
Artan Nati/
Përse disa vende janë të pasura ndërsa të tjerat janë të varfra?
Gjatë shekujve, përgjigjet e propozuara kanë ndryshuar shumë. Adam Smith, ekonomisti i famshëm skocez deklaroi se ndryshimi midis vendeve të pasura dhe të varfëra rezultoi nga liria relative e tregjeve; Thomas Malthus tha se varfëria vjen nga mbipopullimi dhe Jeffrey Sachs, një nga ekonomistët më të famshëm në botë, pohon se faji është pjesërisht për tokën e varfër, mungesën e lumenjve të lundrueshëm dhe sëmundjet tropikale. Të tjerë konstatojnë kulturën, gjeografinë, klimën, kolonizimin dhe fuqinë ushtarake. Lista vazhdon. Ekonomisti i shquar i M.I.T Daron Acemoglu dhe shkencëtari politik i Harvardit, James A. Robinson, në librin e tyre “Përse dështojnë kombet” argumentojnë se diferencuesi kryesor midis vendeve janë “institucionet”. Kombet lulëzojnë kur zhvillojnë institucione politike dhe ekonomike “gjithëpërfshirëse” dhe dështojnë kur ato institucione bëhen të manipulueshme dhe përqëndrojnë fuqinë dhe mundësitë në duart e vetëm disave.
Institucionet ekonomike gjithëpërfshirëse, nga ana tjetër, mbështeten dhe mbështesin institucionet politike gjithëpërfshirëse, të cilat shpërndajnë fuqinë politike gjerësisht në një mënyrë pluraliste dhe janë në gjendje të arrijnë njëfarë centralizimi politik në mënyrë që të vendosin ligjin dhe rendin, themelet e të drejtës e të sigurisë të pronësisë dhe një ekonomi tregu gjithëpërfshirëse. Anasjelltas, institucionet politike të manipuluara, që përqendrojnë pushtetin në duart e disave, përforcojnë institucionet ekonomike të manipuluara për të mbajtur pushtetin. Këtë nocion bazë të demokracisë liberale të cilin liderët tanë premtuan, shkruanin dhe predikonin në fillimet e viteve 90, jo vetëm që nuk e zbatuan, por e shkatërruan përfundimisht me marrëveshjen e 2008-ës duke i dhënë përfundimisht grushtin vdekjeprurës demokracisë shqiptare. Me këtë akt ata ngjallën fantazmën e diktatorit Hoxha të pranishme si në qeveri ashtu se edhe te liderët e partive të mëdha, të cilët sa herë ua kërkonte interesi merrnin vendime për vrasjen e institucioneve ose duke i kthyer ato në masha të interesave të tyre meskine. Këta vrastar të demokracisë dhe mbi të gjjitha të institucioneve duke i vënë ato në shërbim të interesave personale dhe partiake, provuan tezën e Acemoglu, se institucionet e pavarura janë guri themelor i funksionimit të demokracisë. Gjithashtu korrupsioni masiv i zbuluar kohët e fundit tregon se praktikisht shteti në nivel lokal dhe rajonal është i falimentuar dhe se shteti nuk drejtohet nga institucionet, por nga një bandë hajdutësh. Acemogëlu shpjegoi në një intervistë se pika e tyre thelbësore është se vendet lulëzojnë kur ndërtojnë institucione politike dhe ekonomike që “shpalosin”, fuqizojnë dhe mbrojnë potencialin e plotë të çdo qytetari për të inovuar, investuar dhe zhvilluar.
Mësimi i historisë, argumentojnë autorët, është se ju nuk mund t’i bëni mirë ekonominë tuaj nëse nuk e bëni politikën tuaj siç duhet, kjo është arsyeja pse ata hedhin poshtë nocionin se Kina ka gjetur formulën magjike për të kombinuar kontrollin politik. dhe rritjes ekonomike, apo vendet si Shqipëria dhe shumica e vendeve të rajonit tonë mund të kenë një zhvillim ekonomik afatgjatë. . Në vitet e para pas vitit 1990 në Shqipëri lulëzuan shumë biznese nga qytetarët, por mungesa e institucioneve bëri që këto biznese shumë shpejt të falimentonin sepse këto biznese u shkatërruan nga paratë e pista të drogës dhe korrupsionit dhe bashkë me bizneset u shkatërrua edhe demokracia. “Në se Kina nuk bën kalimin në një ekonomi të bazuar në shkatërrimin krijues, rritja e saj nuk do të zgjasë”, argumenton Acemoglu. Shqipëria ndodhet pikërisht në këtë moment politik dhe ekonomik, duket sikur ka goditur një mur dhe nuk mund të eci përpara. A mund ta imagjinoni një 20-vjeçar të braktisë universitetin në Shqipëri e të lejohet të hapë një kompani që sfidon një sektor të tërë të kompanive oligarkike shqiptare të financuara nga shteti apo të drejtuara direkt nga shteti siç ishte rasti i kompanive private të drejtuara direkt nga drejtorët e bashkisë së Tiranës. A mund të dali një grupim politik me ide të reja përparimtare dhe të sfidojë sistemin politik autokratik si në nivel partish politike apo edhe në nivel qeveritar? Ideja e shkatërrimit krijues, e cila ndodh kur një risi e dobishme zëvendëson dhe kështu shkatërron teknologjitë dhe strukturat ekonomike më të vjetra.
Rritja e qëndrueshme ekonomike kërkon risi, “shkruajnë autorët, “dhe inovacioni nuk mund të shkëputet nga shkatërrimi krijues, i cili zëvendëson të vjetrën me të renë në sferën ekonomike dhe gjithashtu destabilizon marrëdhëniet e vendosura të pushtetit në politikë.” Ky proces i Shkatërrimit Kreativ është fakti thelbësor për kapitalizmin.
Dhe pikërisht prandaj na duhen institucionet e pavarura që të garantojnë funksionimin e ligjit sepse qëllimi i ligjit nuk është të shfuqizojë ose të frenojë, por të ruajë dhe zgjerojë lirinë. Atje ku nuk ka ligj nuk ka liri dhe prandaj Shqipëria praktikisht nuk ka liri, nuk ka kapitalizëm dhe nuk ka pluralizëm funksional. Funksionimi i hallkës kryesore të demokracsë sapo ka filluar të funksionojë dhe ka ngjallur panik te krerët e qeverisë dhe partive politike, por edhe shpresë te të rinjtë me ide të reja në politikë dhe ekonomi. Mbështetja amerikane dhe europiane për drejtësinë e re është një garanci për të ardhmen.