
Ish-presidenti Hashim Thaçi thirri sot (15 shtator) ish-Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, për të dëshmuar në favor të tij në Hagë, ku akuzohet për krime lufte që ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Kosova pretendohet se kanë kryer në fundvitet ’90.
Dëshmitari i ditës, i cili shërbeu në administratën demokrate të SHBA-së në vitet 1997–2000, u paraqit në Gjykatën Speciale së bashku me përfaqësues aktualë të qeverisë amerikane.
Rubin ishte i dërguar i lartë i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright dhe u përfshi në punimet në Rambuje me përfaqësuesit shqiptarë për marrëveshjen e paqes mes Kosovës dhe Jugosllavisë. Ai tregoi takimin e tij të parë me Thaçin dhe këmbënguljen e ish-presidentit kosovar te vendosja e fjalës “pavarësi” në dokumentin që do të firmoste delegacioni shqiptar, pavarësisht refuzimit të vendeve si Rusia.
“Nuk i njihnim mirë strukturat e UÇK-së. Kur arritëm aty e kuptuam që udhëheqësi i delegacionit shqiptar ishte i inkuadruar te UÇK-ja. Folëm për takimin me Thaçin në Rambuje. Në kuadër të takimit ai më njohu menjëherë prej televizorit. Albright më tha që të rrija me të, ta njihja më mirë Thaçin. Gjatë gjithë javës unë kam ndenjur me të. Jemi takuar, kemi pirë kafe, çaj e cigare. Thaçi nuk fliste anglisht. Në ato rrethana ne komunikonim përmes gjuhës së trupit.
Atij i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare, ashtu siç ishte ajo në atë kohë. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet, as mundësi për të diktuar ndonjë gjë. Thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga zyra diku e fshehur e udhëheqjes shqiptare, që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm. Kështu që atij i duhej të merrte leje nga ata. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla apo kushte. Prandaj, kur donim të bënim diçka shumë të rëndësishme atij i duhej të komunikonte me persona të tjerë për të marrë miratimin,” deklaroi Rubin.
Pak vite më vonë, Rubin do e takonte sërish Thaçin, por këtë radhë në funksionin e kryeministrit të Kosovës.
“Më kujtohet takimi i parë. Ai ishte djalë i ri. U takuam në një kohë të vështirë. Nuk kishte funksion apo pushtet. Dhe pastaj u takuam në një restorant në Nju-Jork, kur ishte bërë kryeministër. Erdhi në një restorant si kryeministër dhe u habita, sepse kishte kaluar nga një djalë i ri që punonte në rrethana të vështira, befasisht në kryeministër. Hera e fundit besoj duhet të ketë qenë rreth vitit 2018, kur po punoja në Uashington dhe [Thaçi] ishte president i Kosovës,” tha Rubin.

Avokati i ish-presidentit Thaçi, Pierre Richard Prosper, para hyrjes në godinën e Gjykatës Speciale tha se dëshmia e ish-ndihmëssekretarit amerikan do të jetë “një shans për të dëgjuar të vërtetën se çfarë ndodhi dhe kush ishin përgjegjësit. Unë mendoj që nëse Dhomat [e Specializuara] shkojnë pas së vërtetës do të kemi një verdikt të drejtë, që do të tregojë se klienti im është i pafajshëm.”
Rubin është një nga gati dymbëdhjetë dëshmitarët që do të thërrasë mbrojtja e Thaçit, e cila do të parashtrojë edhe prova të reja. Më tej, radhën për provat dhe dëshmitarët e vet do e ketë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, me katër dëshmitarët e vet, për të vijuar me ekipet mbrojtëse të ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Rexhep Selimi.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur në prill të vitit 2023. Aktakuza ndaj tyre është se kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 vetave, si dhe mbajtjen në paraburgim e torturimin e shumë të tjerëve kur vendi luftonte përballë ushtrisë jugosllave.
Prokurori i Specializar, nga ana e vet, gjatë kësaj periudhe ka thirrur më shumë se 100 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3 mijë prova materiale.
Një ditë më parë, shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën pranë godinës së Gjykatës në Hagë në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së, duke mbajtur pankarta në duar, me këngë patriotike, veshje me motive ushtarake dhe thirrje për drejtësi.
/rtsh.al/