PRISHTINË, 30 Korrik 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
Ish-kongresistët Amerikanë Peter Roksam e Nick Rahall kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, ku janë pritur në takime nga drejtues institucionalë e politikë. Pjesëmarrja e tyre në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës është përshëndetur edhe me duartrokitje. Në takime janë shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
KRYEMINISTRI KURTI PRITI NË TAKIM ISH-KONGRESISTËT AMERIKANË, NICK RAHALL DHE PETER ROSKAM
Dy ish kongresistët amerikanë, z.Nick Rahall dhe z.Peter Roskam, janë pritur në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe nga kryetarja e Komisionit parlamentar për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis e planifikim hapësinor dhe infrastrukturë, Fitore Pacolli. Kryeministri Kurti i njoftoi ish-kongresistët me prioritetet e programit qeverisës dhe rezultatet e arritura në njëqinditëshin e parë të qeverisjes. Në takim u diskutua për investimet e nevojshme të bizneseve nga diaspora dhe atyre amerikane në Kosovë. Kryeministri tregoi hapat që ka ndërmarrë qeveria për përmirësimin e klimës për investime. Ai falënderoi ish-kongresistët për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Ata shprehën gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në fushën e mbrojtjes së mjedisit, investimeve në energji dhe infrastrukturë. Ish-kongresistët kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, me ftesë të komisionit parlamentar që e udhëheq deputetja Pacolli, në kuadër të programit “House Democracy Partnership”.
KRYEKUVENDARI KONJUFCA PRITI NË TAKIM DELEGACIONIN E INSTITUTIT REPUBLIKAN NDËRKOMBËTAR
Kyetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), në përbërje të ish-anëtarëve të Kongresit të SHBA-së, Peter Roksam e Nick Rahall, dhe stafit të zyrës qendrore të IRI në SHBA e Kosovë, Nesti Gjeluci, Maggie Stewart, Erin McMenamin, Marta Onorato dhe Betime Hoxha. Anëtarët e delegacionit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, pasi shprehën ngushëllime për viktimat e aksidentit tragjik të së dielës në Sllavonski Brod të Kroacisë, e njoftuan kryekuvendarin Konjufca lidhur me veprimtarinë dhe projektet e këtij Instituti, me fokus të veçantë organizimin e aktivitetit pesë-ditor me kryetarët e grupeve parlamentare në kuadër të programit House Democracy Partnership (HDP). Kryekuvendari Konjufca e çmoi lart kontributin e IRI në avancimin e reformave të legjislativit të vendit dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit. Instituti Republikan Ndërkombëtar është themeluar nga Kongresi Amerikan në vitin 1983 për të mbështetur konsolidimin e demokracive dhe sundimin e ligjit në botë.