Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, Dritan Mishto në Darkën e festimit të 106 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë/
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA kam nderin e lartë t’Ju uroj Gëzuar Festën e Flamurit, Rroftë Pavarësia Jonë.
Ne sot jemi dëshmitarë se si Federata jonë feston në mënyrë të pandërprerë për 106 vite Festën e Flamurit. Komuniteti shqiptar është zgjeruar me shqiptarë nga të gjitha trevat dhe Ne, Vatra ndjehemi shumë mirë që kjo festë festohet gjithandej. Por, askund tjetër kjo festë nuk të dhuron më shumë emocion sesa këtu, me Vatrën tonë të dashur. Ndaj, dua t’Ju falenderoj nga zemra dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë, që keni ardhur të nderoni Flamurin dhe Federatën VATRA.
Jam i lumtuar dyfish që sipas traditës 106 vjecarë, klerikët tanë janë të pranishëm dhe dua t’i shpreh respektin tim më të thellë Dom Pjetër Popaj, Imam Edin Gjoni dhe Father Hieromonk Nikodhim, të cilët kanë qenë gjithmonë me ne duke mbajtur lart amanetin e të parëve tanë për ruajtjen dhe ushqimin e harmonisë fetare.
Të mbledhur përherë e më shumë bashkë, si në këtë darkë madhështore, Ne tregojmë fuqinë dhe rritjen e pandërprerë të VATRËS, e cila është Nder mbi Nder i Kombit dhe autoriteti moral më i fuqishëm në botën shqiptare. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do të qëndrojë fort kundër të gjithë atyre që po e plagosin vendin tonë në mënyrë të pamëshirshme, me korrupsion, me kanabizim, me varfëri, me vrasjen e shpresës për të ardhmen, me largimin masiv të të rinjve, dhe c’ka është me e keqja, me rikthimin e mentalitetit dhe simboleve të komunizmit. Ndaj, ashtu si në kohët e shkuara kur VATRA ishte në ballë të zgjidhjes së halleve të shqiptarëve, edhe sot, ne jemi të vendosur dhe të bashkuar për të qenë një grusht i fortë për cilindo që e sheh vendin tonë dhe shqiptarët si plackë për t’u zhvatur.
Kohët e fundit, disa individëve u ka lindur një “dashuri” për Federatën VATRA. Por, këtë “dashuri” nuk e shprehin duke bashkëpunuar në zgjidhjen e problematikave të rënda, që po i marrin frymën shqiptarëve në Shqipëri dhe Ballkan. Këtë “dashuri” e shprehin duke hedhur baltë. Por, VATRA të dashur vëllezër dhe motra është një udhëtare që nuk do të ndalojë kurrë dhe nuk do të stepet në rrugën e saj për përmbushjen e misionit, që i ka dhënë historia. Ashtu sic thotë Wilson Churchill: “Nëse udhëtari do të kthejë kokën pas lehjes së cdo qeni, nuk do të arrijë kurrë në destinacion”.
Prandaj, VATRA dhe Shqipëria moderne, si të lidhura pazgjidhshmërisht do të jenë bashkë në rrugën e tyre derisa të arrijnë në destinacionin tonë historik, duke zgjidhur të gjitha cështjet shqiptare të mbetura dhe duke u bërë dëshmitarë të të vërtetave të mëdha historike.
Ndaj, cdo Vatran sot ka të drejtën morale të thërrasë deri në kupë të qiellit:
Jam Shqiptar se jam Vatran!
Jam Vatran se jam Shqiptar!
Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA!
Rrofshin Shqiptarët kudo ndodhen!
Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!