Dr. Paulin Marku/
Ismail Qemali është ndër figurat kryesorë të veprimtarisë politike e organizative në fillim të shekullit XX. Ai nuk mbeti vetëm në suazën politike, por pati jehonë të madhe dhe në qarqet diplomatike. Ashtu si diplomatët e tjerë, edhe italianët interesoheshin për situatën në Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojat e ngjarjeve në Ballkan, përfshirë dhe ato në viset shqiptare. Kancelaritë e huaja ndiqnin me interes zhvillimet politike të Portës së Larte si dhe të krerëve shqiptar.
Po ashtu, lëvizjet e Ismail Qemalit ndiqeshin me interes dhe nga autoritetet e larta të Stambollit dhe nga diplomacitë e huaja. Ai ishte një personalitet i rëndësishëm në procesin e gjatë dhe të vështirë të Pavarësisë së Shqipërisë. Italia ishte e interesuar për gjendjen e trazuar në Ballkan dhe për çështjen shqiptare. Në arkivin historik e diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë gjenden dokumente të rëndësishme për çështjen shqiptare. Aty ka të dhëna të shumta për situatën politike, ekonomike e kulturore të shqiptarëve. Dokumentet arkivore italiane hedhin dritë mbi lëvizjet dhe organizimin e shqiptarëve, me të dhëna të shumta në spektrin politik, ekonomik kulturor-shoqërore. Po ashtu, gjenden materiale të shumta për elitën politike të kohës në shërbim të lëvizjes kombëtare shqiptare. Një vend të rëndësishëm zënë edhe takimet politike e diplomatike gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar, kryesuar nga Ismail Qemali.
Italia informohej në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet diplomatëve e bashkëpunëtoreve të tyre për lëvizjet e elitës shqiptare dhe për politikën e brendshme të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali, ishte njëri prej tyre që mbronte interesat e popullit shqiptar brenda parlamentit në Stamboll dhe ishte një zë i fuqishëm në politik-bërje, ndaj ngjallte interes veprimtaria e tij. Rikthimi i tij në jetën aktive politike në vitin 1908, falë rivendosjes së kushtetutës dhe legjislacionit perandorak që detyronte Portën e Lartë të shpallte zgjedhjet parlamentare, shikohej pozitivisht nga shqiptaret dhe ndiqej me interes dhe nga diplomatët e huaj. Rikthimi i Ismail Qemalit në atdhe për të marrë besimin e shqiptarëve me votë, për në parlamentin e Stambollit duke bërë fushatë elektorale në zonën Berat-Vlore u ndjek me shumë interes dhe nga Italia. Ai, e priste prej kohësh shpalljen e kushtetutës perandorake dhe daljen e një amnistie të përgjithshme që i lejonte rikthimin në vendlindje. Në takimin e Ismail Qemalit me ambasadorin italian në Londër, San Giuliano, ndodhur në gusht të vitit 1908, pohonte për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë rreth bisedës së tyre. San Giuliano shprehej se ishte diskutuar për çështjen konstitucionale dhe për situatën e shqiptarëve gegë e toske të cilët dëshirojnë kushtetutën, lirinë, rendin dhe progresin. Në njoftimin e tij, diplomati italian e përshkruan Ismail Qemalin si një burrë inteligjent shqiptar, që e njihte prej vitesh. Ai i kishte folur dhe për programin politik. Bëhet fjalë për vitin 1908 kur San Giuliano mbanë postin e krye-diplomatit italian në Londër që më vonë transferohet në Romë me detyrën Ministër i Jashtme i Italisë. Programi politik i Ismail Qemalit ishte i gjatë, ku përshkruante gjendjen në vilajetet shqiptare, projekt me mendim politik për të ardhmen. Në vitin 1908 shprehej se ishte për një “autonomi të gjere administrative në suazën e Perandorisë”, faktorizim i çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare dhe mbrojtjen nga copëtimi i territoreve shqiptare, themelimin e disa shkollave shqipe dhe shtypjen e shpërndarjen e librave në gjuhen shqipe dhe i kërkonte ambasadorit që vendi i tij të investoje në mënyrë sekrete dhe sa më parë, si dhe investime të kapitalit të huaj. Ndërkohë që Ismail Qemali mbante mandatin e deputetit dhe qëndrimet e tij opozitare ishin publike, bashkë me një grup deputetësh shqiptar në parlamentin e Stambollit, ai vazhdonte të mbante kontakte me diplomatët e huaj dhe herë pas here vizitonte përfaqësues të ndryshëm në Evropë.
Ismail Qemali nuk arriti të fitonte mandatin e II-të, të deputetit në vitin 1912. Ai gjithsesi nuk e ndaloi veprimtarinë politiko-diplomatike nëpër kancelaritë Evropiane për të lobuar në mbrojtje të drejtave kombëtare të popullit shqiptarë dhe përpiqej që të bindte diplomacinë e Vjenës, Romës, Londrës, etj, se ishte në dobi jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të Perandorisë Osmane dhe të Fuqive Evropiane që të njihen sa më parë kufijtë dhe t’i jepej autonomia Shqipërisë. Dokumentet italiane paraqesin veprimtarinë intensive me informacione dhe raporte diplomatike të shumta për takimet dhe udhëtimet e intelektualëve shqiptar.
Përfaqësuesit shqiptarë kishin kërkuar ndihmë dhe mbështetje tek qeveria italiane edhe para 1912 por me daljen e pranverës gjendja në Ballkan ishte e tensionuar dhe shqiptaret përpiqeshin të krijonin aleat në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare. Italia tregohej e kujdesshme në qëndrimet zyrtare, duke i konsideruar probleme të brendshme çështjen e shqiptarëve me Perandorinë Osmane, si dhe për shkak të konflikteve të hapura në Tripoli.
Në një takim që Ismail Qemali kishte zhvilluar me diplomatin italian Labia, ishte shprehur se shqiptarët kishin shpresuar shumë tek ata, por nuk kanë marrë ndihmë nga Italia. Ai i kërkonte konsullit italian, që të komunikonte me Romën zyrtare dhe t’ju shpërndante shqiptarëve një sasi të konsiderueshme armatimesh. Sipas dokumentit diplomatik, thuhet se I. Qemali e motivoi kërkesën e tij me argumentin se, shqiptarët do t’i përdorin armët vetëm për vetëmbrojtje dhe jo për kryengritje sepse i frikësohej rrezikut të ndonjë ndryshimi territorial në dëm të programit shqiptar, pasi Lufta Italo-Turke e kishte dobësuar Perandorinë Osmane. Në gjykimin e tij situata ishte sa premtuese aq edhe e rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë. Në përfundim të takimit, Labia i kishte thënë Ismail Beut se qeveria italiane ishte e gatshme që në rrugë ligjore të nxiste Perandorinë Osmane që të siguronte kushte sa më humane për shqiptarët dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen, ndërsa për pajisjen e shqiptarëve me armë nga ana e Italisë, i kishte dhënë një përgjigje negative. Sipas diplomatit ndihma e Italisë do të shkaktonte trazira të mëdha dhe do të jepte pretekste për interpretime Portës së Lartë. Ai e këshillonte Ismail Qemalin që shqiptarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të evitojnë lëvizjet kryengritëse.
Citoj dokumentin e diplomatit italian, Labia dërguar Ministrisë së Jashtme të Italisë për takimin e zhvilluar me Ismail Qemalin, i klasifikuar telegram i rezervuar, nr. 230, nga Korfuzi, më 2 maj 1912: “Kam patur mbrëmë një intervistë me Ismail Qemal Beun. Në përfundim, pas të njëjtave deklarata dashamirëse kundrejt Italisë, ai shtoi se shqiptarët nuk kanë marrë deri më tani ndihmat e mëdha që prisnin prej saj. Ai më përsëriti se i kishte paraqitur Shkëlqesisë së Tij Markezit Imperiali, ambasadori ynë në Londër, kërkesën se meqë situata e vështirë në Turqi mund të sillte ndryshime territoriale në dëm të programit shqiptar gjatë dhe pas luftës italo-turke, Italia t’u shpërndante shqiptarëve një sasi të madhe armësh (nga ato të skartuarat e ushtrisë).” Por përgjigja ishte tepër diplomatike dhe e matur. Labia e falënderoi për ndjenjat në favor të Italisë, dhe ju përgjigja se, ishte në dijeni, se qeveria italiane ka bërë gjithmonë gjithçka ne mënyrë ligjore që të nxisë qeverinë osmane t’u siguronte kushte sa më humane shqiptarëve, dhe këtë do vazhdonte ta bënte me një interes të madh. Diplomati italian pohonte nuk është e mundur të vendoset shpërndarja e armëve pasi kjo mund të krijojë pavarësisht gjithçkaje, një situatë të rrezikshme. Për më tepër elementë trazues shqiptarë nuk janë të gjithë të disiplinuar dhe të bindur. Ë shpërndarja e armëve nga ana e Italisë (që do merrej vesh shumë shpejt) do të jepte padyshim pretekste për interpretime dhe komente false dhe të rrezikshme.
Në qarqet diplomatike italiane situata në viset shqiptare konsiderohej shqetësuese. Këtë e konfirmonte një tjetër diplomat i Italisë nga Athina. Ambasadori pohonte se shqiptaret po bëjnë përpjekje për të siguruar armatime për popullatën. Në vazhdimësi të rendimit të situatës të shqiptarëve përpjekjet për të kërkuar ndihma dhe bashkëpunim me Italinë ishin të vazhdueshme të Ismail Qemalit. Këtë e konfirmon ambasadori italian në Paris nëpërmjet telegramit të tij, dërguar ministrit të Jashtëm San Giuliano, emërtuar, I rezervuar nr. 1564, telegram nr. 670. Në atë takim, Ismail Qemali kishte kërkuar ndihma nga Italia sepse revolta ishte në rritje dhe situata mund të përshkallëzohej dhe për pasoje rrjedhat e ngjarjeve mund të ndryshonin. Citoj: “Qemal Beu u përqendrua në lëvizjen aktuale shqiptare, duke u përpjekur që të marrë një ndihmë nga qeveria italiane. Sipas tij, revolta aktuale është e paracaktuar që të zgjerohet dhe të ketë ndikim të madh në qeverinë qendrore të Kostandinopojës aq sa të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Pavarësisht se Aloisi i kishte paraqitur deklaratat e përsëritura të Italisë për Ballkanin, Ismail Qemali ka këmbëngulur, duke treguar se ndërhyrja e Italisë mund të sillte një ndryshim të favorshëm për përfundimin e veprimeve ushtarake. Ai nuk kishte besim te udhëtimi i ministrit të Brendshëm Osman, Haxhi Adil beu për të kryer reforma në Shqipëri.”
Por, shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme në vitin 1912 nxori në pah disa aspekte të rëndësishme të gjendjes së dobësuar të Perandorisë Otomane, shfaqjen haptazi për realizimin e qëllimit të shqiptarëve, si dhe nxjerrjen në pah të synimeve të fqinjëve ballkanik në dëm të tokave shqiptare.
Diplomacia italiane edhe pse në dijeni të ngjarjeve që ndodhnin në Shqipëri, ajo ishte shumë e kujdesshme në deklaratat zyrtare për situatën e rënduar në këto vilajete, madje evitonte të ndërhynte në punët e brendshme të Perandorisë. Qëndrimet zyrtare ishin për mos të hapur probleme të tjera me Stambollin si dhe për të mos ngjallur rivalitet me Austro-Hungarinë. Në komunikimet telegrafike që kishte patur ministri i Jashtëm i Italisë me diplomate italian, ai ishte shprehur se vendi i tij ishte në dijeni të trazirave që po ndodhnin dhe nuk mbështeste situatën e rënduar dhe masat e ashpra që po ndërmerrte ekspedita osmane në viset shqiptare. Italia pati edhe qëndrime jo zyrtare për përkrahjen e çështjes shqiptare, të cilat ishin iniciuar nga njerëz të pushtetshëm. Siç ishte rasti i vitit 1911 kur në Romë u themelua komiteti me lëvizjen “Pro Albania”, nën kryesinë e Ettore Ferrarit, që mbante postin e kryetarit të partisë Republikane. Komiteti u mbështet edhe nga i mirënjohuri Riciotti Garibaldi. Ai ishte edhe ndër nismëtarët që organizoi ekspeditën prej 500 vullnetarësh garibaldianë për t’u ardhur në ndihmë çetave shqiptare. Vullnetarët që do të niseshin nga vendi fqinj do t’i priste juristi arbëresh Terenc Toçi që ndodhej në Shqipëri, por në momentin e fundit kjo lëvizje u pengua nga qeveria italiane. Roma zyrtare deklaronte zyrtarisht se hiqte dorë nga lëvizja pasi dëmtonte interesat e politikes së jashtme të Italisë.
Tentativat e udhëheqësve shqiptarë për të siguruar ndihmë tek qeveria italiane ishin të vazhdueshme, por ato nuk përmbushen pritshmëritë e shqiptarëve. Ismail Qemali qe në marrëdhënie të mira me italo-shqiptaret. Ai kishte vizituar disa here komunitetin shqiptar në Itali. Edhe kur ishte pyetur në vitin 1907 nëse politika italiane përputhej me programin e popullit shqiptar, Ismail Qemali nuk kishte ngurruar të përgjigjej në mënyrë pohuese. Udhëtimet e Ismail Qemalit u shtuan në vjeshte të vitit 1912. Më 26 tetor 1912 Ismail Qemali niset nga Stambolli për në Bukuresht. Ai së bashku me Luigj Gurakuqin, e të tjerë prijës organizuan emigracionin shqiptar në Bukuresht, të cilët vendosen përgatitjen e një kongresi kombëtar shqiptar. Gjithashtu, vendosen të dërgojnë telegrame në çdo cep të Shqipërisë se kishte ardhur koha që të realizohen aspiratat kombëtare. Pas takimit në Bukuresht, Ismail Qemali shkoi në Vjenë nga ku i dergoi edhe telegramin të birit rreth të ardhmes së Shqipërisë dhe të bënte të njohur lajmin e mirë në të gjitha anët e vendit. Biseda me Berchtoldin në Budapest, me miratimin e pikëpamjeve mbi çështjen kombëtare shqiptare, me përkrahjen gjithashtu edhe prej Italisë, Ismail Qemali u nis për Trieste ku e prisnin një grup shqiptarësh për t’u kthyer së bashku në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912 u mblodh një asamble kombëtare, kryesuar nga Ismail Qemali dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u formua qeveria e përkohshme. Menjëherë u njoftuan me telegram Fuqitë e Mëdha për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Telegrami i kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, i datës 28 nëntor 1912, drejtuar Ministrive së Punëve të Jashtme të Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Britanisë së Madhe, me anë të cilit njoftonte për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre.
Ndonëse shqiptarët nuk gjeten mbështetjen e pretenduar tek Italia, akti politik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë shënon fundin e procesit të komb-formimit modern te shqiptarët dhe i hap udhë procesit të ngritjes së shtetit shqiptar me mbështetjen kryesisht të Austro-Hungarisë dhe me përkrahjen e Italisë.