Prof. Dr. Begzad Baliu/
Parathënie për librin e Dr. Xhavit Bicajt, “Riza Bicaj – Jeta dhe vepra”, Prishtinë, 2024.
Ka kohë që doktori i përkushtuar edhe i kërkimeve shkencore, historike dhe kulturore, Dr. Xhavit Bicaj ka filluar së shkruari veprat, të cilat në formatin e tyre janë të lidhura ngushtë me fatet familjare, individuale dhe madje kolektive të popullit shqiptar. E tillë ishte monografia për babanë e tij, “Smajl Ali Bicaj: një jetë për arsim liri dhe bashkim kombëtar”, e tillë është monografia, në proces, për historinë e themelimit dhe të punës së Institutit të Onkologjisë në Prishtinës dhe e këtillë është edhe monografia për njërin prej edukatorëve dhe atdhetarëve të veçantë të kombit, Riza Bicajn.
Monografia për mësimdhënësin e gjuhës, redaktorin e kulturës në të përditshmen “Rilindja”, krijuesin letrar, përkthyesin, intelektualin e mbi të gjitha atdhetarin Riza Bicaj është sintezë e një vëllimi prej katërmbëdhjetë kapitujsh me të dhëna dokumentare, përkujtimore e sintetike për çështje e tema të kohës, veprimtari atdhetare të mësimdhënësit patriot të kohës, si dhe diskutime mjaft përmbajtjesore për jetën dhe bëmat e Riza Bicajt.
Vepra hapet me një biografi themeltare për Riza Bicajn, vazhdon me gjendjen e vështirë nëpër të cilën po kalonin familjet shqiptare gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore, me vitet e vështira të shkollimit në gjimnazin e Pejës (1945-1947) dhe të shkollimit në normalen e Gjakovës (1947-1949). Një histori më vete përfaqësojnë dokumentet dhe kujtimet djaloshare të punës prej mësuesi në Bellanicë (1950) dhe në Stantërg (1950-1951).
Kujtimet e Profesor Riza Bicajt dhe të bashkëkohësve të tij më vonë si dhe dokumentet e sjella nga autori i monografisë për studimet në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, janë me interes jo vetëm për biografinë e tij po edhe për albanologjinë përgjithësisht, si dije nacionale. Ato flasin gjerësisht edhe për ndikimin e Katedrës në jetën arsimore e shkencore në Kosovë.
Pas studimeve në Beograd, pasionin dhe misionin e tij për gjuhën shqipe, letërsinë dhe mësimdhënien e saj Riza Bicaj e vazhdon në Gjimnazin e Gjilanit, të Pejës dhe të Prishtinës, në të cilët punon shumë për të krijuar një brez të ri intelektualësh, krijuesish e heronjsh, si: Jusuf Gërvalla e Enver Hadri, për të cilët ka shkruar në shtypin e kohës dhe i ka kujtuar disa herë.
Një jetë e re, një ëndërr e re, një horizont i ri, shfaqet përpara tij pas fillimit të punës në të përditshmen “Rilindja”. Në faqet e saj ai merr përsipër të shkruajë për njërën nga rubrikat më specifike, me mbititull, Enciklopedia e vogël. E përditshmja “Rilindja”, prej 32 faqesh, kishte shumë faqe politike, po edhe tema nga ekonomia, sporti, jeta sociale, fejtonistika, televizioni e sidomos kultura, ku Riza Bicaj e kishte përqendruar dijen e tij kombëtare dhe universale. Vështirë të gjendet një lexues i kësaj gazete, i cili të mos kujtojë pyetjet dhe përgjigjet, shpjegimet dhe vlerësimet për tema diturore, të gjuhës, të kulturës, të filozofisë, të natyrës, të universit, të cilat gazetari dhe redaktori Riza Bicaj i botonte çdo ditë. Kjo ishte faqja e të gjithë lexuesve, shkolla e madhe e ëndrrave të Riza Bicajt – ligjërimi i tij, i cili kishte filluar qysh në vitin 1950 në Bellanicë, para një grumbulli vogëlushësh të këtij fshati, dhe tani po kurorëzohej me ligjëratën mbarëkombëtare.
Historia kombëtare ka shumë iluministë e edukatorë të kombit, që kanë ëndërruar ta kenë këtë fat, po është vetëm njëri që e ka realizuar, e ky është atdhetari Riza Bicaj.
Në këtë pozitë Riza Bicajn e gjen koha e okupimit klasik të Kosovës së viteve ’90, zhvillimet politike, ekonomike e kulturore të kësaj kohe, përpjekjet për mbijetesë të shqiptarëve kudo që janë e sido që të munden. Kulmin e ëndrrave të tij e të brezit të tij, sikur dihet do ta sendërtojë sakrifica e Familjes Jashari, prandaj Riza Bicaj do të mbahet mend gjatë për esenë emblematike të asaj kohe Kosova e Ademjasharizuar.
Vepra mbyllet me jetën private e shoqërore të mësimdhënësit, gazetarit dhe atdhetarit Riza Bicajt, vizitave dhe komunikimit me miqtë në Prishtinë dhe sidomos me autorin e këtij libri, nipin e dashur, Dr. Xhavit Bicajn, në një kohë që familja i ishte shpërndarë nëpër botë, ndërsa ai nuk i tërhiqte dot rrënjët e shtëna thellë në vendlindjen e tij në Vrellë dhe në vendlindjen e tij të madhe që i thonë Kosovë, deri në vitin 2015 kur ju dha lamtumira nga familjarët, nxënësit dhe miqtë e tij të pafund. Këtë më së miri e dëshmojnë kujtimet e nxënësve të tij dhe këtë më së miri e provojnë krijimet letrare e shpirtërore të nxënësve të tij, shkrimtarë tashmë të formuar të letërsisë shqipe: Rexhep Elmazi më herët dhe Nexhat Halimi para dhe pas vdekjes.
Vepra monografike e dr. Xhavit Bicajt mbyllet me një intervistë të gazetarit të njohur të kulturës Sylë Osmanaj me Riza Bicajn, brenda së cilës janë identifikuar, vlerësuar e vënë në spikamë shumë aspekte të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe mendimit shkencor në hapësirën shqiptare.
Le të thuhet më në fund se vepra e Dr. Xhavit Bicajt për mësuesin, edukatorin, krijuesin, familjarin e mikun e tij të përmotshëm – Riza Bicajn, paraqet një model të veçantë për të gjithë ne, se si duhet nderuar bashkëkohësit dhe se si duhet të mos i harrojmë burrat e shquar të kohës sonë, mësuesit e intelektualët, si Riza Bicaj, që e donin gjuhën dhe vendin e tyre si zotin dhe që i luteshin zotit vetëm në gjuhën e tyre!