Nga Evarist Beqiri/
Intervista e Ismail Qemalit për gazetën e njohur italiane “La Tribuna”, u botua në faqen e parë të martën e 26 qershorit të vitit 1900, nën titullin “Kriza në Turqi”. Kjo intervistë publikohet për herë të parë e plotë dhe ekskluzivisht në Shqipëri. Ajo është realizuar me gazetarin e njohur italian Sombrero, në Hotel d’Europe në Romë, ku Ismail Qemali po qëndronte prej dy ditësh.
Ai ishte i ftuar si mik i Italisë, së bashku me tre djemtë e tij. Intervista zhvillohet vetëm pak muaj pas arratisjes së tij të famshme nga Stambolli, e cila i dha një hov të ri lëvizjes kombëtare shqiptare. Në këto momente vendimtare veprimtaria e Ismail Qemalit ndiqej me shumë kujdes nga diplomatët evropian dhe ata turq.
Një ndër tiparet e lidershipi i Ismail Qemalit, që shpaloset edhe tek kjo intervistë është guximi i tij i spikatur për të mbajtur qëndrimin e duhur si ndaj së mirës ashtu edhe ndaj së keqes. Sepse siç thoshte Seneka: “Ai që është guximtar – është i lirë.”
Gazetari e prezanton Ismail Qemalin si “një njeri me ide reformatore dhe si një nga udhëheqësit më autoritar të kombit shqiptar, i cili kishte filluar të vlonte. Sipas Sombreros, tema e Shqipërisë ishte një nga çështjet e ditës. Ismail Qemali përshkruhet si një burrë i bukur, në kulmin e moshës. I gjatë, i bëshëm dhe me fytyrën e nxirë nga dielli e të rrethuar me një mjekër me qime gri e të bardha. Sytë e tij janë të gjallë e penetrues dhe ai të ngjall menjëherë simpati të sinqertë.
Mu duk sikur nuk ishte hera e parë që po e takoja… – vijon Sombrero. Ismail Qemal beu është i bindur se marrëveshja austro-ruse e vitit 1897 që e ndau Ballkanin në dy zona influence, është në favor të Rusisë…Ekziston një çështje shqiptare, – thotë Ismail Qemali, – sepse fuqitë evropiane me inkoherencën e tyre të zakonshme, pasi morën një vendim që do të duhej që t’ju jepte kënaqësi aspiratave legjitime të shqiptarëve, nuk u kujdesën që ta zbatonin.
Sa i takon xhonturqve, është një tjetër gabim i Evropës që beson se ekziston në Turqi një parti me këtë emër; parti reformatore, e organizuar seriozisht. Quhen xhonturq të gjithë të pakënaqurit…Ishte më mirë tek ne para 35 vitesh. Unë atëherë argëtohesha duke bërë gazetarin dhe mund të shprehja lirisht gjithçka që kisha në mendje. Tani është e ndaluar edhe të shqiptosh e të shkruash fjalët “komb” dhe “atdhe”…
Këto që po jua them juve sot, kam pasur gjithmonë kurajën që t’ia them sulltanit. Sovrani im nuk është kurajoz, dhe nuk godet asnjëherë drejtpërdrejt. Një ditë të bukur sulltani më thotë se meqë në Tripoli i duhej një njeri i zgjuar dhe energjik, kishte menduar për mua, si guvernator. Ju përgjigja duke i kërkuar nëse po shkoja për të reformuar apo për të konservuar. Sulltani heshti…”
Gazetari flet edhe për takimin e Ismail Qemalit me ministrin italian të Punëve të Jashtme markezin Viskonti-Venosta dhe Krispin “burrin e madh të shtetit që lavdërohet me origjinën e tij shqiptare.
Në mbyllje të intervistës, gazetari Sombrero kujton se Ismail Qemali i shtrëngoi dorën duke i thënë: – “Mbaj mend: Kundër sllavizmit nuk ka digë tjetër të mundshme përveçse lidhjes shqiptaro-greko-turke. Dhe e para që do të përfitoj do të jetë Italia!”.