Eshtë jeta ime
“Të kërkohet që në Kryeqytet të ngrihet një Memorial kushtuar femrave shqiptare që u vranë, u burgosën dhe internuan padrejtësisht nga diktatura më e egër në Europë”.
Nga Mimoza Dajçi
Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet e reja parlamentare. Por a do të ketë përfaqësim të barazisë gjinore në kuvendin e ardhshëm, në kuotën 50/50.
Në show-un “Ferma VIP1” fitues doli një djalë, urime sigurisht, garat e paracaktuara në atë format televiziv ishin përllogaritur njësoj për të gjithë.Testet e garimit nuk ishin të lehta, megjithatë pjesëmarrëset edhe pse nuk dolën fituese i ndoqën shpirtërisht deri në fund ato. Për çudi ajo lloj konkurence nuk parashikonte dallime gjinore.
Edhe partitë politike që pretendojnë të marrin pushtetin duhet të fokusohen më shumë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Kryetarët e partive mos të mendojnë vetëm për kolltuqet e miqve dhe shokëve të tyre, por edhe për vajzat e gratë që kanë një kontribut të konsiderueshëm në strukturat e partisë. Jeta dhe veprimtaria politike është e njëjtë për këdo, Çdo vajzë, grua duhet të jetë e barabartë edhe në këtë “lojë politike”. Nëse fitojnë, nuk duhet të heshtin, të tregojnë kapacitetet që disponojnë. Qëndrimi i tyre në kuvend lë për të dëshëruar, ndërkohë që vendi ka shumë probleme ekonomike, sociale etj. Gratë deputete duhet të distancohen nga gabimet e qeverisë, korrupsionit, të jenë të mirë artikuluara për çështjet që prekin interesat e grave. Të flasin për të drejtat e grave ish të persekutuara politike nga regjimi komunist, të kërkojnë që në Kryeqytet të ngrihet një Memorial kushtuar femrave shqiptare që u vranë, u burgosën dhe internuan padrejtësisht nga diktatura më e egër në Europë. Të mbrojnë ligjet për të drejtat e grave dhe fëmijëve, një pjesë e të cilave po dhunohen e keqtrajtohen, vriten nga bashkëshortët e tyre. Të rralla janë ato gra parlamentare që marrin mundimin e flasin në kuvend. Sa kemi parë, ulen në atë institucion, fusin të ardhurat mujore në xhep, bëjnë jetë luksi, krahas atyre që i dhanë votën. Kësaj i thonë “pas meje le të bëhet qameti”.
Çdo grua, vajzë apo nënë që dhunohet nga bashkëshorti ka jetën e saj, por duhet që ligjvënësit të ngrejnë zërin për to, pasi askush nuk ka të drejtë ti marrë, ti cënojë jetën nënave, grave dhe fëmijëve. Jeta është e tyre, dhe ato duhet ta jetojnë. Siç thonë edhe vargjet e këngës “It’s my life” të këngëtarit të famshëm amerikan Bon Jovi. “Eshtë jeta ime”. Ka shumë gra e vajza në Shqipëri që kanë kontribuar shumë edhe për jetën politike në vend, si personalisht ashtu edhe familjarisht. Po flas për ato gra që linin apo lenë në shtëpi fëmijët apo prindërit e sëmurë e të munduar nga hallet e viteve në diktaturë, të cilat sakrifikonin e sakrifikojnë kohën e tyre të çmuar për partinë demokratike. I takon drejtuesve të saj ti ftojnë, ti afrojnë këto zonja që sakrifikuan veten e familjet e tyre për kohët e errëta që kaloi vendi edhe pas viteve ’90-të. Në fakt edhe pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri asnjë herë situata politike nuk ka qenë e qetë, kurdoherë ka pasur trazira, protesta, grumbullime dhe askush nuk është kujtuar ti vlerësojë ato gra qofshin gjallë apo ndarë nga jeta.
Gratë parlamentare mos ti binden verbërisht direktivave të partisë, kur ato nuk i shërbejnë interesave të drejta të grave, popullit, por të jenë të pavaruara për të shprehur interesat e drejta të grave dhe vendit, që të përfitojë e gjithë pjesa e shoqërisë. Ato duhet të tregojnë në parlament cilësitë e larta të tyre, për të krijuar besimin tek votuesit tek qytetarët, pasi të gjitha gratë sëbashku mund të çojnë përpara reformat dhe përparimin e vendit.
Dhe suksesi është i pamohueshëm, referuar mediave shqiptare dhe TV – Zërit të Amerikës rasti më i fundit është kur në Shqipëri gratë dhe vajzat po depërtojnë edhe në industrinë e prodhimit të automjeteve. Arjeta Puca themeluese e kompanisë “Timak”, që bazohet në punën e vajzave, në pak vite ja ka dalë të prodhojë disa qindra të tilla, së fundi dhe prototipin e makinës së parë të blinduar ushtarake, e cila do të ekspozohet në panairin Eurosatory në Paris. Nën moton “gratë në timonin e ndryshimit” zonja Puca po ndërton të ardhmen e saj në Shqipëri, pas kthimit nga emigracioni.