Sheshit të komunës i jepet emri i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu/
Inaugurohet në Vakarici të Kalabrisë busti i Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, ndërkohë që sheshi në qendër të komunës ka marrë emrin e Heroit tonë Kombëtar.
Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm deputetët Fatmir Toci e Mimoza Hafizi, ambasadori i Shqipërisë në Itali, Neritan Ceka, si dhe skulptori i njohur vlonjat, Zeqir Alizoti.
Kryetari i komunës së Vakaricit, Aldo Marino, njëkohësisht edhe kryetari i Shoqatës së Kryekomunarëve Arbereshe, ishte organizatori i kesaj veprimtarie. Nën drejtimin e tij prej 10 vjetësh Vakarici, është bërë jo vetëm një prej komunave më të zhvilluara arbereshe, por edhe një vend tërheqës për turistët italianë e të huaj.
Aldo Marino, një prej arbëreshëve më të njohur në Shqipëri pas viteve ’90 është i pranishëm në të gjitha ngjarjet dhe evenimentet e organizuara në zona të ndryshme të vendit tonë. Ai ka synuar gjithmonë zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe arbëreshëve që ato të mos mbeten në nivele kulturore e folklorike siç ka ndodhur deri tani, por të shtrihen edhe në fushat ekonomike me interes të përbashkët, zhvillimin e turizmit të ndërsjelltë dhe shkëmbimet deri me programe të përbashkëta në të gjitha fushat. Arbereshet e pranishëm kërkuan vëmëndje më të madhe nga shteti shqiptar për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, mësimin e shqipes për fëmijët arbëreshe në shkollat italiane, mbështetje me programe shkollore e libra shqip, bashkërendime të punës shkencore, arsimore e kulturore midis arbëreshëve të Shqiperise etj.
Ne Foto: Inagurohet Busti i Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Vakarici te Kalabrise dhe sheshi në qender të komunës mer emrin e Heroit Kombëtar