(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)
Vexhi Buharaja (1920-1987)
Zhvatja e pronësisë intelektuale ka qënë një fenomen i zakonshëm në Komunizëm (një fenomen fatkeqësisht i pranishëm edhe në ditët tona).Siç e dëshmon në mënyrë të faktuar studiuesi Leka Ndoja në veprën e vet “Tjetërsimi i Veprës Intelektuale gjatë Komunizmit në Shqipëri” (1944-1990) pre e rrjetit-merimangë të Sistemit kanë rënë një sërë personalitetesh dhe figurash të spikatura në fushat përkatëse dhe frytet e tyre intelektuale i ka korrur dhe patentuar me emrin e vet “dikush” tjetër.Lista e këtyre përvetësuesve nis në rastin më të pakët me kolegët-studiues ziliqarë dhe mbyllet me të ashtuquajturit “pezzo grosso” dmth, Profesorët dhe Akademikët. Pre e kësaj zhvatjeje së bashku me personalitete të tjera kulturoro-shkencore si Sabiha Kasimati, Ilo Mitkë Qafëzezi, Injac Zamputti, etj ra edhe dijetari dhe Orientalisti ynë, Vexhi Buharaja.
Institucionin përgjegjës dhe personat e përfshirë në të Buharaja i përmënd në një letër me subjekt të përsëritur e cila mban datën 10 Nëntor të vitit 1980 dhe që i drejtohet “Shokut Temo, të Institutit të Studimeve Pedagogjike”.Le ti hedhim një sy përmbajtjes së saj.
Letra e Vexhi Buharasë për “Shokun Temo”, nxjerrë prej veprës së A. Kondos “Vexhi Buharaja.Njeriu, Poeti, Dijetari” (1995)
Në letrën e mësipërme, Buharaja hedh dritë mbi dy vepra kryesore të përkthyera prej tij nga Turqishtja në Shqip; Traktatin Psikologjik “Psikoloji yâhûd İlm-i Rûh” (Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit) të Dijetarit tonë të madh Hoxha Tahsinit e botuar për herë të parë në Stamboll në vitin 1893 dhe ai përmënd gjithashtu edhe Filosof Rizain apo Riza Tefik Bylykbashin një tjetër mendimtar brilant me origjinë shqiptare për të cilin kemi shkruar edhe më parë këtu tek “DIELLI”.(Shih:https://gazetadielli.com/kur-turqise-i-jepnin-drite-shqiptaret-poeti-mistiku-mendimtari-dhe-politikani-liberal-riza-tefik-bylykbashi/) Studimi i Riza Tefikut mbi Hoxha Tahsinin për të cilin bën fjalë Buharaja në fakt është shkëputur prej veprës së Tefikut “Felsefe Dersleri. Kısım 1, Mebhas-ı Marifet” (Leksione Filosofike, Vol.1, Aftësia e Shkencës) e botuar nga Shtëpia Botuese “Kader Matbaası” (Fati), Stamboll, 1914 në të cilin ky i fundit analizon botëkuptimin filosofik dhe shkencor të Tahsinit, Rektorit të Parë të Universitetit të Stambollit.Po aty Filosof Rizai do të shprehej me superlativa për “Eruditin me turban”: “Hoxha Tahsini bën pjesë në radhën e njerëzve të mëdhenj. Ai kishte një shpirt fisnik.Është për tu vajtuar fakti që veprat filozofike të shkruara prej tij u shkatërruan prejse ranë në duar njerëzish të pakujdesshëm dhe të paditur.”
Kopja e “Felsefe Dersleri. Kısım 1, Mebhas-ı Marifet” të Filosof Rizait (1914)
Po kush është “Shoku Temo”, të cilit Buharaja i drejtohet me ton indinjues për kthimin e menjëhershëm të dorëshkrimeve që ky i fundit i kishte përvetësuar?! Figura në fjalë ishte bashkëpunëtori shkencor i Institutit për Studime Pedagogjike, Sotir Temo. Temo, i cili kishte botuar në vitin 1982 një përmbledhje kumtesash shkencore “Mbi problemet e Moshës së Adoleshencës” së bashku me Luan Hajdaragën dhe që një vit më pas do të fitonte gradën e “Kandidatit të Shkencave Psikologjike”(1983) me punimin “Aleksandër Xhuvani: Psikolog dhe Mendimtar i Shquar Shqiptar” nuk kishte ndonjë interes të veçantë mbi Orientalistikën apo interes specifik mbi Hoxha Tahsinin.Por cilat janë arsyet që ai “mbante peng” dorëshkrimet e përkthyera të Buharasë dhe nuk ia rikthente këtij të fundit?! Kush i kërkonte me kaq ngulm dhe interesohej specifikisht për to?!
Mendoj që dritë mbi këtë pyetje hedh paksa edhe “post scriptum-i” i vet Buharasë: “Honorarin nga Shkodra e mora.Dua vetëm materialet.” Një tjetër bashkëpunëtor shkencor nga Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës (ILPSH) kishte shprehur interesin që të “konsultohej” me të dy dorëshkrimet e sipërpërmëndura dhe ato i ishin dërguar atij prej Tiranës.Gjatë viteve 80-90-të, ILPSH krahas veprimtarisë mësimdhënëse dhe edukative merrej edhe me atë kërkimoro-shkencore dhe publikimet e tyre.Personi në fjalë ishte docenti dhe pedagogu i Psikologjisë pranë këtij Instituti, Nuri Abdiu. Titullin “Doktor Shkencash” ky i fundit do ta merrte në vitin 1991.Të dy dorëshkrimet e sipërpërmëndura jo vetëm që nuk do ti ktheheshin më kurrë Buharasë, duke u përvetësuar në mënyrë abuzive qysh prej vitit që ai i kishte përkthyer (1979) por madje ato do të përdoreshin edhe si materiale për punimin shkencor “Psikologjia” e Hasan Tahsinit, dokument me vlerë për historinë e mendimit psikologjik shqiptar” (Buletini Shkencor, 1979, No.2, f.85-103) apo edhe për përpilimin e libërthit “Hasan Tahsini – Pioner i Psikologjisë Shqiptare”. Emri i Vexhi Buharasë si përkthyes dhe pronar legjitim i tyre do të lihej në terr dhe nuk do të citohej kurrë deri në vitin 2007.
“Psikologjia” e Hasan Tahsinit (2007)
Vetëm në këtë vit, Prof. Dr Nuri Abdiu do ta kryente në heshtje “mea culpa-n” e tij, duke përfshirë në librin e tij studimor “Psikologjia” e Hasan Tahsinit (Botimet UFO, 2007) tekstin original në Turqisht të veprës, bashkëshoqëruar me përkthimin e Buharasë, duke e informuar kështu për herë të parë publikun shqiptar mbi këtë përkthim të Orientalistit tonë të çmuar dhe duke i dhënë hakun e merituar, prej gati tre dekadash të mohuara përkthyesit Buharaja.
E Vërteta vonon por nuk harron. Një ditë, Ajo (VERITAS) i bën edhe Mohuesit që të flasin me gjuhën e saj!