-Presidentja Osmani në takim me drejtues të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës: Hulumtimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, torturës dhe krimeve të tjera, me rëndësi për dokumentimin e të vërtetës dhe për drejtësi/
– Kryeministri Kurti: Për të dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti, me institucionet që kemi themeluar, ne mund ta marrim si shembull Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 13 Nëntor 2024/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi.
Sipas Presidentes Osmani, hulumtimi i krimeve të kryera në kohë lufte, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e gjenocidit, torturës dhe krimet e tjera, është tejet me rëndësi për t`u dokumentuar, arkivuar dhe për t’u siguruar që e vërteta të mbrohet me qëllim të vënies së drejtësisë, si dhe të ruhet e të jetë në shërbim të brezave të ardhshëm.
“Puna e Institutit është angazhim i rëndësisë historike për ne si komb dhe si shtet”, theksoi Presidentja Osmani, duke nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet IKKL-së dhe institucioneve lokale e atyre ndërkombëtare.
Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i IKKL-së, i dorëzoi Presidentes Osmani Raportin Vjetor të Punës së Institutit, me ç’rast Presidentja ritheksoi përkrahjen e palëkundur të Presidencës për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në mbledhjen e Qeverisë tha se për të dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti, me institucionet që kemi themeluar, ne mund ta marrim si shembull Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
“Ky institut u themelua nga nevoja për të ruajtur dhe për të dokumentuar të vërtetën e vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës. Këtë javë Instituti paraqiti raportin njëvjetor të punës. Nëse do t’i rendisnim materialet e grumbulluara si foldera që qëndrojnë në këmbë, do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo thënë ndryshe 15.8 tera bajt. E gjithë kjo falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë kontribuar: qytetarëve, organizatave, institucioneve, komunave, ministrive, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe koleksionistëve të ndryshëm. Falënderoj secilën e secilin prej jush për dëshmitë që keni ndarë dhe për kujtimet që keni ruajtur. Ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të mbështesni Institutin drejt realizimit të këtij misioni të drejtë e fisnik të tij. E dimë se ky proces nuk është i lehtë, por është thelbësor për të përjetësuar të vërtetën, për ta dokumentuar të vërtetën dhe për ta mundësuar e ndihmuar drejtësinë. Ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të mbrojtur kujtesën tonë kolektive.
Andaj, në raste si kjo, veçanërisht kujtojmë të gjithë ata, të cilët sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Është detyra jonë morale dhe institucionale të sigurojmë që vuajtjet e tyre të mos harrohen kurrë. Është nderim e drejtësi ndaj atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe ndaj familjeve që ende bartin dhembjen e të vrarëve dhe të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, theksoi Kryeministri Kurti.