Prof.Muhamed Mufaku/
Familja Arslan është prej familjeve më rrënjë në Liban për shumë shekuj. Prej saj dolën shumë figura në historinë e re të Libanit e deri më sot. Njëri prej tyre ishte Emin Arslan që ishte figurë e njohur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX në sajë të rrethanave të kohës.
Pashko Vasa e Ismail Qemali në Liban
Emin Arslan u lind më 13 korrik të vitit 1868 në qytezën Shuajfat, pra vetëm shtatë vjet pasi që Mali i Libanit u bë një njësi administrative me autonomi të gjerë, e lidhur drejtpërdrejt me kryeministrinë në Stamboll. Kreu mësimet në vendlindje kurse studimet për drejtësi në Universitetin e Bejrutit, i cili u bë qendër e vilajetit të ri më 1888. Siç tregon në “Kujtimet” e tij, botuar më 1934 në Buenos Aires, në moshën 21-vjeçare u emërua drejtor qarkut al-Garb, përkatësisht më 1890, në kohën kur Pashko Vasa ishte Guvernator i Malit të Libanit me seli në Baabda (15 kilometra nga Bejruti), kurse më 1891 erdhi Ismail Qemali si vali i Bejrutit.
Pashko Vasa e mori këtë post më 1883, ku tregoi interesim për zhvillimin e vendit duke ndërtuar shumë rrugë dhe ndërtesa publike, për çka iu vazhdua edhe një mandat më 1888.
Në krahasim me mandatin e parë, Pashko Vasa ra nga shëndeti në mandatin e dytë dhe u paraqit dhëndri i tij, armeni Kolopian, si dora e tij e djathtë. Mirëpo, Kolopiani e shfrytëzoi pozitën e tij për t’u pasuruar duke kërkuar ryshfet për çdo shërbim deri kur vdiq Pashko Vasa më 29 qershor 1892, pra para mbarimit të mandatit të tij. Në Kujtimet e tij, Emin Arslan citon një fjalë të Koplianit që arsyetonte sjelljen e tij: “Kur erdhëm në Liban, libanezët na u përkulëm e ne hipëm mbi shpina të tyre” (fq. 60).
Ndërkohë, Emin Arslan u lidh me Ismail Qemalin kur erdhi në krye të Vilajetit të Bejrutit më 1891. Arslani ishte prej gjeneratës së re me arsim universitar dhe me orientim demokratik që kërkonte kthimin e sistemit kushtetues në Perandorinë Osmane, pasi që sulltani i ri Abdulhamidi II e suspendoi kushtetutën më 1878 dhe sundoi vendin në mënyrë absolute. Ndaj, ardhja e një figure si Ismail Qemali, i njohur si ithtar i Mit’hat pashës dhe i sistemit demokratik, në krye të Vilajetit të Bejrutit ishte shumë domethënëse për drejtorin e ri në Malin e Libanit. Ai ia kushtoi Ismail Qemalit një pjesë të kujtimeve që e botoi veçmas në gazetën argjentinase “Caras y Caretas” në Buenos Aires më 12 korrik të vitit 1913,kur shërbente ai atje si konsull gjeneral i Perandorisë Osmane, e kur Ismail Qemali u bë atëherë figurë e njohur me shpalljen e Pavarësisë dhe si kryeministër i shtetit të ri në Evropë.
Në këto kujtime, që i përktheu në shqip Aurenc Bebaj në blogun e tij “Dars(Klos), Mat-Albania” dhe i ribotoi gazeta “Dielli” më 25 mars 2024, del në shesh një miqësi midis dy figurave me pikëpamje të ngjashme kundër regjimit absolut të Sulltan Abdulhamidit II. Në këto kujtime, Emin Arslam flet me admirim për Ismail Qemalin dhe luftën e tij për një regjim kushtetues deri kur erdhi në krye të Vilajetit të Bejrutit më 1891. Në saje të kësaj miqësie, Emin Arslan ia paraqiti një rast të padrejtësisë dhe e luti të ndërhyjë si vali. Ismail Qemali e kuptoi mirë rastin dhe ndërhyri, por kjo ndërhyrje u paraqit ndryshe në Stamboll nga agjentët e Sulltan Abdulhamidit II “për rrezikun e pranisë së Ismail Qemalit në Bejrut, ku ai propagandonte idetë e Turqisë se Re”, për çka sulltani e thirri I. Qemalin në Stamboll.
Miqësia me Myfit Libohovën
Emin Arslan vazhdoi me qëndrimin e tij sipas Ismail Qemalit, duke kërkuar kthimin e sistemit kushtetues në shtetin osman, por duke ndierë rrezikun nga agjentët e Sulltanit ai dha dorëheqje dhe shkoi në Paris, ku u takua me krerët e opozitës antihamidiane si Ahmet Riza, duke themeluar “Shoqërinë turke-siriane” dhe duke nxjerrë gazetën “Ndriçimi” në arabisht prej vitit 1894 deri më 1895. Në sajë të intervenimit të Stambollit gazeta u mbyll, pasi kritikonte regjimin absolut të Sulltanit, por ai nxori gjatë prej vitit 1895 deri më 1897 gazetën “Turqia e re” në arabisht e frëngjisht.
Këto gazeta të opozitare krijuan një imazh negativ për Sulltanin dhe regjimin e tij absolut, ndaj ai u ofroi opozitarëve amnesti dhe pozita të mira me një premtim për kthimin e sistemit kushtetues. Kështu, Emin Arslan u emërua konsull në Bordo të Francës më 1897, kurse më 1898 u transferua si konsull në Bruksel. Në Ambasadën Osmane në Bruksel ishte vetëm ambasadori Kara Teodori dhe sekretari Myfit Libohova, me të cilin u miqësua Emin Arslani. Si njohës i shumë gjuhëve (arabisht, osmanisht, frëngjisht, anglisht e spanjisht), Arslan ishte shumë aktiv në gazetari dhe në diplomaci në ato vende që shërbente, duke botuar edhe disa libra në frëngjisht e arabisht.
Miqësia e tij me Myfit Libohovën vazhdoi nja dhjetë vjet. Në Kujtimet e tij botuar më 1934 në Buenos Aires ai nxjerr në shesh një detaj shumë interesant nga vera e vitit 1901, kur Sulltani bëri një skandal diplomatik që shkaktoi një krizë midis dy vendeve. Atëherë, Sulltani kishte tërhequr papritmas ambasadorin Kara Teodori pa lajmëruar Mbretin as ministrin e punëve të Jashtme të Belgjikës. Në këtë gjendje u ngarkua Myfit Libohova me punë të ambasadës dhe u paraqit në MPJ që të akreditohet si i ngarkuar me punë të Ambasadës Osmane në Bruksel. Mirëpo, ministri nuk e pranoi fare si të tillë pa procedurë formale. Atë ditë, Myfit Libohova u kthye shumë nervoz në Ambasadë, duke kërcënuar që ta bënte të madhe këtë punë.
Emin Arslani, si mik që e njeh mirë mikun, e qetësoi pak duke pritur të zbutet “inati shqiptar” te Myfit Libohova. Kur u zbut, atëherë e mori në një restorant për të gjetur një zgjedhje për këtë krizë diplomatike midis dy vendeve. Në sajë të lidhjeve të tij me MPJ-në në Bruksel, ai u takua me sekretarin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe morën vesh për një zgjidhje, që Myfit Libohova t’i drejtohej ministrit një notë me vendimin e emërimit të tij si i ngarkuar me punë të Ambasadës osmane në Bruksel dhe Ministri do të konsideronte emërimin e tij si punë të kryer. Emin Arslani e Myfit Libohova mbeten miq deri më 1908, kur shpërtheu rezistenca e armatosur dhe Sulltani u detyrua ta shpallë kthimin e sistemit kushtetues në vend. Atëherë, të gjithë krerët e opozitës u kthyen në Stamboll, e disa prej tyre si Myfit Libohova morën pjesë në zgjedhjet e para parlamentare. Kështu, miqtë u ndanë, pasi që M. Libohova u zgjodh për parlamentin e ri, kurse Emin Arslani u avancua si Konsull Gjeneral në Paris.
Pasi që më 1909 u nënshkrua një marrëveshje ndërshtetërore midis Argjentinës dhe Shtetit Osman për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel të konsullatave, Emin Arslani u emërua si Konsull Gjeneral në Buenos Aires, pasi që shumica dërmuese e shtetasve osmanë atje janë prej Leventit (sirianë e libanezë). Konsullata u hap me një ceremoni të madhe më 1910. Emin Arslani mbeti shumë aktiv atje, duke shkruar, botuar tani edhe në spanjisht, deri në verën e vitit 1914 kur Stambolli nënshkroi një marrëveshje sekrete me Gjermaninë për inkuadrimin në Luftën e Parë Botërore. Emin Arslani ishte kundër këtij qëndrimi, sepse mendonte se Shteti Osman, do të pësojë shumë në të dyja rastet, pra nëse Gjermania fiton dhe nëse Gjermania e humb luftën.
Si pasojë, Emin Arslani e paraqiti dorëheqjen dhe u bë nënshtetas i Argjentinës, duke vazhduar aktivitetin e tij si gazetar e shkrimtar. Kështu, më gjatë 1915-1921 nxori revistën letrare “La Nota”, kurse gjatë 1925-1926 nxori gazetën politike-letrare humoristike “Lapsi i kaltër” (El Lapiz Azul), ndërsa më 1926 nxori në arabisht gazetën “al-Istiklal” (Pavarësia) që vazhdoi me sukses deri në vdekjen e tij më 1943.