Nga Behelul Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë punimeve të Samitit Ndërkombëtar “Gratë në Botë”, që po zhvillohet në New York, SHBA, në fjalën e saj në panelin për “Gratë Paqebërëse”, theksoi se “Kosova është shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët e saj”.
Duke folur për rolin e gruas, Jahjaga theksoi rolin e jashtëzakonshëm që gruaja në Kosovë ka luajtur në periudhën e luftës, gjatë viteve 1998-1999, duke thënë se ajo ka qenë viktima më e madhe, sepse përveç humbjeve të jetëve në familje ajo është dashur që të përkujdeset jo vetëm për fëmijët, por gjithashtu të marrë rolin e kreut të familjes.
“Në fshatra dhe qytete gjithandej Kosovës, gratë ndihmuan që shoqëria të ecë përpara. Ato u bënë shtylla të shtetit të ri, të cilin e ndërtuam nga rrënojat. Gratë patën rol kryesore në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e tyre”, tha Presidentja Jahjaga.
Lidhur me rolin e gruas në Kosovë në procesin e rindërtimit të vendit dhe të ndërtimit të mirëbesimit, Presidentja Jahjaga theksoi se gratë kanë arritur që të sjellin në tavolinë pragmatizëm dhe përkujdesje. Ajo tha se roli i gruas është qenësor sepse ato nuk ikin nga tryeza e negociatave pa gjetur zgjidhje.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga foli edhe për angazhimin e gruas në Policinë e Kosovës, një force të sigurisë që është ndërtuar mbi standardet demokratike që ofron sigurinë për të gjithë qytetarët, dhe gjithashtu një force që ka arritur të krijojë besimin në mesin e qytetarëve.
“Pjesa më e madhe e këtyre arritjeve është bërë me rekrutimin e policeve femra – një rol jo tradicional për gruan në Kosovë – që ndihmon shoqërinë ta shohin policinë si mbrojtëse të të drejtave të tyre dhe të lirive, një force jo kërcënuese për identitetin dhe për mirëqenien e tyre”, tha Presidentja Jahjaga.
Ajo tha se si Presidente e vendit ka provuar që të bëjë bashkë të gjitha palët në dialog dhe në mirëkuptim të ndërsjellë.
“Theksoj shqetësimet tona të përbashkëta për të treguar se pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare, ne ndajmë shqetësime dhe shpresa për të ardhmen. Vazhdimisht kërkoj axhenda që bashkojnë qytetarët e Kosovës dhe i siguroj të gjithë se Kosova është shtëpia jonë e përbashkët dhe përparimi i saj nënkupton përparimin për secilin që e quan atë shtëpi të veten”, tha Jahjaga.
Gjatë punimeve të samitit Presidentja Jahjaga takoi edhe ish-presidentin e SHBA-së, Jimmy Carter./