Ish-të burgosurit tentojnë të lidhen me zinxhirë: S’kemi marrë asnjë këst/
TIRANE: Një grup ish-të burgosurish politikë kanë tentuar të lidhen me zinxhirë para Parlamentit në shenjë indinjate ndaj Qeverisë për mosmbajtjen e premtimeve për marrjen në shqyrtim të dosjeve të vonuara që i lë ata jashtë skemës së dëmshpërblimit. Veprimi është nda- lur nga policia pa incidente, ndërsa ish-të përndjekurit paralajmëruan përshkallëzim të protestave. Ish-të burgosurit kanë tentuar të lidhen me zinxhirë para Parlamentit në shenjë indinjate për mos marrjen e asnjë kësti financiar për vitet e qëndrimit në burgjet e diktaturës.
Ata njihen si grupi i grevës së urisë 2012 të ish-të burgosurit politikë, dhe protestojnë që qeveria t’u njohë vitet e burgut të bërë gjatë diktaturës, të arkivuara në afër 150 dosje që mbahen të bllokuara që prej vitit 2007 për mos dorëzimin në kohë pranë Ministrisë së Drejtë- sisë. Zyrtarisht janë 1343 dosje të vonuara që presin ndryshimet ligjore që të merren në shqyrtim nga Ministria e Mirëqenies Sociale përmes institutit të riintegrimit
të ish-të dënuarve politikë gjatë regjimit komunist. Krahas 150 ish-të burgosurve politikë në listën e gjatë të atyre që nuk kanë përfituar asnjë këst dëmshpërblimi janë edhe të dënuarit në kampe,si dhe trashëgimtarë të viktimave të diktaturës.
Qeveria nga ana saj ka iniciuar hartimin e një drafti ligjor që procesi të rihapet për dosjet e vonuara, draft i cili i është dërguar për marrje mendimi disa ministrive. Protestuesit kërcënuan se do të përshkallëzojnë protestat e tyre nëse Qeveria nuk miraton me urgjencë ndryshimet ligjore, duke nënkuptuar forma ekstreme të protestës si ajo e Lirak Bejkos dhe Gjergj Ndrecës që u vetëdogjën me benzinë në mënyrë demonstrative, ndërsa ndodheshin prej javësh në grevën e urisë të vitit 2012. /b.s/