434-1519) dhe Wilhelm Pleydenwurff (1450-1494). Mendohet që që popullaritetin e madh që gëzonte kjo kronikë e fitoi për shkak të këtyre zbukurimeve të shkëlqyera të veprës.
Ndërtimi i kronikës orientohet sipas skemës mesjetare të ndarjes së epokave të botës, të marrë nga antikiteti. Paraqitjet e ngjarjeve u mbeten besnike ndaj pikëpamjeve të kishës dhe nuk u përgjigjen shkrimeve kritike të një humanisti.
Struktura e librit të Kronikën e Botës (Weltchronik–Liber chronicarum) është:
– Epoka e parë, që nga krijimi deri te përmbytja e botës
– Epoka e dytë që nga pëmbytja e botës deri te lindja e Abrahamit
– Epoka e tretë që nga lindja e Abrahamit deri te mbretëria e Davidit
– Epoka e katërt që nga fillimi i mbretërisë së Davidit deri te robërimi i babilonasve
– Epoka e pestë që nga robërimi i babilonasve deri te lindja e Krishtit
– Epoka e gjashtë (dhe më e gjata) që nga lindja e Krishtit deri në ditët tona. [1493].
Për veprën e tij Schedel-i u mbështet në një numër të madh burimesh të ndyshme: dorëshkrimesh, kronikash të shkruara me dorë, pamfletesh, literaturë profesionale të mjekësisë, pastaj te puna e humanistëve bashkëkohorë të Rilindjes italiane dhe gjermane, nga Bokaçio dhe Petrarka, nga shkrime të shumta gjeografike dhe kozmografike të Ptolemeut, Strabonit dhe Pomponius Mela (shfrytëzoi koleksionin e dorëshkrimeve private), Stephan Fridolin’s Schatzbehalter të botuar nga Anton Koberger në Nuremberg më 1491, pastaj Peregrinatio in terram sanctam (Mainz, 1486), Bernhard von Breydenbach, kanuni i Mainz-it, me ilustrime nga Erhard Reuwich, Fasciculus temporum nga Werner Rolevinck botuar në Utrecht në vitin më 1480, dhe veçanërisht, për ilustrimet e tij gravura dhe të tjera nga Jacobus Philipus Supplementum chronicarum… botuar në Vendik më 1492. Vend të posaçëm zënë edhe Vulgata dhe shkrimet historike të Diodorus Siculus, të përkthyera në latinisht nga humanisti fiorentinas Poggio (Venedik, 1481). Për hartimin e historisë së papëve, Schedel-i iu referua Liber de Vita Christi et pontificum. Për mesjetën ai u mbështet te Flavio Biondo (1388-1463), Decades historiarum ab inclinatione Romani imperii, (1483); dhe te humanisti italian (më vonë edhe papa Piu II) Enea Silvio Piccolomini (1405-1464; Europae…; Asiae…, dhe bëri kopjen e vet me shkrim dore të Histori Bohemica (e cila sot ruhet në Bayerische Staatsbibliothek, Mynih, sign. clm 476) , si edhe Historia rerum ubisque gestarum in Europa sub Friderico tertio imperatore ( 1457; e cila sot ruhet në Bayerische Staatsbibliothek në Mynih, sign. clm 386).
Qyteti i Nurembergut nuk ishte qendër universitare në shek. XV-XVI, por në fakt, ishte qendër e tregtisë dhe zejtarisë, dhe gjithashtu një ndër qendrat më të njohura të humanizmit në Gjermani. Kishte mendimtarë që Nurembergun e krahasuan për nga fama, roli dhe rëndësia në mesjetë me qytete të tilla si “Roma e Athina e lashtë.” Rol të veçantë për emrin e mirë të Nurembergut kishin edhe qytetarët dhe fisnikët e tij të nderuar si Hartmann Schedel (1440-1514), Johannes Löffelholz (1448-1509) dhe Willibald Prickheimer (1470-1530), të cilët ishin kthyer në qytetin e tyre të lindjes me ide humaniste pas studimeve të kryera në Itali për drejtësi dhe mjekësi. Të gjithë këta, kishin një mik të përbashkët, humanistin e madh Conrad Celtis (1459-1508) i cili, nga ana e perandorit Frederiku III, u nderua me titullin “Poet i oborrit perandorak” në Kështjellën e Nurembergut në vitin 1487, i cli vazhdimisht komunikonte me të gjithë në forma dhe mënyra të ndryshme, takime private, letërkëmbime, ftesa për pushime etj. Nga kjo kohë janë të shquar edhe humanistët tjerë të Nurembergut si: Johannes Müller (i njohur si Regiomontanus, (1436-1476, kishte një letërkëmbim me humanistin tonë të njohur, astronomin dhe matematikanin Gjon Gazuli, që jetonte në Dubrovnik), Martin Behaim (1459-1507) dhe Johannes Werner (1468-1522), të cilët me veprat e tyre u bënë të njohur në fushat e shkencave natyrore, astrologjisë dhe astronomisë.
Në vazhdim sjellim të përkthyera në gjuhën shqipe pjesët më kryesore që kanë të bëjnë me Epirin, Arbërinë dhe Ilirinë nga libri i Schedelit, botimi latinisht i viti 1493:
Për trevën e Epirit
Treva e Epirit, gjendet në perëndim, në malësinë veri-perëndimore të Greqisë dhe shtrihet në lindje deri në luginën e Ambrakisë në stadin 1300, në veri [kufizohet m.a.] me Maqedoninë dhe në lindje përplaset me Akaiën deri në lumin e Akelum. Në perëndim arrin deri në detin Jon. Në këtë trevë shkruan Teopompus kanë qenë 24 popuj. Historianët raportojnë që kjo pjesë e tokës buzë detit ka qenë e lumtur dhe prodhimtare dhe që dikur në të kanë qenë shumë qytete dhe kështjella të forta. Por nga kryeneçësia e popullit [të Epirit m.a.] kundër Romakëve, kjo provincë u shkatërrua. Dhe Polibius raporton 70 qytete epirote u shkatërruan nga perandori Paulo Emili pas mposhtjes së maqedonasve dhe të mbretit të Persëve. Në këtë trevë epirote ka ndodhur beteja e paharrueshme e Aktikës, në të cilën perandori August në një betejë me shigjeta luftoi me zemërim dhe mposhti Mark Antonin dhe Kleopatrën, mbretëreshën e Egjiptit. Për këtë shkak Augusti ka sheshuar në luginën e Ambrokisë një qytet, Nikopolin, si shenjë fitoreje.
Arbëria
Arbëria ka qenë dikur një pjesë që i përkiste Maqedonisë. Në të gjendeshin dikur dy qytete të quajtura Dirachium dhe Apollonia. Gjuha e këtij populli nuk është e njohur as nga grekët dhe as nga sllavët. Ne besojmë që ky fis ka ardhur dikur nga Albania që është pranë Kolkideve në Skithinë Aziatike, pasi dyndja e popullit barbar ka shqetësuar shpesh vendet e popujve grekë dhe welsche. Në këtë vend ka qenë i pushtetshmi Kamuza, [është fjala për Gjon Kastriotin m.a.] që kishte lindur nga prindër të krishterë, që mohoi besimin e krishterë dhe u drejtua tek absurditeti muhamedan. Por aq lehtë sa braktisi krishtërimin po kaq lehtësisht e refuzoi edhe supersticionin muhamedan dhe u kthye përsëri tek ligji atëror. Dhe pasi i përçmoi të dyja besimet e donte që të vdiste më mirë si i krishterë sesa si turk, dhe vdiq pak pas rënies së Konstantinopolit, të cilin e trashëgoi Georg Scanderbechus, [Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, m.a.] i lindur nga familje finsike. Ai thjesht donte që t’i harxhonte të gjitha ditët e tij duke luftuar me armë dhe luftë në emër të krishërimit dhe mundi dhe shkatërroi ushtri të mëdha të turqve dhe ai vetëm e mori këtë trevë në ungjillin e Krishtit, siç thuhet tani në pjesën më të madhe është shkretuar nga armët armike. Mbreti Alfons dërgoi shpesh luftëtarë në Shqipëri, e mori Krujën nën sundimin e tij dhe e mbrojti atë nga turqit. Djali i vëllait të sipërpërmendurit Skëndërbe, [Hamzai m.a.] i cili ishte lidhur me turqit, u kap nga i njëjti kurshëriri i tij, [Skenderbeu m.a.] u dërgua tek mbreti Alfons dhe u fut në burg. Papa Kalikst e ndihmoi Scenderbecho-n me para.
Iliria
Për Ilirinë ose vendin e windëve [ilirëve, m.a.]. Pas trevës së Shqipërisë vijnë popujt Ilirë drejt perëndimit dhe drejt veriut. Këta njerëz tani ne i quajmë windë [ilirë m.a.]: ca quhen boshnjakë, ca dalmatë, ca kroatë, ca histrianë dhe ca krainas. Boshnjakët gjenden në brendësi të vendit pranë hungarezëve drejt veriut, të tjerët janë vendosur pranë detit dhe arrijnë deri në burimet Timanit: atje përballen me italianët dhe me hungarezët. Por lumi Timan rrjedh në brendësi deri në gjirin më të thellë të detit Adriatik. Megjithëse mbreti Stefan në Bosnjë ndjek besimin e krishterë, për një kohë të gjatë ai iu përmbajt sakramentit të pagëzimit. Pastaj ai kërkoi në prezencën e tij Gjonin, kardinalin e engjëllit të shenjtë nga i cili mori pagëzimin e shenjtë dhe filloi një luftë me turqit. Në këtë trevë ka shumë heretikë maniche, të cilët kanë dy besime, një të mirë dhe një të keq. Dhe është i vetëmishëruar. Manastiret e tyre i kanë në qoshe të fshehta midis maleve. Kur gratë rëndohen nga sëmundja ata iu drejtohen atyre që të mund t’i shërojnë. (…)
Në rastin e Kronikës së Schedel-it ne jemi në gjendje që të rikonstruktojmë jo vetëm historinë e krijimit e botimit të saj, bashkëpunimin midis autorëve dhe ilustruesëve dhe përpjekjet e bashkuara të financuesëve dhe botuesëve të saj, por gjithashtu edhe kontekstin shpirtëror dhe intelektual të humanizmit në Nuremberg. Poashtu, gjithnjë duke shfrytëzuar burimet arkivore origjinale dhe fondet e dorëshkrimve të bibliotekave, mund të përcjellim shitjet dhe shpërndarjet edhe së fundi ribotimet e pa autorizuara nga botuesë të ndryshëm konkurent, si dhe ato të autorizuara. Kronika e Schedel e vitit 1493 si rrjedhim bartë dëshmi madhështore të artit të mëparshëm të shtypshkrimit, duke u mbajtur me idetë humaniste, pë aftësit e shpërndarjes së informatës. Jo vetëm arti i shtypjes, ilustrimet, gravurat por, edhe vetë përmbajtja në fund të fundit, e bëjnë këtë libër të çmuar, temë stduimi dhe burim të pakrahasuar për kohën kur u shkura, duke sfiduar jo vetëm vitet [kohën] por edhe ngjarjet së bashku me historinë e Evropës.