Presidenti Nishani çmon me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” shkrimtarin e shquar Ismail Kadare: Në një sistem tiranik, i pangjashëm me të tjerët në dhunë e çmenduri si komunizmi shqiptar, ju ruajtët dhuntinë e shkrimit dhe zgjeruat hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne!/
Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani mori sot pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Shekulli i Kadaresë” organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me rastin e 80-vjetorit të shkrimtarit të shquar, të njohur anembanë globit për krijimtarinë e tij letrare të përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Në prani të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof. Muzafer Korkuti dhe anëtarëve të Akademive të Kosovës dhe Maqedonisë, të Ambasadorëve dhe përfaqësueseve të Trupit Diplomatik, studiuesve, përkthyesve, akademikëve, intelektualëve, artistëve, studentëve, dhe miqve të shkrimtarit nga mbarë bota, Kreu i Shtetit nderoi shkrimtarin e shquar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për veprat e vyera letrare, për pasurimin e pashtershëm e të çmuar të letrave shqipe, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në drejtim të lartësimit të emrit e vlerave të kombit shqiptar anembanë botës”.
Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Bujar Nishani:
“I nderuar Mjeshtër, Ismail Kadare!
E nderuara zonja Kadare!
Zoti Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë,
Shkëlqesi Ambasadorë të pranishëm në sallë,
Të nderuar akademikë,
Zonja dhe zotërinj!
Së pari dëshiroj të shpreh gjithë kënaqësinë time personale për mundësinë që m’u dha për të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme shkencore, akademike dhe nderuese! E konsideroj privilegj personal dhe institucional që të jem së bashku me ju për të sjelljë në vëmendje jo vetëm të identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe të identitetit të kulturës botërore, veprën e shquar të Ismail Kadare.
Natyrisht që vepra e Kadaresë nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Është përtej kombit shqiptar. Ajo është vlerë e kulturës botërore. Ashtu si edhe vetë mjeshtri Kadare nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Ai tashmë i përket fondit akademik, shkencor, kulturor botëror. Por natyrisht që ne shqiptarëve në radhë të parë na takon që ta referojmë veprën e Kadaresë dhe vetë mjeshtrin në radhë të parë me vetë identitetin tonë, me kontributin për kombin shqiptar. Jemi mbledhur të nderojmë sot në mënyrë simbolike kontributet e paçmuara të shkrimtarit Ismail Kadare në letërsinë dhe në gjuhën shqipe, në kulturën dhe mendimin shqiptar.
Po e theksoj: kontribute të paçmuara, sepse nuk ka mirënjohje që të jetë e mjaftueshme për t’i njohur Ismail Kadaresë gjithë meritat e tij krijuese dhe qytetare, si mendimtar dhe si veprimtar, si rikrijues i një Shqipërie të denjë letrare për botën dhe si aktor për ta bërë vetë Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë tonë, më të denjë, më të vlerësuar dhe më të qytetëruar anembanë botës.
Të flasësh për Ismail Kadarenë duket e lehtë por është dhe e vështirë!
E lehtë se ke pambarimisht për të thënë, e vështirë, sepse për të janë shprehur zërat më të artikuluar të Evropës dhe botës duke e konsideruar një klasik të gjallë, si njërin prej mësuesve të mëdhenj të civilizimit perëndimor dhe humanizmit, si njërin prej gjenive më të ndritur të letrave në çdo kohë.
Unë jam njëri prej lexuesve të Ismail Kadaresë, i çdo gjëje që ai ka shkruar, jam një shqiptar që ka jetuar diktaturën dhe lirinë me librat e tij si referencë dhe mund të them me fjalë zemre se çfarë ishte, çfarë është e çfarë do të jetë për ne ai dhe vepra e tij!
Në këtë pikë ndihem i pakompleksuar.
Në një sistem tiranik, i pa të ngjashëm me të tjerë në dhunë e çmenduri si komunizmi shqiptar, Ismail Kadare ruajti dhuntinë e shkrimit dhe zgjeroi hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne!
Po, vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamatë krijues.
Tek lexoje romanet e ndryshëm ndieje se ai në çdo rresht e kishte mundur banalitetin e së keqes, ndieje në çdo rresht disidencën estetike për të kulmuar me atë politike tek ‘Pallati i Ëndrrave’, ndoshta vepra më e guximshme dhe më e arrirë që dilte nga Ferri i përbotshëm Komunist në Shqipërinë e asaj kohe.
Çdo njëri prej jush besoj bie në një mendje me mua në pohimin se Kadare me intuitë shekspiriane dhe kurajë të pazakontë përkufizoi krimin, përgjakjen dhe frikën, këtë perpetum mobile të çdo tiranie duke universalizuar ndodhitë shqiptare me të cilat ai udhëtoi nëpërmjet qindra e qindra botimesh në 45 gjuhë të botës.
Kadareja krijoi qytetet si kujtesë e si mungesë, qytetet e pushtetit të rinisë e të lirisë, Gjirokastrën, Tiranën, Moskën, Pekinin, Stambollin, Parisin e të tjerë duke alternuar historinë me letërsinë si përsëritëse të njëra-tjetrës, duke i dhënë mundësinë të dytës të parodizojë të parën si funksion alegorik, si procedim kundërveprues ndaj censurës. Në mijëra kilometra shtrihet peizazhi i tij artistik, në mijëra vjet thellësi zbret hulumtimi i tij nga mitet e gjenezës deri në aktualitet.
Izolimi komunist humbi betejën themelore me veprën e Kadaresë.
Ai bëri letërsi të madhe evropiane në Shqipëri kur ajo anatemohej si e keqja absolute.
Ai e mbajti shpirtërisht Shqipërinë në Evropë duke i plotësuar këtë nevojë jetike.
Ne u kapëm tek kjo spirancë kur thërrisnim në vitet 1990-të ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’
Jo rastësisht studentët në sheshe dolën edhe me portretin e shkrimtarit.
Atë që nisën Buzuku, Bogdani, Budi, Bardhi e të tjerë gjatë zymnajës drithëruese otomane e përfundoi Ismail Kadareja.
Gjuha ju bashkua familjes natyrale, kultura trungut, kombi kontinentit teksa të tria bashkë tek Ismail Kadareja gjetën ideologun e përjetshëm të identitetit të tyre, të identitetit evropian të shqiptarëve, pa ndoshta, pa sikur, pa mëdyshje, si e vërteta jonë e madhe, ikja prej së cilës do të ishte fatale.
Të gjitha këto i thonë shqiptarët e Shqipërisë nga Veriu në Jug, të cilët kërkuan dhe ja dolën të kenë lirinë të frymëzuar edhe nga vepra juaj kampione e saj, e thonë ata të Kosovës të cilët e kanë ndier praninë tuaj këmbëngulëse në epokën më të rënde kur vetë ekzistenca u vihej në diskutim, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Preshevës e Bujanovcit, të Diasporës së vjetër e asaj të re po e po, në përpjekjet për të mbetur vetvetja teksa kërkonin standarde demokratike dhe integrim me emrin tuaj si mbështetje.
Zonja dhe zotërinj,
Kadareja është një shkrimtar që arriti të shkruante letërsi evropiane duke mbijetuar në një regjim të vdekur.
‘Ideja se ne do mundnim të përgatisnim ndonjë copëz ushqimi shpirtëror për popullin tonë të burgosur, na ka mbushur me gëzim’, është shprehur ai me fisnikëri në ceremoninë e pranimit të çmimit të lartë ‘Njeriu Ndërkombëtar i Librit’.
Dhe është e vërtetë se ky ushqim shpirtëror modest ka qenë një lloj racioni mbijetese për popullin shqiptar në atë kohë burgu, kur popullsia ushqehej vetëm me tallonë dhe me pikatore arti dhe letërsie të vërtetë mbresëlënëse.
Unë nuk do t’u shtoja dhe as t’u hiqja asgjë fjalëve të tij në atë ceremoni: ‘Nëse një ditë, duke kapërcyer natën e diktaturës, kjo bukë burgu arriti në qytetet e lira të Perëndimit; nëse këtë bukë burgu njerëzit e lirë e kanë shijuar; nëse kjo bukë ishte po aq e ngrënshme për njerëzit e lirë të një bote të lirë, për një shkrimtar shqiptar nuk mund të kishte vlerësim më lavdërues.’
I nderuar Zoti Kadare,
Të nderuar miq të Kadaresë, veprës së tij e të gjithë shqiptarëve!
Gjatë këtyre viteve si President i Republikës, ndër takime me homologë e personalitete të të gjitha fushave kam konstatuar se ne megjithëse jemi një vend jo i madh na njihet kontributi si shqiptarë në përmasat themelore të civilizimit evropian!
Në atë të rezistencës për mostjetërsim, mishëruar në figurën e Gjergjit Skënderbe, në atë shpirtërore mbështjellë me mantelin e shenjtores Nënë Terezë, në atë të doktrinave paqësore me Presidentin mitik Ibrahim Rugova dhe në atë të kulturës, e cila shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare e konsideron si njërën prej mendjeve më përfaqësuese të Evropës qysh kur Homeri filloi të rrëfente historitë dhe lavditë e saj.
Duke përfunduar me lejoni t’i bëj homazh paraardhësit të hershëm të Ismail Kadaresë, Pjetër Bogdanit, të huazoj vargjet e tij për të thënë se letërsia shqipe falë Ismail Kadaresë ngjan kudo e kurdo ‘veshur me diell dhe mbathur me hënë’!
‘Dekorata e Flamurit Kombëtar për ju sot mbase është i vonuar, fshehur hallesh, kontradiktash e rrëmujash shqiptare aq të kritikuara nga ju tek ‘Mosmarrëveshja’, por jemi të vetëdijshëm se çfarëdo e me sado dëshirë t’ju japin institucionet shqiptare është pak përballë përjetësisë që na keni falur me veprën tuaj madhështore, jo veç ne, por edhe trashëgimisë shpirtërore të mbarë botës.
Në ditët e sotme, vepra juaj në gjuhë të huaj e tejkalon dy deri në tri herë listën e titujve të saj botuar në shqip.
Ju jeni një fenomen i letërsisë evropiane dhe i kulturës botërore.
Shqipëria jonë, Shqipëria juaj, duke ju nderuar sot, ndihet më mirë, ndihet më e vlerësuar, ndihet më pranë prirjeve më të përparuara të zhvillimit të mendimit njerëzor.
Me Dekoratën e lartë që po ju akordohet, unë, sot, në cilësinë e Presidentit të Republikës, dhe jam i bindur që flas edhe në emër të të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, thjesht e njohim, e pranojmë, e vlerësojmë dhe e bëjmë publik këtë realitet të patjetërsueshëm.
Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!”